Fiksimi i Serbisë për ta cilësuar Kosovën “pjesë integrale” të saj

Ditar Kabashi

Përkundër elementeve pozitive në zhvillimin kushtetues të Kosovës, Kushtetuta Federale e Jugosllavisë e vitit 1974, përpos si pjesë konstituive të Jugosllavisë, ende e konsideronte Kosovën edhe pjesë autonome në strukturën shtetërore të Serbisë (nenet 1 dhe 2).

Ditar KABASHI, Prizren

Konstituimi formal-juridik është pikësynim thelbësor për secilin entitet që mëton të fitojë subjektivitet shtetëror, qoftë si i mëvetësishëm, qoftë në kuadër të një shteti federal. Gjatë historisë moderne të shek. XX, Kosova ka kaluar në rrugë të vështira politike, si rrjedhojë e të cilave ka pësuar transformime në statusin juridiko-kushtetues të saj, duke kulmuar me pavarësi në vitin 2008. Në secilën etapë të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova është përballuar me pengesa që kryesisht i viheshin nga ana e Serbisë. Në këtë kontekst, ia vlen t’u hidhet një vështrim telegrafik peripecive të karakterit juridik, të cilat e kanë shoqëruar Kosovën përgjatë periudhës së Jugosllavisë Federale e deri më sot.

Statusi i Kosovës në intervalin 1946-1974

Këshilli Krahinor Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Metohisë (kështu quhej atëbotë), përmes delegatëve pjesëmarrës në Kuvendin Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, të mbajtur më 7 prill 1945, ka përcjellë vendimin e Kosovës që të bashkohet me Serbinë. Ky “vullnet”, i cili binte ndesh me vullnetin e Konferencës së Bujanit (1943), ku shqiptarët u deklaruan për bashkim me Shqipërinë, është materializuar me vendimin e datës 10 korrik 1945 të Kuvendit Krahinor të Kosovës dhe Metohisë. Më pas, vendimi në fjalë është miratuar më 7 gusht 1945 në Mbledhjen e Tretë të Këshillit Antifashist të Çlirimit të Jugosllavisë dhe, më 2 shtator 1945, Kuvendi Popullor i Serbisë ka nxjerrë ligjin themelues të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Statusi autonom i Kosovës është njohur edhe me Kushtetutën e Jugosllavisë (RFPJ) të vitit 1946.

Megjithatë, ka ekzistuar dallimi në emërtimin e autonomisë të Kosovës dhe Vojvodinës, si dy entitete pa status republike në Jugosllavi. Vojvodina është cilësuar “pokrajina”, që ka kuptimin e krahinës/provincës, pra me kuptim më të gjerë, ndërsa Kosova “oblast”, që domethënë rajon/zonë. Pak kohë pas hyrjes në fuqi të kushtetutës jugosllave të vitit 1946 është vërejtur që domeni i të drejtave dhe organizimi funksional i këtyre dy njësive autonome ka qenë jo i barabartë, duke qenë më i gjerë në favor të Vojvodinës. Thënë shkurt, Kosova u cilësua rajon autonom, gjersa Vojvodina krahinë/provincë autonome.

Gjatë kësaj periudhe, akti më i lartë juridik në territorin e Kosovës ka qenë Statuti, i cili ka rregulluar aspekte të organizimit dhe çështje të të drejtave dhe përgjegjësive të njësisë autonome. Organet kosovare mund të nxirrnin akte juridike vetëm me karakter nënligjor. Gjyqësori nuk ka qenë i pavarur në kuadër të krahinës dhe nuk ka pasur Gjykatë Supreme.

Viti 1953 do të shënonte regres për statusin e Kosovës. Po në atë vit u nxor Ligji Kushtetues i Jugosllavisë dhe Ligji Kushtetues i Serbisë. Sipas këtyre akteve, të drejtat dhe kompetencat e Kosovës do të përcaktoheshin jo më me Kushtetutën Federale, por me atë të Serbisë. Kësisoj, pozita juridike e Kosovës do të varej nga përvijimi që do të bënte shteti serb. Me këtë qasje centraliste u zhbë karakteri konstituiv federativ i Kosovës.

