Fetva për ngrirjen dhe konzervimin e mishit të kurbanave, dhe dërgimin e tyre në Ga’za

Dr. Bashkim Aliu

Fetvaja nr.1, në lidhje me ngrirjen e mishit të kurbanave, autorizimin për therjen e kurbanave, dhe dërgimin e tyre në Gaza, e lëshuar nga Komisioni i Ixhtihadit dhe Fetvasë i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë.
Fetvaja nr.1, sesioni 2024-2029, dita e Shtunë, 8 Dhul Ki’ëde 1445h/ 18 Maj 2024.

Pyetja: Edhe ju e dini shumë mirë se bota islame ballafaqohet me kriza të rënda, në krye të të cilave qëndron gjendja në Gaza, e pasohet edhe nga kriza të tjera në vende të ndryshme ku muslimanët janë të shtypur, kriza këto që prodhojnë varfëri dhe mjerim. Duke e parë këtë realitet, shumë organizata dhe institucione humanitare dhe bamirëse e kanë dhënë idenë e projektit të kurbanave të ngrirë. Për këtë, ju drejtohemi juve të nderuar, që të na sqaroni dispozitat juridike islame që kanë të bëjnë me kurbanët e ngrirë, pasi kërkohet mendim fetar për vonimin e distribuimit të mishit të kurbanave deri pas ditëve të bajramit të kurbanit. Kërkohet sqarim se çka duhet të kihet parasysh për projektet e këtilla.
Ju jemi falënderues dhe ju përshëndesim.

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, falënderimi i plotë sinqerisht i takon Allahut të Madhërishëm, përshëndetjet, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Pas diskutimit dhe shqyrtimit të çështjes në fjalë nga anëtarët e komisionit, komisioni vendosi si vijon:
I-Komisioni mendon se kurbani është sunet i fortë (sunetun muekkedetun), siç pohojnë edhe pjesa më e madhe e juristëve islamë, për dallim prej Ebu Hanifes dhe Malikut sipas një transmetimi prej tij, si dhe disa juristëve të tjerë islamë, të cilët janë të mendimit se kurbani është obligim për njerëzit e pasur. (Hanefitët janë të mendimit se kurbani është vaxhib. Me vaxhib aludohet në kuptimin e këtij nocioni në terminologjinë e shkollës juridike Hanefite. B.A.)
Kurbani është rit që Islami e stimulon dhe e thekson vlerën e tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: <<Andaj, ti falu dhe prej kurban për hirë të Zotit tënd!>> [El Kevther: 2].
Për këtë aspekt të kurbanit flasin edhe shumë hadithe. Këtu do ta përmendim hadithin që e ka transmetuar Muslimi, ku qëndron: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka therë kurban dy desh të mëdhenj me brirë. I ka therur ata me dorën e tij, e ka përmendur emrin e Allahut dhe ka thënë:”Allahu ekber”(Allahu është më i madh), dhe e ka vendosur këmbën e tij mbi qafën e tyre”.
Pra, kurbani “është vepra që Allahu më së tepërmi e don ditën e bajramit, do të vijë në ditën e gjykimit në atë mënyrë ashtu edhe si është therur,dhe gjaku i tij do të pranohet, para se të bjerë në tokë. Kurbani është praktika e Ibrahimit, paqja e Allahut qoftë mbi të, pasi Allahu i Madhërishëm ka thënë: <> [EsSaffatë: 107]. Personi i cili ka bërë kurban, për çdo qime të kafshës së bërë kurban, do ta ketë një të mirë. Nuk është e pëlqyeshme që personat të cilët kanë mundësi materiale, të mos therin kurban. Në këtë kohë, nuk ndodh që mjetet materiale të shpenzohen për ndonjë punë të mirë më të vlefshme se sa kurbani. Mirëpo, e gjithë kjo duhet të bëhet me qëllim të zbatimit të praktikës pejgamberike, të zhveshen nga çdo qëllim tjetër jo i mirë, si dhe të jenë në përputhje me urtësinë e legjislacionit islam për kurbanin”. (Esh Sheukani, Nejlul eutar, vëll.V, f.129).
II-Lejohet që të autorizohet dikush tjetër për ta bërë therjen e kurbanit. Ky është qëndrim për të cilin juristët islamë nuk kanë mospajtime, dhe këtë qëndrim e kanë bazuar në fjalët e të Allahut të Madhërishëm: <<… dërgonie njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet…>> [El Kehf: 19]. Po ashtu, janë bazuar edhe në hadithin që e ka shënuar Hakimi në “El Mustedrek”, ku qëndron se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Oj Fatime, shko e shihe kurbanin tënd duke u therur”. Në këtë hadith ka miratim të dispozitës së autorizimit.
Fetarisht është e pëlqyer që personi i cili ka bërë kurban, që të prezantojë personalisht në vendin ku theret kurbani i tij. Nëse një gjë e tillë është jo e mundur, nuk prish punë. Është e lejuar që autorizimi të bëhet në vendin ku është personi i cili bën kurban, apo diku tjetër, varësisht prej përzgjedhjes së tij dhe në përputhje me realizimin e dobisë legale në legjislacionin islam.
Më mirë është që personi i cili ka mundësi, ta ther një kurban në vendin e tij, dhe një tjetër në një vend tjetër. Përndryshe, edhe therja e një kurbani në ndonjë vend, mjafton, varësisht prej mundësive të tij materiale.
III-Komisioni është i mendimit se merret parasysh nijeti (qëllimi) i autorizuesit. Kjo, ngase kurbanin e paguan autorizuesi, dhe me të e ka për qëllim arritjen e kënaqësisë dhe shpërblimit të Allahut të Madhërishëm. Për atë, i autorizuari nuk ka nevojë të bëjë nijet tjetër të veçantë për të, kur do ta ther kurbanin.

