Ballina Artikuj Fik’hu i peshores, humanizmi dhe ekuilibri i humbur

Fik’hu i peshores, humanizmi dhe ekuilibri i humbur

Ali Muhyiddin al-Qaradaghi

Fik’hu i peshores është një shkencë ekzakte e cila ndërtohet mbi bazë të njohjes se:

Çdo gjë ka peshoren dhe peshën e saj specifike.

Çdo kapitull i sheriatit ka peshoren e tij. Nëse ti mat gjëra të tjera me peshoren e tij, padyshim që peshorja do të ç’ekuilibrohet. Fjala “peshore” është përmendur në numrin shumës (peshoret) në Kuranin Famëlartë kur bëhet fjalë për drejtësinë absolute të Allahut të Madhëruar në Ditën e Kijametit, sepse Allahu e gjykon besimtarin sipas statusit të tij, kurse mosbesimtarin, zullumqar e kokëfortë e gjykon po sipas statusit të tij për shkak se ai e ka refuzuar thirrjen islame. Po ashtu, Allahu e gjykon edhe atë mosbesimtar të cilit nuk i është përcjellur thirrja islame sipas këtij statusi. Pra secilin prej tyre Allahu e gjykon sipas peshores së vet. E nëse fjala “peshore” përmendet në Kuran në numrin njëjës ajo nënkupton “peshoren” në numrin njëjës dhe “peshoret” në numrin shumës.

Çdo dispozitë fetare ka peshën e saj.

Çdo veprim i kryer nga individi përgjegjës ka peshën e tij.

Çdo person ka peshën e tij.

Çdo kohë ka peshën e saj.

Çdo vend ka peshën e tij.

Pesha e mëkateve të kryera nga dijetarët që janë shembull dhe model është më e rëndë se ajo e masës së gjerë të njerëzve. Adhurimi i kryer në muajin e Ramazanit apo në Qabe rëndon më shumë se ai adhurim që kryhet në një kohë apo vend tjetër.

Norma dhe rregulla metodike

Nëse një gjëje nuk i jep peshën e vet, atëherë peshoja do të ç’ekuilibrohet dhe si rrjedhojë do të kemi ç’ekuilibrim të vendimit dhe rezultatit.

Shembuj praktik:

Peshorja e besimit është ndryshe nga peshoja e dispozitave sheriatike. Peshorja e botës së gajbit është ndryshe nga peshorja e botës që shohim. Peshorja e adhurimeve është ndryshe nga peshorja e zakoneve. Peshorja e xhihadit është ndryshe nga peshorja e thirrjes, paktit dhe bashkëjetesës. E kështu pra çdo gjë ka peshoren e vet në islam. Po ashtu edhe peshorja e lëndëve shkencore është e ndryshme. Peshorja e lëndës së matematikës është ndryshe nga peshorja e lëndës së gjeologjisë. Peshorja e energjisë elektrike është ndryshe nga peshorja e ujit.

Peshorja e parimeve universale është ndryshe nga peshorja e detajeve.

Peshorja e objektivave është ndryshe nga peshorja e mjeteve.

Peshorja e imoralitet është ndryshe nga peshorja e vështrimit apo të vetmisë me gjininë e kundërt.

Peshorja e idhujtarisë është ndryshe nga peshorja e mëkateve të mëdha.

Peshorja e mëkateve të mëdha është ndryshe nga peshorja e mëkateve të vogla.

Peshorja e mëkateve është ndryshe nga peshorja e veprave të papëlqyera (mekruh).

Peshorja e farzit është ndryshe nga peshorja e vaxhibit[1] dhe peshorja e vaxhibit është ndryshe nga peshorja e suneteve, e kështu me rradhë.

Kështu pra, fikhu i peshores është ndryshe nga fikhu i ekuilibrave dhe fikhu i prioriteteve, megjithëse midis tyre ka lidhje të ngushtë. Njohja e këtij lloji të fikhut hap dyert e kuptimit të thellë të Islamit. Pa të do të ndeshemi me pështjellim, çoroditje, padrejtësi dhe arbitraritet.

