Ballina Artikuj Fetvatë dhe roli i tyre i ndjeshëm në shoqëritë islame

Fetvatë dhe roli i tyre i ndjeshëm në shoqëritë islame

Në një hulumtim referues rreth domethënies dhe konceptimit të fetvasë si nocion juridik islam, do të vërejmë se kemi të bëjmë me një çështje tejet delikate, tejet të ndjeshme dhe natyrshëm pastaj që marrja me të konsiderohet prej misioneve më të vështira te myslimanët. Me të nuk kishin guximin që të merreshin përpos një kategorie të ngushtë të dijetarëve eminentë.

Fetvaja, pavarësisht divergjencave që mund të kenë dijetarët eminentë në përkufizimin e saj si koncept, megjithatë ata në shumicë pajtohen se është: “artikulim i një norme juridike islame, të cilën e kumton myftiu te njerëzit, duke ia atribuuar atë normë Ligjvënësit Suprem-Allahut”.(1)

Ndjeshmëria e pozitës së atij që merret me dhënie të fetvave

Myftiu është personi që kur bën nxjerrjen dhe kumtimin e fetvasë, ai në fakt, flet në emër të Allahut dhe në emër të qëndrimeve të Tij. Ai në të njëjtën kohë zëvendëson Pejgamberin s.a.v.s. në misionin e tij për të dhënë përgjigje lidhur me të gjitha çështjet që do të pyesin pasuesit e ymmetit të tij. Dijetari i mirënjohur Ibn Saiah-u, kur fliste për myftiun theksonte:
“Ai e bën nënshkrimin e gjykimit në emër të Allahut.(2) Thënë më saktë, dijetari që merret me nxjerrje ose dhënie të fetvave ose llogaritet kumtues dhe komunikues decidiv i vendimeve të Allahut, atëherë kur ai bën kumtimin e normës dhe transmetimin e saj drejtpërdrejt prej burimeve hyjnore të legjislacionit islam (Kuran dhe Sunet), pa pasur nevojë për ndonjë hulumtim konkludues, ose në rastin tjetër mund të jetë vetë në një farë forme artikulues dhe përpilues i vendimit sheriatik, nëse fetvanë e tij e ka nxjerrë pas hulumtimit dhe qasjes së thellë analitike në burimet sheriatike islame. Në të dy rastet, tek e fundit, ai flet në emër të Ligjvënësit Suprem.
Duke qenë se fetvaja ishte dhe vazhdon të mbetet në këtë shkallë të lartë të ndjeshmërisë, çdo periudhë kohore të historisë islame, qysh nga ajo e sahabëve e deri më sot, më të janë marrë një numër i vogël i dijetarëve. Njerëzit jokompetentë nuk i rrekeshin kësaj çështjeje, madje, thënë më drejtë, edhe po të dëshironin, atyre nuk do t’u lejohej një gjë e tillë. Sigurisht se të tillët frikësoheshin nga barra e rëndë e një misioni të tillë, për të cilin gjenin kërcënime të ashpra në Kuran, kuptohet, nëse do t’i qaseshin me jokompetencë . Ekskluzivisht rreth kësaj çështjeje flasin ajetet si në vijim:
“Mos theksoni me gjuhët tuaja rrejshëm: “kjo është e lejuar e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me të vërtetë, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Do të kenë kënaqësi të shkurtër, por, për ta do të ketë dënim të dhembshur”. (En Nahl, 115-116).
Imam Kurtubiu në kontekst të komentimit të këtij ajeti thekson fjalët e dijetarit të hershëm El Eameshit i cili thoshte: “kurrë nuk e kam dëgjuar Ibrahim En Nehaiun të ketë thënë: kjo është hallall- e lejuar ose kjo është haram-e ndaluar, por gjithnjë thoshte: dijetarët e mëhershëm e pëlqenin këtë gjë ose dijetarët e mëhershëm e urrenin atë”.(3)
Siç vërehet, kujdesi ishte i shtuar në përdorim të shprehjeve hallall, haram e të ngjashme, të cilat tingëllonin dhe në realitet janë artikulim i qëndrimeve hyjnore të Zotit karshi veprave të njerëzve. Andaj shumë prej dijetarëve të mëhershëm vërejmë se kur pyeteshin rreth ndonjë çështjeje, përdornin shprehjet si: “kjo nuk më pëlqen” ,” këtë e dua më shumë”, “kjo do të duhej të bëhej” e të ngjashme, për të treguar se në fakt, ato, ani pse mbështeten në argumente hyjnore, mbeten prapë opinione individuale të një personi, që mund të jenë të sakta, por edhe të gabuara.
Ishte tejet i drejtpërdrejtë Ubu Bekër Es Siddiku r.a., i cili, kur u pyet për një çështje të trashëgimisë, tha:” Cili qiell do të mbulonte e cila tokë do të më mbante, nëse do të flisja rreth Librit të Allahut pa dijeni?! Kah do t’ ia mbaja unë nëse do të komentoja ndonjë ajet ndryshe nga ç’ dëshiron Allahu”.(4)