IV-Komisioni mendon se lejohet që therja e kurbanave të bëhet në ditën e parë të bajramit të kurbanit, dhe tre ditë të tjera pas tij, siç është ky edhe qëndrimi i Shafi’ijut, Euzaijut dhe disa tabi’inëve (pasardhësve të shokëve të të Dërguarit të Allahut), me çka u lehtësohen gjërat personave të cilët kanë vendosur të therin kurban dhe organizatave të autorizuara për therjen e kurbanave, në veçanti kur kihet parasysh fakti se shumë persona që kanë vendosur të therin kurbana vonohen me pagesën e kurbanave. Në një transmetim qëndron: “Të gjitha ditët e bajramit (katër ditë), janë ditë kur theren kurbanat”. Transmetimin e kanë shënuar Ahmedi dhe Ibn Hibbani.
V-Lejohet deponimi i mishit të kurbanave deri pas ditëve të bajramit, pa mos përcaktuar kohë të caktuar për deponimin, ngase i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, e ka lejuar deponimin pa përcaktim kohor. Kjo argumentohet me transmetimin e Buharijut: “Hani, pini dhe depononi, ngase atë vit njerëzit kanë pasur mungesë ushqimi. Për atë, desha që të ndihmoheni me këtë gjë”.
Nisur nga kjo, lejohet prolongimi i shpërndarjes që mishit të kurbanave deri pas ditëve të bajramit, bile edhe disa muaj, ngase këtë e lejon legjislacioni islam, si dhe kjo është në dobi të skamnorëve dhe të varfërve si dhe palëve tjera që e shfrytëzojnë mishin e kurbanave.
VI-Lejohet ngrirja dhe konzervimi i mishit të kurbanave, ngase ngrirja dhe konzervimi janë mekanizma të deponimit. Pasi fetarisht është lejuar deponimi, atëherë lejohet çdo mekanizëm që e realizon këtë gjë, ngase mjetet e marrin statusin e qëllimeve. Nuk obligohet përcaktimi i një mekanizmi të caktuar, me përjashtim nëse këtë e ka bërë Ligjvënësi. Në këtë rast nuk ka përcaktim, por ngrirja është mekanizëm më i mirë i cili mundëson ruajtje të mishit përmes rrugëve adekuate të parapara në shëndetësi, për të qëndruar mishi një periudhë më të gjatë i pa prishur. Kjo e mundëson shpërndarjen e mishit gjatë gjithë vitit, nëse kjo është e nevojshme. Kjo e realizon interesin dhe synimet e legjislacionit islam për zgjerimin dhe shumëzimin e numrit të atyre që do të përfitojnë nga mishi i kurbanit, duke u arritur mishi i kurbanave njerëzve të varfër dhe të nevojshëm, si dhe palëve tjera që përfitojnë nga mishi u kurbanave, të ngrirë ose të konzervuar.
