Fillon Samiti BE-Ballkani Perëndimor, në fokus “e ardhmja e përbashkët” evropiane

Në Bruksel ka filluar Samiti Bashkimi Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor, i kryesuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, raporton Anadolu.

Gjatë samitit, Costa do të përfaqësojë BE-në së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ky takim është theksuar si një mundësi për t’i dhënë vrull të ri partneritetit strategjik të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të shqyrtuar mënyrat se si mund të thellohet ky partneritet për të vazhduar rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.

Temat kryesore të samitit janë forcimi i integrimit i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor me ndihmën e Planit të Rritjes, thellimi i angazhimit politik dhe bashkëpunimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në disa fusha të politikave, ndër të tjera, në atë të jashtmen dhe të sigurisë, njoftoi më herët Komisioni Evropian.

Përveç kësaj, ndër temat në agjendë është ndërtimi i themeleve ekonomike për të ardhmen dhe zbutja e pasojave të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në samit marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, gjatë darkës, liderët e vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë kontekstin gjeopolitik dhe sfidat e përbashkëta për këto rajone.

Samiti BE – Ballkani Perëndimor u mbajt për herë të fundit më 13 dhjetor 2023, kur u njoftua se BE-ja mbështet anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por pret që ato të zbatojnë reformat e nevojshme.