Kryetari i sapozgjedhur i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, ka deklaruar se synimi dhe shtylla kryesore e tij si përgjegjës i jetës fetare islame në vend do të jetë prezantimi dhe shpjegimi i vlerave fetare islame në mënyrë sa më të pastër dhe sa më praktike.
Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Fetahu thekson se Islami duhet të prezantohet në mënyrë sa më të pastër dhe sa më praktike, sepse ashtu siç do të prezantohet ashtu edhe do të duket në rrjedhat e kohës në të cilën jetojmë. Ai për këtë qëllim paralajmëroi edhe formimin e organeve, drejtorive dhe shoqatave brenda BFI-së, që do të punojnë për të prezantuar dhe shpjeguar fenë islame në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të prezantosh Islamin në kohën e sotme, veçanërisht në Ballkan dhe Evropë, sipas kreut të BFI-së nevojitet një profesionalizëm i jashtëzakonshëm në të gjitha sferat e aktivitetit njerëzor, si në atë fetare, shkencore, ekonomike, kulturore, artistike apo filozofike.
“Përgjegjësia më e madhe, synimi më i madh i BFI-së në Maqedoninë e Veriut është që të formojë institucione, duke filluar nga xhamitë, shkollat fetare islame, Fakulteti i Shkencave Islame, formimi i institucioneve më të larta shkencore fetare, me qëllim që të profesionalizohet, në mënyrë të denjë të shpjegojë Islamin”, thotë Fetahu.
Fetahu thekson se për t’u profesionalizuar në mënyrën e duhur nevojitet një sistem stabil ekonomik i BFI-së, si dhe një administrim i pastër dhe i mirë organizuar. Ai këtu përmendi edhe akreditimin e shkollave të mesme islame, që nxënësit të kenë mundësi zyrtare për të zgjedhur nga të gjitha degët e universiteteve në vend dhe jashtë, gjë që deri më tani në Maqedoninë e Veriut ka qenë sfidë për nxënësit e shkollave islame në vazhdimin e studimeve të tyre të mëtejshme.
Më tej, Fetahu foli edhe për projekte të tjera, respektivisht formimin e degëve apo drejtorive të fushave të ndryshme që do të veprojnë brenda BFI-së, të tilla si drejtori të haxhit dhe vakëfeve, bibliotekë dhe shtypshkronjë për literaturën islame, shoqata të ndryshme për gruan dhe të rinjtë, si dhe një qendër hulumtuese shkencore islame.
“Synimi kryesor i yni do të jetë shpjegimi i Islamit në mënyrë burimore, duke u qasur nga të gjitha aspektet me një frymë që do ta ngritim moralin, njerëzoren, paqen, tolerancën, solidaritetin, afrimin në mes njerëzve, me qëllim që të jemi një subjekt kreativ i shoqërisë sonë këtu dhe jashtë vendit”, shprehet Fetahu.
“Çështjet që kanë të bëjnë me ndjenjat fetare duhet të zgjidhen nga bashkësitë fetare”
Sipas kreut të BFI-së, në Maqedoninë e Veriut është i domosdoshëm një bashkëpunim vërtetë serioz midis bashkësive fetare, sepse “mbi 90 për qind e shoqërisë së këtij vendi i takon një besimi, që do të thotë se janë besimtarë”.
“Kjo tregon se bashkësitë fetare janë kyçe dhe shumë të rëndësishme për kultivimin e vlerave shoqërore, sepse të gjitha fetë thërrasin në atë që është e mirë. Fetë të gjitha bashkohen në tre shtylla kryesore të cilat mundësojnë afrimin dhe bashkëpunimin e patjetërsueshëm dhe të domosdoshëm”, thotë Fetahu, duke shtuar se çdo besim kërkon që të besohet në Zot, të bëhen vepra të mira dhe të besohet se ka një botë tjetër përveç kësaj.
Lidhur me bashkëpunimin me Kishën Ortodokse Maqedonase (KOM), Fetahu thotë se BFI-ja në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim shumë të afërt me këtë bashkësi fetare.
“Mendoj se bashkëpunimi duhet të jetë më intensiv, më i afërt, më shoqëror, më i sinqertë dhe më konstruktiv për çështjet me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, sepse ka çështje të cilat u tangojnë bashkësive fetare, për shembull çështje që kanë të bëjnë me ndjenjat fetare”, shprehet Fetahu, duke theksuar se shëruesit më të mëdhenj të këtyre çështjeve janë bashkësitë fetare dhe udhëheqësit e tyre.
