Ballina Lajmet Rajon dhe Botë FETO, kush është kjo organizatë dhe si u infiltrua në sistemin shtetëror...

FETO, kush është kjo organizatë dhe si u infiltrua në sistemin shtetëror të Turqisë? (Video)

Organizata terroriste FETO në vitet 70 të shekullit të kaluar ka filluar infiltrimin e anëtarëve të saj në institucionet e sigurisë të Turqisë, kështu që në vitet e 80-ta kishte forcuar ndjeshëm piramidat e saj paralele në kuadër të këtyre institucioneve dhe, më në fund, më 15 korrik të vitit të kaluar kreu tentimin e dështuar të grusht shtetit ushtarak me qëllim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe përmbysjen e autoriteteve turke të zgjedhur në mënyrë demokratike, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklaratat dhe korrespondencat e zyrtarëve të policisë të cilët në dekadat e fundit kanë mbajtur funksione kyçe në strukturat e policisë të Turqisë tregojnë qartë se FETO me infiltrimin e njerëzve të saj në radhët e policisë dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore të Turqisë, ka punuar në planin e marrjes së pushtetit absolut të shoqërisë dhe të institucioneve qeveritare të vendit.

Udhëheqësi i kësaj organizate Fethullah Gylen dhe kolegët e tij kanë parë pikërisht forcat e policisë si çelës për marrjen e forcës dhe pushtetit në Turqi. Celula e parë e FETO-s në policinë turke është infiltruar në vitin 1974, kur Ali Osman Kahya, Mustafa Sağlam dhe Ramazan Akyurek kishin udhëhequr kadetët e parë të akademisë policore të cilët ishin anëtarë besnikë të FETO-s.

Ish-shefi i policisë në Bursa, Kahya u arrestua në kuadër të hetimit kundër FETO-s, ish-shefi i policisë në Antalia, Sağlam është në arrati, pasi u pezullua në vitin 2014, ndërkohë që ish-kreu i seksionit të inteligjencës Akyurek u arrestua në lidhje me rastin e vrasjes së gazetarit Hrant Dink.

Këta tre anëtarë të FETO-s kanë luajtur rol kyç në sjelljen e mbështetësve të rinj të FETO-s në shkollat e policisë për arsimimin dhe aftësimin e tyre për menaxhimin e personelit të policisë që do të jenë të bindur ndaj FETO-s.

Falsifikimi i provimit dhe vendosja e zyrtarëve shtetërorë

Si eprorë të tyre komesarët Kahya, Sağlam dhe Akyurek ndërtuan imazhin e idhullit për djemtë e familjeve të varfra dhe shoqërimin e vazhdueshëm në apartamentet e FETO-s duke fituar bindjen e këtyre të rinjve.

Në këtë mënyrë FETO në katër dekadat e fundit, ka zgjedhur anëtarët e saj më besnikë duke i vendosur në pozita të larta zyrtare në polici, ndërsa një situatë e ngjashme ka qenë edhe në institucionet e tjera shtetërore.

Udhëheqësia e FETO-s ka falsifikuar edhe provimet për avancim në detyrë, njëri nga të penduarit nga Zonguldaku, ka shpjeguar se një ditë para provimit për avancim në polici, të gjithë pjesëtarët e FETO-s janë ftuar në apartamentet ku individualisht kanë dhënë betimin para krerëve të FETO-s, se edhe në uniformën zyrtarë të policisë të shtetit do të jenë anëtarë të bindur dhe besnikë të FETO-s. Me dhënien e betimit ata kanë marrë pyetjet e testit për shqyrtim dhe kështu janë avancuar me lehtësi.

Personi i penduar më tej shpjegon se pastaj erdhi një mësues i panjohur, i cili nuk ka lejuar të merren shënime, përmes projektorit në shtatë ose tetë raste ka shpjeguar përgjigjet e testit, dhe se atë natë para provimit është dashur të kalojnë në këto apartamente duke mos patur të drejtë që të flasin në telefon me askënd.

Turqia në vitin 1980 ra në një krizë të thellë ekonomike dhe të sigurisë e cila u përshkallëzua në grusht shteti ushtarak më 12 shtator të po atij viti. Pjesëtarët e infiltruar të FETO-s e shfrytëzuan këtë rast duke vendosur në shumicën e pozicioneve kryesore të strukturave policore pjesëtarët e tyre.