VII- Komisioni është i mendimit se lejohet të transferohet mishi i kurbanave, bile edhe i ngrirë ose i konzervuar, prej një vendi në një vend tjetër, nëse personi këtë gjë e bën për të afërmit e tij, ose për njerëz të cilët janë më të nevojshëm për këtë gjë, se sa njerëzit në vendin e tij. Ky është edhe mendimi i pjesës më të madhe të juristëve islamë (xhumhur). Ndërkaq, nëse nuk ka nevojë që mishi i kurbanave të transferohet në ndonjë vend tjetër, është e njohur se juristët islamë kanë mendime të ndara, ashtu që disa e kanë lejuar këtë gjë edhe në rast se nuk ka nevojë në ndonjë vend tjetër, disa tjerë e kanë konsideruar jo të pëlqyeshme, e disa e kanë ndaluar, edhe pse të gjithë janë të mendimit se në të gjitha rastet, kurbani i personit është i vlefshëm. Komisioni e përzgjedh mendimin se transferimi i mishit të kurbanave është i lejuar në përgjithësi. Ky është mendimi që kryesisht e mbështesin juristët bashkëkohorë, në veçanti kur ka nevojë të madhe për diçka të këtillë në vendet ku ka luftëra, konflikte, gjendje emergjente dhe uri, e kryefjalë e gjithë kësaj në këtë kohë është gjendja e banorëve të Gazës. Për këtë, lejohet që mishi i kurbanave të transferohet nga vendi i personit që e ka paguar kurbanin, në Gaza, Sudan apo në vende të tjera ku muslimanët kanë nevojë të madhe për ushqim themelor ditor, e mos të flasim për nevojën e tyre për mish.
Mendimi që e lejon transferimin e kurbanave prej një vendi në një vend tjetër ku ka më tepër nevojë, në këtë kohë ua lehtëson njerëzve ringjalljen e këtij adhurimi, si dhe ua lehtëson punën organizatave bamirëse të cilat janë të autorizuara nga individët për blerjen, therjen dhe ngrirjen e kurbanave, dhe shpërndarjen e tyre për personat të cilët janë më të nevojshëm në vendet e muslimanëve, me çka zbatohen fjalët e të Lartmadhërishmit: <<.. e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp… >> [El Haxhxh: 36].
Për t’i ikur mospajtimit në mendime, Komisioni u sugjeron personave të cilët i shpërndajnë kurbanat përmes organizatave bamirëse që t’i marrin përsipër të gjitha harxhimet shtesë nga çmimi bazë i kurbanit, për çka do të ketë shpërblim te Allahu i Madhërishëm.
Allahu udhëzon në të vërtetën dhe të saktën. I tërë falënderimi i plotë i takon Allahut, Zotit të botëve. Përshëndetja dhe bekimet qofshin mbi zotëriun tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Kjo përgjigje është miratuar me konsensus të Komisionit të Ixhtihadit dhe Fetvasë të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë.

Prej arabishtes: Bashkim Aliu

1.Ali Karadagi
2.Fadël Murad
3.Axhil En Neshmij.
4.Muhamed El Hasen Ed Dedvu
5.Mehmed Gormez
6.Abdul Hajj Jusuf
7.Halid Hanefij
8.Mustafa Dadash
9.Venis El Mebruk
10.Salim Esh Shejhij
11.Feride Sadik Zozo
12.Mes’ud Sabrij
13.Ibrahim Ebu Muhamed
14.Sultan El Hashimij
15.Nuruddin El Hadimij
16.Ahmed Hava
17.Ahmed Kafi
18.Ikrime Sabrij.