Duke folur për këto çështje që prekin ndjenjat fetare, Fetahu përmendi xhaminë e Prilepit e cila është ndërtuar në vitin 1475, por pësoi nga konflikti ndëretnik i vitit 2001 në vend, pasi maqedonasit nga Prilepi dogjën xhaminë si kundërpërgjigje ndaj sulmit mbi autokolonën ushtarake që po shkonte drejt Tetovës në autostradën Shkup-Tetovë, ku humbën jetën dhjetë ushtarë nga Prilepi dhe rrethina. Sot e kësaj dite, xhamia qëndron në muret e shkatërruara pjesërisht dhe me minaren e thyer, ndërsa mbetet pre e shumë sjelljeve të pahijshme për shkak të mungesës së interesimit dhe mos ruajtjes së saj.
“Prej atëherë kanë kaluar 19 vjet. Ajo xhami historike, ajo bukuri e kulturës islame, por pjesë e kulturës së shtetit në përgjithësi, edhe më tutje qëndron në gërmadha dhe keqpërdoret nga qytetarë të ndryshëm”, shprehet Fetahu, duke shtuar se çështjet e tilla janë më tepër në kompetencë të bashkësive fetare sesa në kompetencë të shtetit.
Fetahu shton se nëse bashkësitë fetare bien dakord për zgjidhjen e ndonjë çështjeje të tillë, atëherë autoritetet qeveritare do ta ketë shumë më të lehtë që zyrtarisht të arrijnë zgjidhje për atë çështje.
Ai po ashtu njoftoi se pas marrjes së postit ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupeve fetare në vend dhe shtoi se në të ardhmen planifikojnë të iniciojnë një konferencë ndërkombëtare mbi kulturën e përgjithshme, dialogun ndërfetar dhe kërkesat e bashkësive fetare, ku pret pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkësive fetare nga vendi dhe jashtë.
Duke folur për komunitetet e ndryshme muslimane që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, Fetahu thekson se BFI-ja është organizatë e të gjithë muslimanëve pa dallim kombi, race apo vendi.
“Kjo bashkësi në mënyrë të barabartë përfaqëson shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, torbeshët, egjiptasit dhe të gjithë ata që e ndiejnë veten muslimanë. Kjo (bashkësi) jo vetëm për muslimanët, por do të ketë kujdes edhe për besimet tjera, sepse ne mbajmë përgjegjësi jo vetëm për muslimanët, por edhe për të tjerët, sepse i takojmë kësaj shoqërie dhe në mënyrë të përbashkët duhet t’i zgjedhim problemet tona”, thekson Fetahu.
“Në kthimin e pronave të vakëfeve punojnë ekipe profesionale”
BFI në vazhdimësi ka kërkuar kthimin e pronave të vakëfeve që u ka përvetësuar shteti në të kaluarën, pasi në vitin 1998 u miratua Ligji për denacionalizim me çka u krijuan kushtet për kthimin e pronave të konfiskuara mbi baza të ndryshme që pas vitit 1944 shteti ua kishte konfiskuar pronarëve të deriatëhershëm.
Fetahu shpjegon se BFI-ja që nga viti 1998 menjëherë i është qasur kërkesave për denacionalizimin e pronave të vakëfeve. Ai thekson se gjatë kësaj kohe janë kthyer shumë prona të BFI-së, por shton se ende mbeten shumë prona të cilat do të duhet t’i kthehen BFI-së. Ai thotë se për këto çështje po bëhen përpjekje maksimale për përfundimin e proceseve të pronave për të cilat kanë argumente të fuqishme për kthimin e tyre.
“Punojnë ekipe profesionale në kthimin e pronës së vakëfit. Ne mendojmë se edhe në të ardhmen do të kemi kthim të pronave të cilat kanë mbetur pa kthyer. Kuptohet është një pronë shumë e madhe”, tha Fetahu, duke shtuar se bisedohet për një pronë të madhe që i takon dhe duhet t’i kthehet BFI-së.
Por, Fetahu thotë se ka edhe disa prona të vakëfeve për të cilat ekzistojnë vështirësi për kthimin e tyre, për shkak të faktit se janë shumë të vlefshme ose mos gjetjes së argumenteve për t’i kthyer.