FETO u forcua edhe më tej pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën në Turqi në vitin 1983. Pesë vite më vonë, kjo organizatë terroriste u vërsul mbi 22 studentë kadetë të policisë të cilët kritikuan FETO-n dhe refuzuan të jenë besnik ndaj kësaj organizate për çka iu morën pikët dhe nuk arritën karrierë në shërbimin policor, edhe pse ata ishin ndër studentët më të mirë.

FETO ose struktura e shtetit paralel, vëmendje të veçantë i kishte kushtuar infltrimit të stafit të saj në Departamentin e Burimeve Njerëzore në drejtoritë e policisë në Turqi, dhe kjo ka qenë vendimtare për vendosjen e njerëzve të dëgjueshëm të tyre në funksione të rëndësishme.

Rol kyç në ngritjen sistematike të anëtarëve të FETO-s në funksionet e policisë ka luajtur Ahmet Pek, i cili në vitin 1997 u emërua drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore, dhe më vonë drejtor i Policisë Speciale në Stamboll. Ai u arrestua në kuadër të hetimeve në komplotin e mashtrimeve në shkurt të vitit të kaluar.

Krerët e FETO-s kanë shfrytëzuar mirë departamentet arsimore dhe administrative të policisë, kështu pjesëtarët e saj më lehtësi kanë përfunduar shkollat e mesme në Turqi dhe jashtë vendit. Shembuj janë Emrullah Uslu, Onder Aytac dhe Yakup Saygili, të cilëve u mundësuan studime jashtë vendit, gjatë së cilës puna e tyre u glorifikua dhe pastaj u kthyen në pozicione kryesore drejtuese në polici.

Një nga koordinatorët e këtyre aktiviteteve në FETO ishte komesari i akademisë policore Nazmi Ardic i cili me sukses ka rekrutuar kadetët në radhët e FETO-s, kurse më vonë udhëhoqi Departamentin për Luftën Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e policisë në Stamboll. Ai konsiderohet si “kreator”, i një sërë komploteve të cilat FETO i ka kryer në vitet e fundit.

Në këtë kontekst është e rëndësishme të theksohet emri i Kazim Aksoy i cili si anëtar besnik i FETO-s ka qenë dhjetë vjet në krye të Departamentit të mediave në Stamboll. Ardic dhe Aksoy aktualisht janë në paraburgim për shkak të hetimeve kundër tyre.

Sipas shembullit të infiltrimit në radhët e policisë, FETO njëkohësisht anëtarët e saj i ka futur edhe në institucione tjera shtetërore të Turqisë, duke përfshirë edhe misionet diplomatike dhe ambasadat, ku të gjithë të emëruarit nga pagat e larta mujore rregullisht kanë ndarë disa fonde për aktivitetet e FETO-s të cilat janë realizuar nën maskën e punëvë të mira dhe të dobishme për shoqërinë.

Organizata e udhëhequr nga Fethullah Gylen gjatë ndërtimit të piramidës së saj në kuadër të institucioneve shtetërore turke, vëmendje të veçantë i ka kushtuar vendosjes së anëtarëve të saj besnikë në pozicione drejtuese në departamentet e institucioneve që kishin të bënin me punët ligjore dhe të inspektimit, dhe në këtë mënyrë kanë liruar anëtarët e tyre nga procese të ndryshme që ishin ngritur kundër tyre.

Me vendosjen e programeve dhe mekanizmave të veçanta, pjesëtarët e infiltruar të FETO-s, tenderët për furnizim publik dhe projektet ia kanë dhënë kompanive që ishin të lidhura me këtë organizatë, e cila ka forcuar materialisht organizatën.

Nëpërmjet anëtarëve në uniformë, FETO në çdo kohë kishte informacione për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe zhvillimet në Turqi, kështu edhe aktivitetet e saj në kohë i drejtonte drejtë të cilat më vonë rezultonin në forcimin e suksesshëm të të ashtuquajturës strukturë paralele në kuadër të aparatit shtetëror.

Pas policisë, sektori i inteligjencës ishte shënjestra e parë e FETO-s në Turqi, kështu anëtarët e kësaj organizate me shpejtësi janë futur edhe në këtë institucion i cili në vitet e 90-ta kishte të drejtën ekskluzive për monitorimin dhe përgjimin e personave dhe zyrtarëve.

 

Zëvendës Shefi i Departamentit të Inteligjencës të policisë në Stamboll, i cili u pezullua më herët Gursel Aktepe, i cili në natën e tentimit të grushtit ushtarak më 15 korrik, kishte ardhur në ndërtesën e këtij departamenti me qëllim të marrjes së saj, ai u arrestua dhe u bë një dëshmitar i penduar në hetimin e tentimit të dështuar të grusht shtetit. Ai zbuloi shumë komplote dhe aktivitete të FETO-s në sektorin e inteligjencës dhe monitorimin e njerëzve.