Nga ana tjetër ne jemi njerëz që jemi krijuar nga Toka dhe si rrjedhojë kemi shumicën e karakteristikave të saj. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të saj është se ajo është çift dhe mbahet mbi dy krahë dhe dy pëllëmbë. Allahu i Madhëruar thotë: “Lavdi i qoftë Atij, i Cili ka krijuar gjithë palët (në çift) e atyre që prodhon toka si dhe nga vetë lloji i tyre dhe nga ato gjëra që ata nuk i dinë.”[2] Prandaj edhe barazpesha e tokës varet nga çifti, madje nga të gjithë komponentët dhe grimcat e saj. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne kemi bërë që në tokë të rritet çdo gjë në përpjestim.”[3] Duke u bazuar tek ajo që cekëm më lart, themi se çdo gjë në tokë është çift dhe njeriu është çift, ndaj të cilit zbriti mesazhi me mendim dualist për këtë univers, i cili kujdeset për t’iu përgjigjur kërkesave të Dynjasë dhe Ahiretit, shpirtit dhe lëndës njëkohësisht, paqes dhe luftës, drejtësisë dhe mirësisë. Duke komentuar ajetin kuranor: “Pasha tekun dhe çiftin”[4] Ibn Abasi (r.a) ka thënë: Tek është vetëm Allahu sepse është Një i vetëm, kurse çdo gjë tjetër përveç Tij është çift.

Prandaj për shkak të këndvështimit vetëm në njërën anë peshoret janë ç’ekuilibruar. Materialistët nuk njohin vetëm se materien në këtë botë, prandaj edhe peshorja e tyre është e ç’ekuilibruar sepse ajo peshon vetëm nga një anë. Si rezultat të kësaj peshore të njëanshme do të kemi mungesë të besimit tek Allahu, Dita Tjetër dhe vlerat shpirtërore që kanë impakt pozitiv. Vendin e tij do ta zërë tirania, të cilën nuk ka besim që ta frenojë, moral dhe as frika nga bota tjetër. Kurse në krahun e kundërt të tyre janë murgjit, peshorja e të cilëve peshon nga ana e shpirtit. Të tillë njerëz mbetën të prapambetur në Dynja duke qenë shumë larg qytetërimit, progresit, zhvillimit, shkencës dhe inovacionit.

Mendimi është thelbi i ç’ekuilibrit dhe ekuilibrit. Nëse peshorja është e ç’ekuilibruar atëherë edhe dy anët e peshores nuk do të jenë të sakta dhe si rrjedhojë edhe pasojat dhe rezultatet do të jenë jo të sakta.

Duke u nisur nga kjo, themi se në ditët e sotme e tërë bota apo pjesa më e madhe e saj po vuan destabilitet në politikë, vizion dhe mendim. Po vuan nga terrorizmi intelektual dhe shkencor që paralajmëron të keqen e përhapur në mënyrë tragjike në shumicën e shteteve qofshin ato të zhvilluara apo të prapambetura. Po shohim se asnjë shtet nuk është imun ndaj luftrave, fatkeqësive natyrore, terrorizmit, fobive dhe bombardimeve të cilat derdhin gjakun e mijërave të pafajshmëve, si në Irak, Siri, Jemen, Libi, Palestinë e kudo në për botë.

Shkelja e të drejtave të njeriut, agresioni ndaj sigurisë së qytetarëve, vrasjet dhe shkatërrimet nuk kufizohen vetëm në ato zona ku zhvillohet luftë, por ato ndodhin kudo nëpër botë. E tërë bota e është dëshmitare e racizmit dhe gjenocidit që një pjesë e vendeve demokratike dhe Zionistët po ushtronjë kundrejt palestinezëve, Kudsit, Bregut Perëndimor dhe Gazës.

Po ashtu ne jemi dëshmitarë të spastrimit etnik dhe atij fetar që po ndodh në Mianmar (Burma) ndaj popullit më të shtypur në botë – sipas Kombeve të Bashkuara – prej budistëve. Ky popull është i ekspozuar ndaj gjenocidit dhe eksodit masiv brenda vendit të tij. Ata që arrijnë të shpëtojnë nga ky ferr janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të vdekjes, urisë, nderit dhe shitblerjes së organeve nga sekserët e krimit të organizuar. E njëjta gjë ndodh edhe me vëllezërit tanë ujgurë në Kinë.

