Njohësit e çështjeve juridike e ekspertët e Kushtetutës fajësojnë Bashkimin Evropian për mosfillimin e punës së Speciales, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e saj. Ndërkohë paralajmërojnë se tremujori i parë i vitit të ardhshëm do të jetë shumë “i nxehtë”.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se Gjykata do të fillojë me ngritjen e akuzave në muajt e parë të vitit 2017 dhe menjëherë pas këtyre akuzave do të pësojnë edhe arrestimet, shkruan “Zëri”.
Ndërkohë që kritikojnë Bashkimin Evropian për vonesat edhe pse u kishte bërë një presion të madh institucioneve të Kosovës që me çdo kusht dhe sa më parë të miratohej ligji dhe të nënshkruhej.
“Kosova i ka kryer ato obligime, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë mjaft efikase dhe efiçiente”, ka thënë eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Sipas tij, tani është momenti i fundit që kjo Gjykatë të veprojë dhe të përfundohet me ankthin e kosovarëve.
“Është momenti i fundit të ketë më shumë përgjegjësi bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë BE-ja dhe shteti i Holandës bashkë me të tjerët që ta funksionalizojnë këtë Gjykatë dhe ta bëjnë punën sa më parë që të mos zvarritet me vite, siç ka qenë puna me tribunat e tjera e të mbahet peng i tërë populli i Kosovës dhe të lihen njerëzit në ankth dhe në stres”, ka potencuar ai.
Në anën tjetër hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se ngritja e aktakuzave do të fillojë në muajt mars-prill.