Në të gjitha qytetet turke aktive është sistemi i monitorimit MOBESE, dhe u gjet se ky term është shpikur nga shkronjat e para të emrave të pesë anëtarëve të FETO-s të cilët kanë punuar në sektorin e inteligjencës. Ata janë Mustafa Haharci, Osman Nihat Sen, Basri Aktepe, Erim Cioban, Sulejman Demirci dhe Erdogan Toprakci, të cilët, përveç Coban, të gjithë janë arrestuar apo pezulluar gjatë hetimit kundër FETO-s.

Me rastin e tërheqjes për emërimin e komesarëve që kanë përfunduar në akademinë e policisë në vitin 1991 është kryer një inspektim gjatë së cilës nën një tavolinë ishte gjetur një çantë me emrat e shënuar që duhet të caktohen në poste të caktuara në polici, dhe më vonë u mësua se bëhej fjalë për anëtarë të FETO-s.

Tre komesarë u pezulluan për shkak të këtij mashtrimi, por shpejt u kthyen në policisë dhe u vendosën në funksione të rëndësishme, e cila edhe njëher tregon për fuqinë e piramidës të FETO-s në polici.

Me këtë rast ishte ngritur një proces hetimi kundër FETO-s e cila përmes anëtarëve të infiltruar në polici ka dashur të zëvendësojë rendin demokratik kushtetues me sistemin e sheriatit të cilin do ta zbatonin pasuesit e Fetullah Gylenit. Hetimi është kryer ndaj 102 personave të dyshuar, por prokurori Tevfik Hancilar nuk kishte ngritur aktakuzë, dhe më vonë u zbulua se edhe ai ishte i lidhur me këtë organizatë. Më vonë përsëri rinisën hetimet, por për shkak të mungesës së provave ajo u anulua.

Organet turke të ndjekjes aktualisht janë duke kërkuar të arratisurin Salih Tuzcu dhe Osman Karakus të cilët dikur si anëtarë të FETO-s mbanin postet si drejtor i departamentit të Trajnimeve dhe drejtor i kolegjit policor. Ata gjithashtu kishin një rol të rëndësishëm në aktivitetet e organizatës Gyleniste brenda strukturës së policisë.

Gazeta turke “Aydinlik” që në janar të vitit 1999 në faqen e parë kishte publikuar tekstin “Fethullah ka marrë policinë”, i cili thotë se 95 përqind e stafit në departamentin e burimeve njerëzore janë anëtarë të organizatës së Gylenit.

Me këtë rast Drejtorisë së Policisë i ishte dorëzuar një paralajmërim anonim në të cilin ishin shkruar emrat 62 zyrtarëve të policisë, besnik të Gylenit.

Ikja e Gylenit në SHBA

Vijon hetim i iniciuar nga drejtori i policisë në Ankara, e cila ka rezultuar me një raport ku thuhet se Fethullah Gylen me aktivitetet e tij ka tejkaluar kufijtë e dijetarit fetar dhe prek në politikë, filozofi dhe të gjitha sferat tjera, Në raport për herë të parë flitet në lidhje me strukturën e organizatës së Gylenit brenda policisë dhe për të parën herë përmendet ideologjia e pasuesve të Gylenit. Këtu u publikua lista prej 132 policëve besnik të Gylenit.

Raporti iu dorëzua Departamentit të Inteligjencës të Drejtorisë së Policisë më 15 mars 1999, kurse tre ditë më vonë Gylen iku në SHBA.

 

Prokurori Nuh Mere Yuksel në vitin 2000 ngrit akuzën, sipas së cilës ngarkon Gylenin për formimin e një organizate ilegale me qëllim të përmbysjes të rendit kushtetues demokratik dhe futjen e sistemit fetar të udhëheqjes, por në maj të vitit 2006 Gylen lirohet nga padia.

Pasoi përgjigjja e struktuarve të FETO-s brenda organeve gjyqësore dhe policore të cilat kishin ngritur një seri hetimesh kundër ekipit që kishte hetuar strukturën e Gylenit në polici, dhe më vonë gjykata kishte gjetur se të gjitha këto veprime, duke përfshirë pretendimet për përgjimet, ishin bazuar në dëshmi të rrejshme dhe prova të falsifikuara.

Feto paralelisht me këtë ka punuar në zhvillimin e rrjetit të vet mediatik.

Kjo organizatë, poashtu përmes takimeve të fshehta me organizatën terroriste PKK ka zhvilluar një sërë projektesh terroriste në të cilat kanë bashkëpunuar.