Po ashtu ne jemi dëshmitarë të krimit të organizuar që ndodh ndaj muslimanëve në Afrikën Qëndrore dhe përpjekjen e të krishterëve për t’i eleminuar ata përmes vrasjeve, djegieve dhe eksodit masiv. Ashtu siç kemi qenë dëshmitarë dhe nuk i harrojmë krimet e serbëve ndaj muslimanëve në Ballkan.

Në krahun e kundërt të kësaj, ne hasim në grupe ekstremiste si ISIS të cilët përhapin terror dhe bomabardojnë në emër të Islamit. Nuk ka dyshim se kjo organizatë është vite dritë larg nga mëshira, morali dhe vlerat që përcjell Islami.

Gjuha e dhunës, shkatërrimit dhe eksodit masiv ka zënë vendin e gjuhës së dialogut dhe bindjes me argumente. Gjuha e forcës ka zënë vendin e gjuhës së logjikës. Gjuha e luftës, terrorit dhe frikës ka zënë vendin e gjuhës së tolerancës, paqes, mirëkuptimit dhe gjithçkaje që është në dobi të njeriut.

Nuk ka dyshim se të gjitha këto probleme, zënka dhe luftëra kanë çuar në një gjendje paniku, ankthi dhe destabilitet politik, ekonomik dhe social. Më tepër se 35% e popullsisë së botës po vuan nga ankthi, stresi psikologjik dhe boshllëku shpirtëror për shkak të dominimit të materies mbi shpirtin.

Përveç asaj që kam cekur më lart, sot, bota po vuan shumë nga idetë nazizte dhe raciste. Kudo nëpër botë është përhapur gjuha e urrejtjes dhe estremizmit. Shkak i kësaj në mënryë të drejtpërdrejtë është se midis njerëzve të feve qiellore mungon vullneti për të bashkëpunuar për t’i zgjidhur këto probleme dhe për të rënë në një përfundim të mirë për të gjithë. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: o ithtarë të Librit! Ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut. Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut.”[5]

Pavarësisht asaj që po ndodh, të gjithë fetë qiellore e refuzojnë njëzëri racizmin, shovinizmin, dhunën fizike, psikologjike e shpirtërore, dëmin dhe shtypjen e të drejtave të njeriut të cilat janë dhuratë prej Allahut.

Kështu që të gjithë neve ithtarë të feve qiellore na del për detyrë që të biem dakord që t’i bëjmë ballë racizmit dhe terrorizmit, cilido qoftë burimi i tij. Racizmi është kundra njerëzimit, prandaj është detyrë refuzimi dhe lufta kundra tij. Kurse përsa i përket terrorizmit, në realitet, ai nuk i përket asnjë feje, sepse atë e kanë prodhuar shërbimet sekrete ndërkombëtare dhe lokale. E kemi parë terrorizmin të manifestohet tek ortodoksët serbë, katolikët në Afrikën e Veriut, budistët e hindusët në Miamar dhe Indi dhe tek grupet esktreme islame.

Prandaj ne dijetarët e kemi për detyrë që t’i shpjegojmë njerëzve sa më poshtë:

Terrorizmi nuk ka fe dhe si rrjedhojë asnjë fe nuk duhet të mbajë përgjegjësi për të apo të akuzohet.

E vërteta e organizatave terroriste duhet t’i bëhet e qartë njerëzve. Duhet t’i bëhet e qartë se liderët e këtyre organzitave janë të infiltruar nga shërbimet sekrete ndërkombëtare dhe lokale, kurse të rinjë që i ndjekin ata nuk janë veçse lënda djegëse dhe viktima. Kjo është arsyeja përse ne e kemi për detyrë që t’u tregojmë njerëzve të vërtetën e tyre.

Udhëheqësit e çdo feje duhet të kordinojnë me njëri-tjetrin për të zbuluar rreziqet që sjell terrorizmi, se sa larg mësimeve të fesë ëstë ai, të tregojnë të Vërtetat e fesë dhe se vrasjen e të pafajshmëve nuk ka fe, ndërgjegje njerëzore dhe ligj që ta lejojë.

Të gjithë ne duhet të përpiqemi maksimalisht që zhdukim motivet që të shpien në terrorizëm, si padrejtësinë, tiraninë, varfërinë dhe papunësinë. Ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm duke e kuruar këtë fenomen negativ vetëm në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, por ajo që është më e rëndësishme është kurimi i saj në aspketin fetar dhe intelektual. Në një proverb arab thuhet: Vetëm hekuri e mpreh hekurin dhe idenë nuk e zhvillon vetëm se ideja.

