Samiti i NATO-s ku marrin pjesë krerët e qeverive dhe shteteve të vendeve anëtare të NATO-s, filloi në selinë e NATO-s në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në samitin ku Turqia përfaqësohet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan marrin pjesë liderët e 30 vendeve, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në mesin e temave kryesore të Samitit të NATO-s janë vendimet rreth përcaktimit të udhërrëfyesit për 10 vitet e ardhshme të aleancës, përditësimi i konceptit strategjik të NATO-s, rritja e Kinës, Ukraina dhe situata e marrëdhënieve me Rusinë të cilat janë tensionuar në vitet e fundit, kërcënimet kibernetike, lufta me terrorizmin, teknologjitë shkatërruese, ndikimi i ndryshimit të klimës mbi sigurinë dhe përfundimi i misionit të NATO-s në Afganistan.
Në samitin e NATO-s ku për herë të parë pas zgjedhjes si president merr pjesë edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të diskutohen marrëdhëniet transatlantike.
Në përfundim të samitit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë një konferencë për shtyp dhe do të japë informacione rreth samitit. Gjithashtu pritet që në përfundim të takimit të publikohet edhe deklarata e samitit.
Në kuadrin e samitit krerët e shteteve dhe qeverive që nga mbrëmë kanë filluar të zhvillojnë bisedime dypalëshe në Bruksel. Parashikohet që disa liderë të vazhdojnë bisedimet dypalëshe në selinë e NATO-s edhe pas përfundimit të samitit. /aa