Ballina Lajmet FETO humb edhe një rast tjetër gjyqësor në Maqedoninë e Veriut

FETO humb edhe një rast tjetër gjyqësor në Maqedoninë e Veriut

Kolegji “Yahya Kemal”, institucion i lidhur me organizatën terroriste FETO që vepron në fushën e arsimit në Maqedoninë e Veriut, ka humbur padinë për dëmshpërblim jomonetar ndaj kryetarit të Lidhjes së Organizatave të Shoqërisë Civile Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), Hüsrev Emin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në çështjen e mbajtur në Gjykatën Themelore Shkup, komisioni gjyqësor hodhi poshtë të gjitha akuzat dhe pretendimet e shkollës së lidhur me FETO-n kundër Emin duke i cilësuar ato si të pabazuara.

Në vendim urdhërohet që Kolegji “Yahya Kemal” t’i paguajë shpenzimet gjyqësore, ndërsa paditësi ka të drejtë të ankohet brenda 15 ditëve.

Në deklaratën për AA, Emin tha se kolegji atë e ka paditur për shkak të një deklarate të tij në vitin 2018 në Panelin për shkrimtarin turk Yahya Kemal Beyatlı me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së tij, në kuadër të aktiviteteve të 21 Dhjetorit – Ditës së arsimit të gjuhës turke në vend, ngjarje që u mbajtë në Universitetin Vizyon në Gostivar.

Duke rikujtuar se gjatë panelit ka theksuar se “përdorimi i emrit Yahya Kemal në shkollat e terrorit të FETO-s i shqetëson ato” dhe se u ka bërë thirrje “të gjitha institucioneve përkatëse se çka duhet bërë në fushën juridike dhe fusha të tjera për mospërdorimin dhe njollosjen e emrit Yahya Kemal”, Emin tha se shkolla në shkurt të vitit 2019 i ka dërguar një letër atij.

Emin tha se në letër Kolegji “Yahya Kemal” prej tij ka kërkuar “kërkim falje për shkak të shpifjes dhe dëmtimit të reputacionit”, ndërsa pasi ai nuk i është përgjigjur letrës kundër tij është ngritur padi për dëmshpërblim jomonetar në vlerë prej 600.000 denarësh (rreth 10.000 euro).

Kreu i MATÜSITEB-it tregoi se procesi i tërë ka zgjatur 3 vite, ndërkaq vendimi u është dërguar atyre në formë të shkruar, ku për arsye se akuzat kundër tij ishin të pabazuara u hodhën poshtë plotësisht.

Sipas deklaratës së paditësit në seancën kryesore, tregon Emin, Kolegji “Yahya Kemal” gjatë gjithë këtij procesi ka pësuar shumë dëm.

“Ata theksuan se ‘veçanërisht pas kësaj deklarate të Hüsrev Emin, për shkak të ndikimit të shkaktuar në publik, u detyruam të mbyllim shkollat në Gostivar dhe Strumicë’ “, tha Emin.

Që nga viti 2013, pas procesit 17-25 dhjetor, Emin tha se si MATÜSITEB dhe personalisht ai, por edhe me institucionet tjera që ai përfaqëson në këtë drejtim kanë vazhduar luftën pakompromis, duke shtuar më tej se:

“Veçanërisht, përveç komunitetit turk, edhe atyre shqiptar dhe të tjerë, mundohemi t’u shpjegojmë në çdo mjedis, në çdo mundësi se çka është FETO, se çfarë rreziku paraqet, çfarë situate mund të vijë në të ardhmen. Gjithashtu që nga mbrëmja e 15 korrikut, MATÜSITEB pa kushte me të gjithë shoqatat tona anëtare kemi shfaqur një qëndrim të qartë, kemi qëndruar pranë qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Kemi treguar një qëndrim pa kushte kundër FETO-s, kemi organizuar takime të demokracisë”.

FETO më herët ka humbur edhe padinë kundër AA-së

Ndryshe, në nëntor të vitit 2019 edhe procesi gjyqësor i ngritur nga gazeta e lidhur me organizatën terroriste FETO “Zaman Maqedoni” kundër përfaqësisë së Anadolu Agency (AA) në Shkup, që është edhe qendra e publikimeve të AA-së për gjuhën shqipe dhe maqedonase, përfundoi në favor të AA-së.

Dihet se institucionet e lidhura me FETO-n në vend gjithashtu kanë humbur edhe padi të tjera ndaj personave apo institucioneve të tjera, ndërsa mësohet se ende vazhdon procesi i disa padive.

Exit mobile version