Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Fidan: Elementët e armatosur të përfshirë në akte terroriste në Siri duhet...

Fidan: Elementët e armatosur të përfshirë në akte terroriste në Siri duhet të përjashtohen nga ekuacioni

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se elementët e armatosur të përfshirë në akte terroriste në Siri duhet të përjashtohen nga ekuacioni, transmeton Anadolu.

“Është thelbësore që të gjithë elementët e armatosur të përfshirë në akte terroriste në Siri të përjashtohen nga ekuacioni dhe njerëzit të kthehen në jetën normale”, tha Fidan duke folur për kanalin turk TV100.

“Këshilla jonë për qeverinë e re siriane është t’u japë kurdëve sirianë të drejtat e tyre,” tha Fidan, duke shtuar se “kjo është shumë e rëndësishme” për presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe Türkiyen.

“Nuk besojmë se është bërë ndonjëherë ndonjë lëshim (për SDF-në) në lidhje me përpjekjet për autonomi ose vetëqeverisje” në Siri, tha kryediplomati turk, duke iu referuar grupit të udhëhequr nga YPG/PYD-ja.

YPG/PYD-ja, e cila përdor gjithashtu emrin SDF, është dega siriane e PKK-së.

“Thirrja e bërë ndaj grupit terrorist (PKK) duhet të merret parasysh, të shihet si mundësi historike…PKK-ja duhet ta marrë këtë si bazë, të fillojë procesin për t’u shpërbërë”, shtoi Fidan.

Kreu i burgosur terrorist i PKK-së, Abdullah Ocalan, më 27 shkurt bëri thirrje për shpërbërjen e PKK-së dhe të gjitha grupeve nën të, duke kërkuar t’i jepet fund fushatës së saj terroriste që ka zgjatur mbi 40 vjet.

Ministri i Jashtëm turk tha se nëse PKK-ja e shfrytëzon këtë dritare mundësie, ajo do të hapet për Türkiyen dhe rajonin.

“Nëse të tjerët ua lëkundin mendjen, kjo u takon atyre; ne jemi gati për çdo skenar”, tha ai.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë dhe përpjekjet e fundit për procesin e paqes midis dy vendeve, Fidan deklaroi: “Fillimi i luftës në Ukrainë ndau palët, edhe fundi i saj po i ndan”.

Ankaraja, që në fillim, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare midis Rusisë dhe Ukrainës përmes negociatave. Kjo qasje tani është miratuar nga SHBA-ja nën presidentin Donald Trump, tha Fidan.

Ministri i Jashtëm turk tha se një grup i përbërë nga Britania, disa vende evropiane dhe Türkiye mund të krijojë potencialisht sferën e vet të ndikimit në rajon.

“Është shumë e mundur që një strukturë që përfshin Britaninë, disa vende evropiane dhe Türkiyen të krijojë qendrën e saj të tërheqjes në rajon”, u shpreh ndër të tjera Hakan Fidan.

Exit mobile version