Ngjashëm u rregullua statusi i Kosovës edhe me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1963 dhe me Kushtetutën e Serbisë të po të njëjtit vit. Kosova sërish mbeti kategori kushtetuese brenda një republike federative (Serbisë) dhe iu njoh kompetenca e rregullimit të brendshëm në disa sfera, si: ekonomia, arsimi, kultura, shëndetësia, mbrojtja sociale etj., por me kusht që të mos binin në kundërshtim me legjislacionin e Serbisë.

Deri në vitin 1968 nuk ka pasur lëvizje pozitive sa i përket avancimit të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Në fakt, pikë kthese ka qenë Plenumi i Katërt i Brioneve i vitit 1966, në të cilin u përmbys ndikimi politik i krahut të Aleksandar Rankoviqit, ministrit të Brendshëm jugosllav, i cili njihej për qeverisje represive ndaj Kosovës, i stisur nga politikat nacionaliste serbe. Kështu, që nga viti 1968 u paraqitën shkëndijat e zgjerimit të lirive dhe plotësimit të statusit autonom të shqiptarëve. Shqiptarët e Kosovës nisën të ngrenë zërin për status republikan në kuadër të Jugosllavisë, por Partia Komuniste Jugosllave refuzoi dhe paralajmëroi ndëshkime në rast të insistimit në këtë drejtim.

Tashmë asgjë nuk mund të ishte si më parë. Kërkesat dhe argumentet e Kosovës morën hov, saqë prodhuan edhe demonstratat studentore.

Jugosllavia shkoi në amendamente kushtetuese. Më 1968 u bënë ndryshime në kushtetutën e vitit 1963 dhe Kosovës e Vojvodinës iu kthye statusi i njësisë federative, si pjesë konstituive e Jugosllavisë, ashtu sikurse u njihej me kushtetutën e vitit 1946. Megjithëkëtë, njëherësh, këto dy krahina cilësoheshin edhe si entitete përbërëse të Republikës Socialiste të Serbisë.

Si rezultat i fuqizimit të të drejtave, më 1969, Kosova nxori Ligjin Kushtetues, që kishte karakterin e dokumentit kushtetues. Nuk u quajt “kushtetutë” për t’u vënë në pah dallimi i krahinës autonome me republikat federative. Po ashtu, ky ligj e kishte një nivel më të ulët të fuqisë se kushtetutat, ngaqë mund të ndryshohej përmes ligjeve të zakonshme. Në anën tjetër, u funksionalizua Gjykata e Lartë Krahinore, bashkë me Degën Gjyqësore Kushtetuese në kuadër të saj. Ndërsa, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1971 në federatën jugosllave, Kosova e fitoi edhe themelimin e Gjykatës Kushtetuese, si organ i pavarur krahinor.

Një frymëmarrje për Kosovën: Kushtetuta e vitit 1974

Kushtetuta e vitit 1974 e Jugosllavisë e fuqizoi edhe më tej statusin juridiko-politik të Kosovës. Gjerësia e autonomitetit të saj i afrohej statusit të republikave federative. T’i shohim disa nga këto cilësi!

Kosova e gëzonte të drejtën e vetos për ndryshimet kushtetuese dhe për hartimin e një kushtetute të re në nivel federal. Po kështu, Kosova ka mundur t’i rregullojë juridikisht marrëdhëniet shoqërore në një gamë shumë të gjerë, kufizuar natyrshëm nga legjislacioni federal dhe, fare ngushtë, nga legjislacioni i Serbisë.

Sikurse republikat federale, edhe Kosova i kishte organet e veta kushtetuese: Kuvendin, Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit, Kryesinë e Kosovës, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, Prokurorinë, Bankën Popullore, etj.

Kosova përfaqësohej në organet kryesore federale si subjekt konstitutiv. Kryesia e Federatës Jugosllave, Kuvendi dhe Këshilli Ekzekutiv Federal, Gjykata Kushtetuese Federale etj. ishin ndër organet ku Kosova kishte përfaqësues të vet.

Kosovës i është njohur territori me kufijtë e vet dhe ky nuk mund të ndryshohej pa miratimin e Kosovës.

Gjithashtu, është e mundur të flitet për autonomi të gjerë të Kosovës në rrafshin gjyqësor, të sigurisë, të financave, etj.

