Fidan: Presim ShBA-ja t’i zgjidhë çështjet dypalëshe të bartura nga Biden

Kryediplomati turk Hakan Fidan u shpreh se vendi i tij pret që administrata e re amerikane t’i trajtojë çështjet problematike që burojnë nga veprimet e administratës së mëparshme dhe ta realizojë plotësisht bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ne presim që administrata e re t’i zgjidhë çështjet problematike, veçanërisht sanksionet si ato në kuadër të CAATSA-s, të cilat u bartën nga administrata e mëparshme, dhe ta zhbllokojë potencialin e plotë të bashkëpunimit midis Türkiyes dhe ShBA-së”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me shefen e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila po qëndron në vizitë në Ankara.

Ankaraja pret ndryshime në politikat e ShBA-së ndaj rajonit dhe Türkiyes pas ndryshimit të administratës, tha Fidan, por shtoi se të dyja vendet gëzojnë “marrëdhënie shtet-me-shtet, marrëdhënie strategjike, si dhe se pritshmëritë nuk varen nga partia në pushtet dhe ideologjia”.

Fidan tha se pikat kryesore përfshijnë shqetësimin për sigurinë e njëri-tjetrit, avancimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe bashkëpunimin për të zgjidhur çështjet rajonale që shqetësojnë Türkiyen.

Ai vuri në dukje mungesën e “ndjeshmërisë së duhur” ndaj shqetësimeve të sigurisë së Türkiyes, veçanërisht në Siri dhe Irak, dhe veprime të gabuara që çuan në ulje të besimit dhe tensione.

“Ndonjëherë, ne mund të shohim se politika në ShBA ka mbajtur peng disa dimensione të marrëdhënieve Türkiye-ShBA. Ky është një realitet i jetës. Ne do ta tejkalojmë këtë dhe do të vazhdojmë në rrugën tonë”, shtoi ai.

Marrëdhëniet Türkiye-BE

Anëtarësimi i Türkiyes në BE është një “qëllim strategjik”, tha Fidan, duke theksuar nevojën që Brukseli të paraqesë një vizion të ri për anëtarësimin.

Kryediplomati turk tha se disa vende në BE e kishin përdorur çështjen e anëtarësimit të Türkiyes si një mjet për të çuar përpara agjendat e brendshme, gjë që bëri që Türkiye dhe BE të përballen me “humbje të caktuara gjeostrategjike”.

Fidan tha se zhvillimet e fundit në arenën globale dhe në rajon kanë theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes Ankarasë dhe BE-së, duke argumentuar se adoptimi i një qasjeje të paanshme, realiste dhe të bazuar në merita ndaj Türkiyes do të ishte në interesin më të mirë të të dyja palëve.

“Ne për ca kohë kemi diskutuar me BE-në për rinisjen e Dialogut Ekonomik të Nivelit të Lartë Türkiye-BE dhe rifillimin e aktiviteteve të Bankës Evropiane të Investimeve në vendin tonë”, tha Fidan, duke përsëritur thirrjen e Ankarasë që këto vendime të zbatohen me shpejtësi dhe të hiqen “sa më shpejt të jetë e mundur” të gjitha masat kufizuese ndaj Ankarasë.

“Në këtë frymë, ne presim që BE-ja ta tregojë vullnetin e nevojshëm për t’i rifilluar takimet e Dialogut të Lartë Politik dhe Sektorial dhe mbledhjet e Këshillit të Asociimit. Ne gjithashtu duhet të përdorim plotësisht mekanizmat e vendosur të konsultimit”, shtoi ai.

Fidan bëri thirrje që negociatat për përditësimin e Unionit Doganor të nisin pa vonesë, si dhe për përparim në dialogun për liberalizimin e vizave.

Ai bëri thirrje që bashkëpunimi për migracionin të përditësohet bazuar në realitetet e reja, me një shpërndarje të drejtë të barrës dhe përgjegjësive.

Çështjet rajonale dhe globale

Në takimin me Kallasin u trajtuan edhe zhvillimet rajonale, tha Fidan, duke shtuar se diplomacia është e vetmja zgjidhje për një paqe të përhershme dhe të drejtë në Ukrainë.

Lidhur me sitatën në Gaza, Fidan i kërkoi Izraelit që të respektojë plotësisht armëpushimin, duke theksuar përgjegjësinë e komunitetit global në këtë drejtim.

Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që ta ketë një prioritet dërgimin e ndihmave humanitare dhe rindërtimin e enklavës, tashmë të rrënuar.

Sa i përket Sirisë, Fidan tha se ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për transformimin e vendit të shkatërruar nga lufta në një vend të sigurt, të qëndrueshëm dhe të begatë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një marrëdhënie të ngushtë me administratën e re për mirëqenien e popullit të saj.

Duke riafirmuar dëshirën e Ankarasë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, Fidan shprehu vendosmërinë e Türkiyes për ta vazhduar mbështetjen e saj për strukturën e re dhe luftën e saj kundër terrorizmit.

“Lufta kundër terrorizmit në Siri, përfshirë PKK-në dhe DEASh-in, tani është përgjegjësi e administratës së re. Ne jemi të gatshëm ta ofrojmë mbështetjen tonë. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të mbështesim administratën e re në menaxhimin e kampeve në Sirinë verilindore. Në këtë drejtim, pritshmëria jonë e drejtë nga të gjithë partnerët tanë është që t’u japin fund marrëdhënieve të tyre me degët e PKK-së në Siri”, tha Fidan.