FIBA e ka gjobitur Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për shkak se ‘Dardanët’ kanë fërshëllyer himni e Maqedonisë
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) përmes faqes zyrtare ka konfirmuar se është gjobitur për shkak të fishkëllimit të himnit maqedonas nga ana e tifozëve gjatë përballjes Kosovë – Maqedoni në para-kualifikimet e Botërorit
Më poshtë keni postimin e plotë të FBK-së:
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është njoftuar zyrtarisht nga FIBA se është ndëshkuar me të holla për ndeshjen Kosovë-Maqedoni, e cila i ka takuar Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
“Ju informojmë se FIBA e ka ndëshkuar Federatën tuaj nacionale për shkak të sjelljeve josportive të tifozëve të Kosovës- ‘Gjatë intonimit të himnit të Maqedonisë, spektatorët kanë bërtitur dhe kanë kënduar aq sa himni nuk mund të dëgjohej më’ në ndeshjen e 2 gushtit”, thuhet në njoftimin e dërguar nga FIBA.
Duhet theksuar se me Rregullore të garave të FIBA-s nuk tolerohen gjëra të tilla në asnjë ndeshje që organizohet në kuadër të këtij institucioni dhe për çdo veprim josportiv të individëve, grupeve, pasojnë ndëshkimet në të holla prej 1,000.00 euro e tutje, për të vazhduar me ndëshkime të tjera edhe më të rënda.
Andaj Federata e Basketbollit e Kosovës apelon tek tifozët e saj që në ndeshjet e radhës të mos bëjnë veprime të tilla, të cilat shkojnë në dëm të FBK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës, jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë sportiv.
FBK falënderon të gjithë spektatorët që kanë qenë në ndeshjen Kosovë-Maqedoni, që edhe kanë qenë lojtari i gjashtë i Përfaqësueses sonë, në fitoren shumë të rëndësishme ndaj Përfaqësueses maqedonase.
Kosova sot është mysafire e Estonisë në ndeshjen e dytë të fazës së parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 17:30 (me kohën e Kosovës) në Tallin të Estonisë.