Federata e Futbollit e Kosovës i është drejtuar UEFA-s lidhur me fyerjet që i janë bërë Kosovës në dy ndeshje të Ligës së Kombeve: Çeki – Shqipëri e Serbi – Zvicër. Ndeshja në Pragë u zhvillua të premten, ndërsa ajo në Leskovc të shtunën.
Në të dy ndeshjet kishte thirrje për Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa u shfaq edhe flamuri serb mbi hartën e Kosovës.
Federata kosovare e futbollit ka dënuar ashpër shfaqjen e këtyre banderolave si dhe thirrjet kundër Kosovës e shqiptarëve në të dy ndeshjet. Thirrjet u bënë nga huliganët çekë e serbë.
“Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh. Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo”, shkruan në reagimin e FFK-së, të publikuar të dielën pasdite në sajtin zyrtar të saj.
FFK-ja ka përgatitur materialin për ankesën zyrtare në Konfederatën Evropiane të Futbollit. Në fakt priten dënime si për federatën çeke ashtu edhe për federatën serbe.
Të shtunën në Leskovc, jo shumë larg Kosovës, thirrjet “Kosova është Serbi” dhe të ngjashme nuk janë ndalur gjatë gjithë ndeshjes. Te Zvicra është paraqitur Granit Xhaka, që është fishkëllyer sidomos në pjesën e parë. Ka pasur fishkëllima të huliganëve serbë edhe gjatë intonimit të himnit të Zvicrës.
Në Pragë, në ndeshjen Çeki – Shqipëri janë shfaqur edhe flamuj shqiptar të kthyer përmbys dhe dy prej tyre të mbuluar me shkronjën X. Për veprimet e huliganëve çekë ka reaguar edhe FSHF-ja, menjëherë pas ndeshjes.
“FFK, si anëtare e barabartë me federatat e shteteve tjera, ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, me dëshmitë e të gjitha shkeljeve e ofendimeve që u bën ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme për të dënuar në mënyrë sa më të ashpër skenat e tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre në të ardhmen. Stadiumet e futbollit duhet të shërbejnë si arena spektakli për tifozët e mirëfilltë e jo si vend për të shpërfaqur irredentizëm, racizëm e ofendime të llojllojshme. FFK mbetet besnike e promovimit të vlerave, respektit e solidaritetit në sport dhe do të angazhohet në çdo nivel që të sigurojë se këto akte do të dënohen nga mekanizmat e futbollit ndërkombëtar”, shkruan tutje në reagimin e FFK-së.
Ditë më parë Federata kosovare u gjobit nga UEFA me plot 61 mijë euro për shkeljet e shumta të bëra në ndeshjen me Rumaninë. Dhjetëra mijëra euro pritet të dënohen edhe federata çeke dhe ajo serbe.