Ballina Lajmet Kosovë FFK-ja ankohet në CAS për vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani –...

FFK-ja ankohet në CAS për vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se tashmë i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) lidhur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë, të zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht.

Ndeshja ishte ndërprerë në minutat shtesë kur rezultati ishte 0:0. Pas një acarimi në fushë të lojtarëve, kishte thirrje “Serbia, Serbia” nga tifozë rumunë. Lojtarët e Kosovës lëshuan fushën, ndërsa disa prej tyre bënë veprime josportive ndaj tifozëve rumunë derisa po largoheshin. Ndonëse arbitri kërkoi që lojtarët të kthehen në fushë, te Kosova e refuzuan këtë. Arbitri dhe lojtarët e Rumanisë u kthyen në fushë rreth një orë më pas dhe arbitri dha shenjë për fundin e ndeshjes.

Apeli i UEFA-s e ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë me rezultat 3:0 në të mirë të Rumanisë. E ka gjobitur Rumaninë me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme, por ka vlerësuar se Kosova e braktisi ndeshjen. FFK-ja u gjobit me 6000 euro për faktin se pesë lojtarë të Kosovës morën kartonë të verdhë.

Federata rumune dy ditë më parë njoftoi se i i është drejtuar CAS-it për gjobën prej 128 mijë eurove dhe dënimin për zhvillimin e ndeshjes së ardhshme të Rumanisë pa shikues.

Dhe tani FFK-ja ka njoftuar se i drejtohet CAS-it. Ndonëse FFK-ja nuk ka njoftuar se çka do të kërkojë, pritet që të atakojë vendimin e UEFA-s për ta regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë.

“FFK-ja përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesisht nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar. Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS do të marrë vendim të drejtë e meritor”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Në të vërtetë gjasat që në CAS të rrëzohet vendimi i UEFA-s për regjistrim të ndeshjes me rezultat zyrtar, nuk vlerësohen shumë të mëdha. Ka shumë rrethana që shkojnë në disfavor të Kosovës, sidomos kërkesa e arbitrit që lojtarët të kthehen në fushë duke konsideruar që ka kushte për lojë.

Exit mobile version