Pjesëtarët e FETO-s në radhët e policisë turke, shërbimit të inteligjencës, ushtrisë dhe gjyqësorit kanë bashkëpunuar me terroristët e PKK-së që ishin nën hetime.

Biznesmeni dhe “imami” i FETO-s për aktivitetet në policinë e Van-it, Muzafer Aydin menjëherë pas tetntimit të dështuar të grusht shtetit të korrikut ka ikur nga Turqia në Gjeorgji. Ai u arratis nëpërmjet malit Kandil në Irakun verior, ku edhe sot e kësaj dite kanë mbetur gruaja dhe vajza e tij, dhe dihet se pikërisht ky mal është kalaja kryesore e kontrolluar nga organizata terroriste PKK.

Ky është një nga treguesit e lidhjeve mes dy organizatave terroriste, të cilat kanë të përbashkët dëshirën për të rrëzuar rendin kushtetues në Turqi.

Gjatë bastisjeve shtëpitë e anëtarëve të PKK-së dhe FETO-s në të gjithë Turqinë shpesh policia ka gjetur dokumente dhe materiale të PKK-së dhe libra të Fetullah Gylenit.

Në gusht të vitit të kaluar në Stamboll u arrestuan 12 anëtarë të FETO-s të përfshirë në tentimin e dështuar të grusht shtetit ushtarak, dhe në mesin e tyre ishin dy anëtarë aktivë të PKK-së, gjegjësisht forumit rinor të kësaj organizate terroriste YDG-H.

Gjatë kontrollit në departamentin e policisë për luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik, FETO ka siguruar burime të mëdha financiare për aktivitetet e saj të cilat janë gjithmonë janë shfaqur nën maskën e aktiviteteve në dobi të shoqërisë. Paralelisht me këtë, FETO kompanive të saj besnike u ka mundësuar lehtësime në bizes dhe marrje të punëve përmes tenderëve.

Zyrtarët e policisë besnik ndaj FETO-s në departamentin e inteligjencës kanë monitoruar dhe përgjuar në mënyrë ilegale një numër të biznesmenëve për ti shantazhuar dhe marrë me dhunë para për FETO-n.

Në kuadër të hetimit për këto aktiviteteve të cilat zbatohen nga Prokuroria e Stambollit, u zbulua se se janë përgjuar biznesmenë të shquar, artistë, punonjës të mediave dhe të tjerët, ku në mesin e të përgjuarve dhe shantazhuarve ishin edhe Ferit Sahenk, Ali Koc, Caroline Koc, Mehmet Emin Karamehmet, Mustafa Süzer, Fevzi Bülent Özaydınlı, Atalay Şahinoğlu, Erol Altace, Mehmet Yoruk, Melih Turker, Ahmet Topsoy, Ali Ihsan Karacan, Yener Senok, Sulejman Kocakaya, Memduh Karakullukcu, Sezai Çanakçı, Ibrahim Caglar, Ibrahim Ozay Sendir, Omer Lutfi Karagoz, Tufan Turenc, Yılmaz Ozdil, Can Dundar, Nihat Genc, ​​Ergun Diler, Cengiz Semercioğlu, Engin Ardıc, Bedri Baykam, Ruhat Mengi, Ridvan Biyik dhe Mustafa Sekeroglu.

FETO në mënyrë aktive ka krijuar edhe marrëdhënie në nivel ndërkombëtar, duke keqpërdorur pozitën dhe nën maskën e projekteve të dobishme shoqërore, shuma të mëdha parash ka transferuar në vendet e Ballkanit, Azisë dhe Afrikës, ku paratë janë investuar në forcimin e FETO-s në këtë rajon.

Është interesante se anëtarët e FETO-s në radhët e policisë turke që në fillim të viteve 90-ta kanë marrë pjesë në kurse për kompjuter dhe të teknologjisë së informacionit edhe pse në atë kohë në polici ende nuk kishte kompjuter. Kjo teknikë shumë shpejt hyri në përdorim dhe në policinë turke dhe në një numër të institucioneve të tjera shtetërore pjesëtarët e saj të infiltruar ishin ata që u morën me këtë punë.

Trajnim për përdorimin e teknologjisë kibernetike

Celulat e veçanta të FETO-s janë marrë me teknologji kibernetike dhe zhvillimin e programeve specifike dhe kanaleve sekrete të komunikimit të cilat i kanë përdorur anëtarët e organizatës brenda institucioneve të Turqisë. ByLock është një nga ato programe dhe aktualisht është lëndë e disa hetimeve.

