Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk ka raport të auditorit dhe pasqyra financiare për vitin 2022 dhe për vitin 2023.
Raporti financiar për vitin 2023, e po ashtu të dhënat për vitin 2022, janë prezantuar për kuvendarët e FFK-së në prag të Kuvendit të Rregullt të Punës që mbahet të martën.
KOHA e ka siguruar materialin të cilin FFK-ja ua ka dërguar kuvendarëve për kuvend.
Sipas materialit, të hyrat e FFK-së gjatë vitit 2022 ishin 18 milionë e 932 mijë euro. Gjatë vitit 2023 të hyrat janë rritur në 19 milionë e 65 mijë euro.
Të hyrat më të mëdha FFK-ja i ka nga UEFA. Konfederata Evropiane ndau në vitin 2022 për FFK-në plot 15 milionë e 138 mijë euro. Ndërsa për vitin 2023, UEFA për Federatën kosovare i ndau 15 milionë e 295 mijë euro.
Rritja e të hyrave në krahasim me vitin 2021, është e dukshme. Në raportin e auditorit të publikuar nga FFK-ja për vitin 2021, shkruan se të hyrat ishin 13 milionë e 939 mijë euro.
FFK-ja në vitin e kaluar ishte mbështetur nga FIFA me 1 milion e 633 mijë euro. Gjatë vitit 2022, të hyrat nga FIFA ishin 1,2 milionë euro.
Sipas materialit, FFK-ja ka edhe burime tjera të të hyrave financiare. Për shembull, nga sponsorizimet vjet i kishte 126 mijë euro, e nga organizimi i ndeshjeve 320 mijë euro. Nga transmetuesit e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë, FFK-ja ka pasur vjet të hyra prej mbi 1 milion euro.
702 mijë euro i pati nga “ArtMotion”, kurse në vitin 2023 figurojnë dy sponsorë për Ligën e Parë. Nga sponsori i parë, “Viva Fresh”, FFK-ja ka marrë 50 mijë euro, derisa 200 mijë euro nga “Raiffeisen Bank”.
Të hyra nga “aktivitetet e zakonshme” janë 202 mijë euro. 150 mijë euro FFK-ja i kishte subvencione nga MKRS-ja, derisa nga marketingu 184 mijë euro.
Sipas raportit financiar, FFK-ja në total pati 4 milionë e 222 mijë euro shpenzime për paga gjatë vitit 2023. Nga shpenzimet për paga, FFK-ja ka paguar 168 mijë euro për kontributet e punëtorëve.
Në vitin 2022 shpenzimet për paga ishin më të mëdha. 4 milionë e 772 mijë euro pagoi nga buxheti i saj për të punësuarit.
Ndërkohë, ndihma për klubet në vitin 203 ka qenë për 1 milionë e 796 mijë euro më pak. Në vitin 2022 ndihma për klubet ishte 2 milionë e 415 mijë euro, ndërsa në vitin 2023 vetëm 619 mijë euro.
Por janë rritur shpenzimet për akomodim në krahasim me vitin 2022. Për akomodim, FFK-ja shpenzoi vjet 1 milion e 15 mijë euro. Për udhëtime shpenzoi 757 mijë euro, kurse shpenzime për përfaqësuesen e futbollit ishin 155 mijë e 870 euro.
Shpenzimet për përfaqësim juridik i kishte 111 mijë euro, kurse shpenzime të evidentuara “për ndihmë humanitare” 183 mijë e 500 euro.
Shpenzimet për shpedicion i pati shumë më të mëdha në vitin 2023 se në vitin 2022. Në vitin 2022 shpenzoi 17 mijë e 758 euro, kurse vitin e kaluar 49 mijë e 268 euro. Sigurimi i objektit, FFK-së i kushtoi 15 mijë e 703 euro në vitin 2023.
FFK-ja pati edhe shpenzime të tjera. Për ndihmë klubeve për infrastrukturë shpenzoi 735 mijë euro.
6,7 milionë janë të evidentuara si “shpenzime të UEFA-s”, që me shumë mundësi kanë shkuar për klubet.
Gjithsej shpenzimet në vitin 2023 ishin 18,3 milionë. Dhe kështu FFK-së i mbetën 731 mijë euro në fund të vitit.
Për investime në selinë e saj, FFK-ja shpenzoi 95 mijë euro, kurse për mirëmbajtje të stadiumit “Fadil Vokrri” shpenzoi 104 mijë euro.
Si investim për mirëmbajtje në fushat me bari sintetik, FFK-ja pati shpenzime prej 388 mijë eurosh.
Shpenzime të administratës i pati 203 mijë e 901 euro.
FFK-ja ka prezantuar për kuvendarët edhe planin dhe shpenzimet e planifikuara për vitin 2024. Sipas raporti, gjithsej shpenzimet e planifikuara janë 20 milionë e 864 mijë euro.
FFK-ja do të përfitoj këtë vit më pak nga UEFA. 11 milionë e 950 mijë euro raportohet se do të përfitoj nga UEFA, derisa nga FIFA përfiton këtë vit 3 milionë e 200 mijë euro, më shumë se në vitin e kaluar. Nga sponsorizimi planifikohen të hyra prej 995 mijë eurosh.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Klikoni këtu nëse dëshironi t’i lexoni lajmet e fundit dhe të përzgjedhura në kanalin tonë zyrtar në Viber
Nga Faton Polisi
Faton Polisi
19 shkurt 2024, 23:03