Rritja e nacionalizmit si minim i federalizmit

Përkundër elementeve pozitive në zhvillimin kushtetues të Kosovës, Kushtetuta Federale e Jugosllavisë e vitit 1974, përpos si pjesë konstituive të Jugosllavisë, ende e konsideronte Kosovën edhe pjesë autonome në strukturën shtetërore të Serbisë (nenet 1 dhe 2).

Për më tepër, vazhdimisht u ruajt diferencimi kushtetues jugosllav komb (narod) – kombësi (narodnost), ku i pari gëzonte njësi republikane, kurse i dyti, njësi autonome. Kjo ka ndikuar që faktori nacionalist serb të konservojë idenë për një Kosovë pa status të pavarur shtetëror. Madje, vetëm dy vite pas nxjerrjes së Kushtetutës, Akademia Serbe ka përgatitur një strategji në të ashtuquajturin “Libër i Kaltër”, sipas së cilës Kosova dhe Vojvodina duhet t’i nënshtroheshin prapë centralizmit serb. Këto pretendime nuk u aktualizuan shumë në të gjallë të Titos. Me vdekjen e tij (1980), në Jugosllavi nisën të dalin në sipërfaqe ambiciet nacionaliste serbe. Shefi i Partisë Komuniste Serbe dhe më vonë Presidenti i Serbisë, Ivan Stambolliq, vepronte për heqjen e autonomisë së dy krahinave, por këtë e planifikonte nëpërmjet procedurave ligjore. Mirëpo, pasuesi i tij politik, Sllobodan Millosheviqi, nuk deshi të dëgjonte fort për Kushtetutën dhe legjislacionin. Në një vizitë të tij në Kosovë në prill të vitit 1987, u orkestrua një demonstratë e dhunshme e serbëve të Kosovës ndaj policëve që kryesisht ishin shqiptarë. Pasi policia intervenoi, Millosheviqi e tendosi edhe më tej situatën me diskurs nacionalist. Kjo nxiti një mori veprimesh të tjera, ku bënte pjesë edhe eliminimi politik i kuadrove shqiptarë në skenën politike jugosllave, në mesin e të cilëve edhe Fadil Hoxha. Kosova filloi të mbushej me policë të njësisë speciale. Tashmë gjithçka po i shërbente një qëllimi – suprimimit të statusit autonom të Kosovës.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës

Nga viti 1988 në Kosovë nisën të organizoheshin protesta dhe greva urie, sidomos në minierën e Trepçës. Si kundërpërgjigje, regjimi serb kreu shumë arrestime.

Datë historike do të bëhej 23 marsi i vitit 1989, kur Kuvendi i Kosovës u mblodh për t’i votuar amendamentet kushtetuese të Kushtetutës së Serbisë dhe të Kushtetutës së Kosovës. Salla e Kuvendit në Prishtinë ishte e mbushur dhe e rrethuar me efektivë policorë dhe zyrtarë të shërbimit sekret, të cilët ishin prezentë aty për të ushtruar trysni ndaj deputetëve shqiptarë që të miratoheshin propozimet e reja, në të cilën parashihej edhe suprimimi i autonomisë së Kosovës. Sipas skenarit të përgatitur, duhej bërë çdo gjë e nevojshme që vetë përfaqësuesit e Kosovës të hiqnin dorë nga autonomia dhe në këtë mënyrë të përmbushej kriteri formal juridik. Sikurse mund të paramendohet, votimi ishte i përcjellë me manipulime. Votat abstenuese nuk u numëruan, por vetëm ato përkrahëse dhe kundërshtuese (këto të fundit ishin vetëm dhjetë). Në këtë situatë jo të lirë dhe kërcënuese, të cilën historiani Oliver Jens Schmitt e quan – me të drejtë – puç kushtetues (Schmitt: Kosova, KOHA, 2012, f. 243), Kosovës iu shfuqizua autonomia dhe “u kthye” në pjesë integrale të Serbisë.

Më 1990, gjatë Kongresit XIV të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, përfaqësuesit e Sllovenisë kërkuan kthimin e statusit autonom të Kosovës. Refuzimi i Serbisë bëri që përfaqësuesit e Sllovenisë dhe të Kroacisë të tërhiqen nga punimet e Kongresit. Ky ishte një hap më afër fundit të federatës jugosllave.