Dokumentet dhe dëshmitë e konfiskuara gjatë bastisjeve në Turqi, FETO të gjithë anëtarët e shoqërisë i kishte ndarë në pesë kategori dhe në përputhje me këtë ka krijuar raporte me ta. Kategoria e parë janë anëtarët besnikë të organizatës, kategoria e dytë janë ata rregullisht ndajnë mjete për organizatën, në kategorinë e tretë janë ata që mund të bëhen anëtarë të FETO-s dhe, në grupin e katërt janë ato që mund të përdoren dhe në grupin e pestë janë kundërshtarët dhe armiqtë e FETO-s.

Forcimi i organizatës FETO është realizuar edhe në mënyrën ku eprorët e kësaj organizate kanë bërë martesa në mes të anëtarëve të rinj dhe në mënyrë shtesë i kanë punësuar në kompanitë që ishin të lidhura me këtë organizatë, kështu që eprorët kanë mundur të kontrollojnë të gjitha aspektet e jetës së tyre.

Një pjesë e punonjësve të policisë turke, besnike ndaj FETO-s kanë ndjekur trajnime shtesë në mënyrë që sa më shpejt dhe me efikasitet të hapin të gjitha llojet e bravave, të cilat i kanë përdorur gjatë vendosjes së përgjuesve dhe kamerave në ndërtesat që ishin në shënjestër të organizatës

Në vijim janë hetimet për përgjimin e pothuajse të gjithë udhëheqjes shtetërore të Turqisë, kurse përgjues janë gjetur edhe në shtëpinë dhe zyren e Recep Tayyip Erdoğan në kohën kur ishte kryeministër i Turqisë.

Koordinimi i aktivitetve të anëtarëve të FETO-s të infiltruar në polici, gjyqësor dhe në sektorë tjerë shtetrorë të Turqisë janë kryer nga të ashtuquajturit imamë civilë të cilët ishin në kontakt me kreun e kësaj organizate Gylen.

FETO kështu kishte një mekanizëm efektiv koordinues që ka mundësuar zhdukjen e provave dhe ndërprerjen e një numri të hetimeve dhe procedurave gjyqësore kundër anëtarëve të kësaj organizate.

Atentati i vitit 2002 ndaj Necip Hablemitoglu, i cili ka hulumtuar dhe shkruar për FETO-n, kurrë nuk u ndriçua dhe arma e cila ishte përdorur në vrasjen e tij tregon se edhe policia ishte e përfshirë në këtë rast. Ky është një shembull i bllokimit të hetimeve që kanë të bëjnë me FETO-n.

Rast i ngjashëm është edhe vrasja e redaktorit të gazetës “Agos”, Hrant Dink, në vitin 2007, dhe ky rasti ka filluar të ndriçohet vetëm pas rinisjes të hetimeve në kuadër të së cilës janë arrestuar agjentë të inteligjencës të lidhur me FETO-n.

 

FETO apo struktura e shtetit paralel është e lidhur me pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme dhe ndodhitë në Turqi, dhe një nga këto raste është edhe “trukimi i ndeshjeve të futbollit”. Në fakt, pasi të dyshuarit u liruan, duke përfshirë edhe Aziz Yildirim, hetimi rreth këtij rasti ka rinisur dhe u zbulua se anëtarët e FETO-s në radhët e policisë janë ata që qëndrojnë pas këtij skandali, kurse muajin e ardhshëm gjithsej 108 të dyshuar do të dalin në gjyq.

Prsidenti i Turqisë Erdoğan në disa raste këtë organizatë terroriste e ka quajtur “kancer që ka shtrirë metastazat në të gjitha institucionet shtetërore të Turqisë”, gjë e cila dëshmohet pas hetimeve të shumta. Me kontrollin ndaj të gjitha institucioneve, përfshirë gjyqësorin dhe forcat e sigurisë, FETO ka arritur në atë nivel sa që më 15 korrik tentoi që përmes grusht shtetit ushtarak të marrë pushtetin në këtë vend.

Kjo përpjekje u pengua nga një reagim i vendosur i udhëheqësisë së Turqisë dhe popullit që dolën në rrugë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokratik, kurse hetimet për të gjitha aktivitetet e FETO-s sipas të gjitha gjasave mund të zgjasin duke patur parasysh se prokuroria turke thotë se me ndjekjen penale turke pohojnë se “lëmshi i të keqes dhe tradhtisë” ka filluar të zgjidhet.

https://www.youtube.com/watch?v=m92XTbADBg4

Exit mobile version