Fidan i Turqisë kritikon SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen ndaj Izraelit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se shumica e vendeve në botë janë kundër luftës së Izraelit në Gaza, por sipas tij, “ky gjenocid” nuk do të përfundojë për sa kohë që SHBA-ja dhe Europa vazhdojnë të mbështesin Izraelin.

“Deri më tani, vazhdimi i gjenocidit aktual është bërë i mundur përmes mbështetjes amerikane, veçanërisht për shkak të politikave të nisura gjatë mandatit të [ish-presidentit amerikan Joe] Biden,” tha ai të dielën, sipas agjencisë Anadolu.

Ai vlerësoi rolin e Trump-it në arritjen e armëpushimit të përkohshëm në janar dhe shprehu shpresën se, për sa kohë që presidenti aktual amerikan të mbetet në detyrë, “do të ndërmerren hapa për të arritur paqe të qëndrueshme”.

“Gjithë qarqet diplomatike janë të një mendimi: administrata e re në SHBA ka nevojë për më shumë informim dhe rreziqet e kësaj lufte duhet të shpjegohen më mirë,” shtoi ai.

Ministri tha se po punohet për të ndërmarrë veprime ndaj Izraelit, por theksoi se për sa kohë mbështetja nga SHBA-ja dhe Europa – ku përqendrohet kapitali dhe fuqia politike – vazhdon, “është e qartë se ky krim kundër njerëzimit, ky gjenocid, nuk do të ndalet”.

Ai paralajmëroi se kjo situatë do të ketë pasoja për rendin ndërkombëtar, jo vetëm në afat të shkurtër, por edhe në atë të gjatë. /mesazhi