Gjatë viteve të 90’ta në Kosovë u zhvillua një reprezalje e ashpër shtetërore, si në rrafshin politik, po kështu edhe në atë ekonomik, arsimor, social, etj. Kosova njëanshëm nxori Kushtetutën më 1990 dhe organizoi referendum për pavarësi një vit më vonë, duke shprehur vullnetin popullor. Këto akte nuk u njohën nga Serbia, sikundërqë nuk u njohën as zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Kosovë.

Popullsia me shumicë shqiptare ishte vazhdimisht në shënjestër të diskriminimeve të hapura. Rezistenca paqësore e kuadrove të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, më tutje, rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin përpjekje e popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Dështimi i Konferencës së Rambujesë solli ndërhyrjen e NATO-s në muajin mars të vitit 1999 dhe kështu u ndërrua kahu i zhvillimeve në favor të Kosovës. Me Marrëveshjen e Kumanovës (qershor 1999), u arrit largimi nga Kosova i forcave ushtarake e policore të Serbisë. Kosova ishte çliruar, por statusi kushtetues i saj mbeti i pazgjidhur.

Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006

Dy vite para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 2006, Serbia e hartoi kushtetutën e re. Teksa faktori ndërkombëtar dëshironte zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, kushtetuta e re e Serbisë përsëri e cilësoi Kosovën pjesë përbërëse të territorit të Republikës së Serbisë (shih: Preambula, si dhe nenet 182/2 dhe 114/3), porse tashmë si krahinë autonome.

Domethënë, shtatë vite pas masakrave, shkatërrimit të infrastrukturës, dëbimit masiv të popullsisë vendase shqiptare dhe të gjitha padrejtësive të tjera, Serbia dëftoi hapur dhe juridikisht qëllimin dhe qëndrimin e saj se nuk ka ndërmend të heqë dorë Kosova dhe se kësaj të fundit më së shumti mund t’i jepet një autonomi sikur të mos kishte ndodhur asgjë, veçmas në dekadat e fundit. Ky dokument i ri me mendësi të vjetër shpalos pikëpamjen cinike të politikës serbe, aktuale edhe në ditët e sotme, kur po e përmbyllim vitin 2023, dhe kur po të njëjtat dispozita kushtetuese të Serbisë përkitazi me Kosovën janë akoma në fuqi.

Statusi real i Kosovës karshi Serbisë

Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më tani, në prizmin juridiko-kushtetues, Kosova është sprovuar në raport me Serbinë. Kosova nuk është pranuar asnjëherë si entitet i barabartë/republikë në Jugosllavi. Megjithëqë në periudhën e Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë statusi i Kosovës është përmirësuar dukshëm, prapëseprapë dualizmi statusor element konstituiv federativ – pjesë e strukturës shtetërore të Serbisë ka bërë që Serbia ta konsiderojë veten gjithnjë mbizotëruese ndaj Kosovës.

Përkundër kësaj, evident është fakti që as gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe as pas saj Kosova nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e shtetit të pavarur serb. Duhet nënvizuar se edhe në statusin e dyfishtë (deri diku paradoksal) që kishte Kosova gjatë periudhës së kushtetutës së vitit 1946 dhe kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë, inkuadrimi i Kosovës në Serbi ka qenë vetëm në Serbinë si subjekt/republikë federative në kuadër të Jugosllavisë dhe jo në Serbinë sovrane ndërkombëtarisht. Andaj nuk mund të konsiderohet argument juridik pohimi që Kosova ka qenë pjesë e Serbisë dhe se qenka shkëputur dhunshëm nga ajo.

Sot, Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara e të pavarura. Sa më parë që Serbia e pranon këtë fakt dhe e njeh sovranitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, aq më e qëndrueshme do të jetë paqja në Ballkan dhe do të përshpejtohet integrimi i rajonit në Bashkimin Europian. Shkëputja nga nostalgjia e dikurshme, e ndërtuar në kurriz të Kosovës pa vullnetin e saj, do të jetë në dobi të të gjithëve.