Kujdesi ishte në nivel të lartë sa i përket marrjes ose dhënies së fetvave, ngase dihet botërisht se dijetarët eminentë e të mirëfilltë në shoqëritë islame gjithnjë kanë qenë promotorë dhe referencë e popujve myslimanë. Ata gëzonin kredibilitet të lartë dhe fjalët e tyre kishin peshë në zemrat e njerëzve. Por një gjë duhet dalluar saktësisht se brezat e mëhershëm të islamit, ekskluzivisht ata breza të përshkruar nga gjuha profetike si brezat më të mirë (sahabët-tabiinët-tabii tabiinët), ishin në një nivel të lartë të vetëdijes dhe ishin në gjendje të dallonin saktësisht se cili prej tyre meritonte epitetin dijetar, dhe cili duhej të merrej si referencë dhe burim kredibil i dhënies së fetvave. Për të qenë dikush prej tyre në nivel të lartë të besueshmërisë duhej marrë bekimi i elitës së dijetarëve me renome, pa të cilin bekim e miratim, fjala e kujtdo do të ishte e pavlerë dhe s’ do të kishte farë ndikimi. Këtë na e vërteton Imam Malik Ibn Enesi kur rrëfen vështirësitë e ngritjes së tij në nivel të dhënies së fetvave, duke thënë:”Unë nuk jam ulur për të dhënë fetva e as për të transmetuar hadithe, derisa kam marrë leje për këtë gjë nga shtatëdhjetë prej dijetarëve të kohës sime”.(5)
S’ka asnjë dilemë se veprimet e shoqërive të mëhershme islame ishin gjithnjë më afër të saktës, veprimet e tyre orientoheshin nga dijetarët të cilët kishin dhënë prova të mjaftueshme se meritojnë të orientojnë intelektin, mendimet dhe veprimet e myslimanëve.
Po ashtu Imam Ebu Hanifeja, Zoti e pastë mëshiruar, bënte realizimin e nxjerrjes së fetvave në formë interesante, gjithsesi akademike në gjuhën e sotshme shkencore. Ai mblidhte nxënësit e tij eminentë, shumë prej të cilëve llogariteshin në rang të lartë të dijetarëve, madje ata qenë të denjë për hulumtime edhe individuale shkencore-ixhtihad, dhe e hidhte çështjen në diskutim. Pas diskutimeve të gjata, merrej vendimi dhe dilte në formë verdikti të prerë që gëzonte pastaj respekt dhe njerëzve u qetësohej shpirti duke vepruar me të.
Në fakt, kjo metodologji që ai e aplikonte, bëri që të llogaritej inovator dhe pararendës i të gjitha atyre këshillave të lartë të fetvave, si dhe i tërë akademive që sot veprojnë gjithandej nëpër botën islame, që tipikisht zbatojnë të njëjtën metodë për të nxjerrë një verdikt sheriatik-fetva, sipas së cilës mund të veprojnë pastaj masat myslimane.
Ky kujdes që i bëhej nxjerrjes së fetvave, kishte arsye të fuqishme, ngase me të tillat fetva do të veprohej edhe pas vdekjes të atyre dijetarëve që vetë i kanë lëshuar ato. E nëse do të ishin të gabuara, efekti dhe dëmi i gabimit të tillë nuk do të mbulohej me dhe në ditën që do të mbulohej trupi i pajetë i dijetarit që e kishte dhënë atë fetva. Në formë të mprehtë e për-shkruan Imam Shatibiu këtë fenomen duke thënë:” Vërtet lëshimi shkencor ose gabimi i dijetarit ndoshta shndërrohet në gabim tejet të madh, anipse ai lëshim mund të jetë shumë i vogël në vetvete …. Kështu shohim se si disa gabime ose mëkatime në të cilat dijetari është pasuar, e vërejmë që edhe pas vdekjes mbetet pasoja e shtrirë gjithandej nëpër botën islame, madje për periudha të gjata kohore. E i lumi ai që kur të vdesë, bashkë me vdekjen e tij i varrosen me të edhe lëshimet ose gabimet e tij”.(6)
Imam Shatibiu, në fakt, me këtë fjali duket se synonte t’i porosiste dhe të ngrinte vetëdijen e dijetarëve të cilët merren si referencë dhe pasohen edhe atëherë kur eventualisht mund të kenë gabuar. Por, në anën tjetër, ai synonte që edhe masat e rëndomta të jenë të kujdesshme e vigjilente, ngase dijetarët të cilët ata po i pasojnë verbërisht, për së gjalli a për së vdekuri, megjithatë edhe ata janë njerëz dhe mund të kenë gabuar.
Fetvaja e dijetarit ose e atij që merret me nxjerrje e saj, në syrin e njeriut të rëndomtë që nuk ka qasje në argumentet sheriatike përbën fuqinë e vetë argumentit. Njeriu i rëndomtë po të kishte mundësi të qasej në argumente, s’do ta pyeste fare dijetarin, andaj përgjigjen e tij ai e llogarit në fuqi të argumentit.
Me argumentet që u shtruan më lart synohet që të qartësohet fakti se nxjerrja e fetvasë mbetet mision tejet i rëndë dhe përgjegjësi e madhe para Allahut, andaj duhet të ketë kujdes ai që e nxjerr atë, por edhe ai që vepron me të.

Prof. Driton Arifi

________________
(1) Usulu Ed Da’ve, Dr. Abdul Kerim Zejdan, (fq.160). Bot i tetë. Boton Err Rrisaletu. Bejrut. 1998.
(2) Edebul Mufti Vel Musteftij, Ibn Salah(124). Bot. i Dy të. Botues Mektebetul UlumVel Hikem. Medinë. 2002.
(3) El Xhami’Li Ahkamil Kur’an, El Kurtubij (10)/175). Bot I pestë. Darul Kitabil Arabij. Bejrut, 2003.
(4) El Muvafekat, Esh Shatibij (667-668). Bot. i parë. Darul Kitabil Arabij. Bejrut. 2002.
(5) El Mudev-venetu El Kubra, Imam Malik bin Enes (1/64). Bot. i parë. Daru El Kutub El Ilimijje. Bejrut,1994.
(6) El Muvafekat, Esh Shatibij (fq.761). Bot. i parë. Darul Kitabil Arabij. Bejrut, 2002.

Exit mobile version