Përvoja ka treguar se kurimi i një ideje ekstremiste me një ide tjetër ekstremiste është i destinuar të dështojë. Për shembull një ide ekstremiste fetare nuk mund të kurohet nga një ide laike.

Po ashtu në krahun tjetër ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për prezencën e një rizgjimi të madh islam në mbarë botën islame. Kështu që ne nuk duhet që ta shuajmë atë, por përkundrazi duhet të orientojmë dhe t’i përkrahim organizatat e ndryshme për të mbushur këtë boshllëk, se përndryshe e gjithë zona do të marrë flakë më shumë.

Është mëse i ditur fakti se të gjithë këto organizata terroriste e ulën ndjeshëm aktivitetin e tyre në kohën kur u shfaq pranvera arabe në Tunizi, Egjipt dhe në vende të tjera. Mirëpo me shtypjen që iu bë pranverës arabe, aktiviteti i organizatave terroriste erdhi në rritje, madje ekstremizmi i ISIS-it ishte shumë herë më i madh se ai i Al-Kaedas.

Ne sot gjendemi në udhëkryq: Krizat globale me të gjitha format e tyre sa vijnë e do të përshkallëzohen ose intelektualët dhe të mençurit do të bashkëpunojnë me njëri – tjetrin për të zgjidhur këto probleme me maturi, dialog dhe bisedime. Një ide e gabuar kurohet me idenë e saktë dhe zgjidhjen rrënjësore të problemeve. Madje zgjidhja rrënjësore e vërtetë bëhet nëpërmjet reformimit të sistemit politik duke i lënë muslimanët të lirë për të zgjedhur liderët e tyre. Liderët e tyre duhet të jenë njerëz të cilët i udhëheqin njerëzit dhe në qendër të vëmendjes kanë Allahun e Madhëruar, larg korrupsionit financiar, adminstrativ dhe social. Dhe jo vetëm kaq, por ata e luftojnë kurrupsionin përmes pushtetit apo një mbikqyrje efektive. Dhe vetëm pasi të arrihet kjo pasuria e popullit do të ndahet në dobi dhe interes të tyre. Vetëm pasi kjo të realizohet dhe nëse ka një plan gjithëpërfshirës të zhvillimit, vetëm atëherë do të zhduket varfëria dhe papunësia, ose të paktën ndikimi i tyre do të zvogëlohet ndjeshëm. Padyshim që kjo situatë do të ndikojë në tharjen e burimeve të terrorizmit dhe do t’i japë zgjidhje përfundimtare njëherë e mirë çështjes palestineze, e cila është burimi kryesor i zemërimit të popujve arabë dhe atij musliman. Terrori dhe gjenocidi i pashembullt i shtetit Zionist në tokat e pushtuara është burimi i terrorizmit në botën islame.

Prishja e peshores tek të tillë njerëz:

ISIS-i e prishi peshoren e sheriatit qysh në çastin kur e kufizoi Islamin vetëm tek çështja e luftës. Ata u fokusuan vetëm tek disa ajete që flasin për luftën, të cilët disa i kanë quajtur ajeti i shpatës, i cili ka shfuqizuar 124 ajete të paqes. Sakaq të gjitha këto ajete që flasin për luftën qëndrojnë në njërën anë të peshores për të parandaluar agresionin, kurse në krahun tjetër të peshores qëndrojnë ajetet që urdhërojnë për t’u sjellur mirë dhe butë me jobesimtarët. E kjo peshore quhet peshorja e paqes, ftesës dhe bashkëjetesës.

Kurse nga ana tjetër janë ata jomuslimanë racistë që jo vetëm që kanë prishur peshoren e humanizmit, por përveç kësaj kanë prishur peshoren e besimit, moralit dhe vlerave.

Autor: Ali Qaradaghi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Në medh’hebbin Hanefi ka dallim midis Farzit dhe Vaxhibit, kurse në medh’hebet e tjera Farzi dhe Vaxhibi konsiderohen në një nivel.

[2] – Sure Jasin: 36.

[3] – Sure Hixhr: 19.

[4] – Sure Fexhr: 3.

[5] – Sure Ali Imran: 64.

Exit mobile version