Fillon shitja, këto janë çmimet e kurbanëve në Kosovë

Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanëve. Therja e tyre bëhet fill pas faljes së namazit të Bajramit. Kështu, shumë qytetarë të besimit islam blejnë kurbanë dhe mishin e tyre ua shpërndajnë të varfërve.

E në qytetet e Kosovës tashmë ka filluar shitja e tyre, ndërsa një ditë para ditës së Bajramit, besimtarët veçse kanë blerë kurbanet, të cilët do të theren nesër.

Çmimi i një deleje (kurban) sillet nga 120 deri në 140 euro.

Pensionisti, Murat Xhakja nga Fushë-Kosova, i cili ka blerë një kurban për gruan e tij ka thënë se çmimi për një kurban nuk është i shtrenjtë.

Edhe Xhemal Kodrolli kishte dalë për të marr një kurban.

Ai tha për KosovaPress se çmimi i kurbanit është real dhe se kurbanin që do ta blej do ta ther në thertore të licencuar.

Ndërsa shitësit e kurbanëve thonë se këtë vit janë të kënaqur me interesimin e qytetarëve, por ankohen se nuk kanë çmim të siguruar, dhe nuk kanë hapësirë të veçantë për të bërë shitjen e kurbanëve.

Për çmimet e kurbanëve flet edhe shitësi nga Fushë-Kosova, Lutfi Gara thotë se këtë vit një kurban shitet nga 120 deri 140 euro, mirëpo sipas tij mungon përkrahja institucionale për këtë kategori të blegtorëve.
Gara ka bërë të ditur se therja e kurbanëve bëhet në thertore ose aty ku dëshiron blerësi.

Në Kosovë ekzistojnë thertoret për therjen e kafshëve dhe shpezëve.

Edhe kurbanët sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Lamir Thaçi duhet të theren në thertore dhe çdo therje jashtë tyre konsiderohet ilegale.

Ditë më parë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shfuqizuar vendimin për mbylljen e tregjeve të kafshëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, i cili është marrë si masë preventive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes gungore të lëkurës tek kafshët e llojit të gjedhit.

Dita e Kurban Bajrami karakterizohet për shkuarjen në Mekë për ta kryer ritualin e Haxhit dhe prerje të kurbanit, ritual ky i cili simbolizon devotshmërinë dhe përmbush ligjin islam për të ushqyer ata që nuk kanë asgjë për të ngrënë edhe në këtë ditë të madhërishme siç është dita e Kurban Bajramit.

Dita e Kurban Bajramit është nesër dhe falja e namazit bëhet në ora 06:37.