Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, u takua në Ankara me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock.
Fidan gjatë takimit tha se Ankaraja pret që Gjermania të jetë një lojtar kyç brenda Bashkimit Evropian në ringjalljen e marrëdhënieve Türkiye-BE.
Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme turke, Fidan theksoi rëndësinë e vendosjes së sigurisë dhe stabilitetit në Siri duke mbështetur integritetin territorial dhe unitetin politik të vendit.
Fidan theksoi rëndësinë e drejtimit të procesit të tranzicionit në Siri në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke respektuar pakicat dhe duke siguruar kthime vullnetare dhe të sigurta.
Ai mbështeti gjithashtu miratimin e një qasjeje konstruktive ndaj rindërtimit të Sirisë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta sigurojë mbështetjen e nevojshme për këto përpjekje.
Ministri përsëriti qëndrimin e Türkiyes për mbrojtjen e të gjitha pakicave në Siri dhe kritikoi nocionin se PKK/YPG-ja përfaqëson kurdët sirianë si një “keqkuptim”.
Mesazh kundër shfrytëzimit të situatës nga grupet terroriste
Fidan para kryediplomates gjermane theksoi se grupet terroriste si PKK/YPG-ja dhe DEASh-i “nuk duhet lejuar” të shfrytëzojnë situatën në Siri. Ai nënvizoi domosdoshmërinë që PKK/YPG-ja të braktisë armët dhe të shpërbëhet.
Ai shtoi se ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë kërkon eliminimin e të gjithë elementëve terroristë, përfshirë PKK/YPG-në. Ai gjithashtu theksoi se Türkiye pret që të gjithë aleatët t’i respektojnë shqetësimet e saj të sigurisë.
Fidan bëri thirrje për zhvillimin e alternativave për menaxhimin e kampeve dhe burgjeve ku strehohen anëtarët e DEASh-it dhe u kërkoi vendeve të treta të pranojnë qytetarët e tyre të ndaluar dhe familjet e tyre që aktualisht ndodhen në Siri.
Çështja palestineze, lufta Rusi-Ukrainë
Ministri Fidan bëri thirrje për t’i dhënë fund gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të punojë së bashku për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe ndihmë të pandërprerë humanitare për rajonin.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Türkiyes për negociatat për të sjellë “fundin e përhershëm” të luftës Rusi-Ukrainë.
Duke theksuar një mundësi historike për paqen midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Fidan u bëri thirrje palëve të treta që ta inkurajojnë procesin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Gjatë vizitës së saj në Türkiye, Baerbock shoqërohet nga Tobias Lindner, ministër i shtetit dhe koordinatori special i Ministrisë së Jashtme për Sirinë.
Në një takim të ndarë, Fidan priti Tom Fletcher, nënsekretarin e përgjithshëm të OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatorin e ndihmës emergjente.