Fillojnë përçarjet brenda koalicionit PAN, shkak ndarja e ministrive

Vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së, për bërjen e institucioneve të reja të shtetit, kanë nis pakënaqësitë nga partnerët më të vegjël në këtë koalicion parazgjedhor në lidhje me pozitat dhe ndarjen e ministrive.

Entuziazmi në kampin e koalicionit PAN i cili mbretëroi pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje është zbehur vetëm pak orë pas sepse Lista Serbe ka qenë ajo që ka reaguar në lidhje me ndarjen e ministrive.

Sipas burimeve të Indeksonline, në marrëveshjen paraprake që kishin, Lista kishte negociuar edhe Ministrinë e Bujqësisë, por pas nënshkrimit të marrëveshjes së mbrëmshme kjo ministri iu është ndarë AKR-së.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme edhe partia Lëvizja për Bashkim në koalicion me PAN-in, ka bërë të ditur se nuk pranon të jetë pjesë e Qeverisë, duke theksuar se Kosova do të ketë Qeveri të varur nga Lista Serbe.

Në reagimin e saj ajo thekson se ka vendosur që ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij, transmeton Indeksonline.

“Lëvizja për Bashkim, më e vendosur se kurrë, tashmë i ka hyrë punës që të përgatitet për zgjedhjet e reja të përgjithshme, në mënyrë që të garojë si subjekt i vetëm politik dhe si rrjedhojë të mos futet në koalicione me synim kalimin e pragut zgjedhor. Me këtë rast, i ftojmë të gjithë ata njerëz vullnetmirë, që janë të gatshëm të angazhohen për një të ardhme më të mirë të vendit tonë, të bashkohen rreth projektit të Lëvizjes për Bashkim, thuhet në njoftimin për media”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas burimeve të Indeksonline, PDK, në bazë të marrëveshjes paraprake me partnerin e koalicionit parazgjedhor, Lëvizjen për Bashkim, kësaj të fundit ka vendosur t’ia ndajë Ministrinë e Diasporës.

Kujtojmë se LB kishte udhëhequr me këtë ministri edhe mandatin e kaluar, përmes kryetarit të saj, Valon Murati.