Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se është ankuar në FIFA, pas fyerjeve dhe thirrjeve raciste të trajnerit dhe tifozëve serbë ndaj shqiptarëve.
FFK-ja njoftoi të dielën se po kërkon hetim të rastit dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, derisa thirrjet e serbëve i cilësoi fashiste, duke kërkuar që ato të mbesin larg stadiumeve.
“Shfaqja e sloganeve me mesazhe politike dhe thirrjet raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan po thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe për to raportuan edhe mediat botërore. Është e pakuptimtë dhe absurde urrejtja me të cilën është ushqyer ndër vite opinioni në shtetin fqinj ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në vend se të angazhoheshin për dorën e pajtimit dhe të kërkim faljes. FFK-ja ka parashtruar ankesë me dëshmitë e nevojshme në FIFA edhe për këtë rast, pak ditë pas ankesës lidhur me shfaqjen e pankartës në zhveshtoren e Përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin ‘S’ka dorëzim’”, thuhet në komunikatë.
FFK-ja shtoi se thirjret e tifozëve serbë në Kupën e Botës në Katar, nuk mund të kuptohen dhe të arsyetohen, “sidomos tani kur Evropa po kërcënohet nga situata e brishtë e sigurisë si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”.
“Federata e Futbollit të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit të vendit dhe popullit të saj, por njëherësh edhe në mbrojtje të vlerave që përçon futbolli në përgjithësi, e që janë uniteti mes njerëzve, shpresa, gëzimi dhe pasioni për gjithëpërfshirje. Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori Katari 2022”, thuhet tutje.