Aktualisht, shprehet Fetahu, BFI-ja është në përpjekje për të kthyer pronat Suli Han, Kapan Han dhe Bezistani që gjenden në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Fetahu njoftoi se në mbarë territorin e vendit BFI-ja aktualisht ka në pronësi rreth 15 milionë metër katrorë, ku përfshihen varrezat, objektet fetare, oborret e xhamive, fushat, pyjet dhe malet. Ai po ashtu paralajmëroi se do të realizohet një analizë nëpër të gjitha myftinitë për të patur një pasqyrë për pronat e kthyera të vakëfeve dhe të atyre që kërkohen të kthehen.
Kthimi i Burmali Xhamisë mund të ecë me një “rezultatet pozitiv” nëse kemi vullnet nga të gjitha palët
Lidhur me Burmali Xhaminë e rrënuar në vitin 1925, e cila u ndërtua në vitin 1495 në anën e djathtë të lumit Vardar pranë Urës së Gurit në qendër të Shkupit, Fetahu thotë se institucioni që drejton ai është marrë “vërtetë seriozisht” me këtë çështje.
Ai shton se kanë patur mosmarrëveshje me qeverinë e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili në vendin e Burmali Xhamisë ka bërë projekte të ndryshme, të cilat sipas kreut të BFI-së kishin “qëllim tendencioz” që aty të pamundësohet kthimi i Burmali Xhamisë.
Ai njofton se qeveritë e kaluara të vendit janë arsyetuar se Burmali Xhamia është nacionalizuar në vitet e 1920-ta, ndërsa Ligji për denacionalizim parashikohet për pronat nga viti 1946 e këtej.
“Deri më tani nuk kanë patur sukses përpjekjet e BFI-së, përpjekje të cilat vërtetë kanë qenë serioze dhe të sinqerta, por janë arsyetuar se ligji ka ardhur vonë, duhet të fillojnë prej vitit 1946, për pronat e mëparshme nuk mund të bisedohet dhe shumë çështje të ndryshme. Por, mendoj se nëse kemi vullnet nga të gjitha palët dhe një përpjekje të sinqertë të një bashkëpunimi të vërtetë kjo çështje mund edhe të ecë me një rezultat pozitiv”, deklaron Fetahu.
Fetahu njoftoi se përveç përpjekjeve me qeveritë e vendit, BFI për kthimin e Burmali Xhamisë ka kërkuar ndihmë edhe nga Turqia, sepse siç thotë ai, kjo xhami ka qenë një monument historik që datonte me qindra vjet nga Perandoria Osmane.
“Ne përsëri do të jemi aktiv në këtë çështje, por vërtetë është një proces i rëndë, një proces për të cilin vërtetë duhet një vullnet i jashtëzakonshëm”, shprehet Fetahu.
“BFI është, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë ngushtë e lidhur me Diyanetin e Turqisë”
Duke folur për marrëdhëniet midis BFI-së dhe komunitetin musliman në Maqedoninë e Veriut me Turqinë, Fetahu vlerësoi lartë lidhjet dhe bashkëpunimin, duke përshëndetur aktivitetet në vendit e tij të Kryesisë së Çështjeve Fetare Islame të Turqisë (Diyanet), Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe agjencisë zyrtare turke të lajmeve Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi dëshmitarë të së kaluarës dhe të tashmes, BFI-ja ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë ngushtë e lidhur me Diyanetin e Bashkësisë Islame të Turqisë, si dhe me të gjitha organizatat që do të merren me çështje të renovimeve dhe investimeve në Maqedoninë e Veriut”, thekson Fetahu.
Ai përmendi edhe projektin aktual të Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV), respektivisht Xhaminë e Topanës që është në ndërtim e sipër me një arkiteturë osmane në Fushë Topanë të Shkupit. Kjo xhami, sipas Fetahut, do të jetë një mrekulli e qytetit të Shkupit dhe një bukuri e rrallë, që edhe në aspektin artistik do të japë një pamje jashtëzakonisht të bukur dhe do të jetë një simbol i arkitekturës islame që do të pasurojë jo vetëm ambientin islam, por edhe ambientin e shtetit dhe shoqërisë në të cilën jetojmë.
Kreu i BFI-së vlerësoi edhe aktivitetet e AA-së në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se AA përfshin një ambient të gjerë me publikimet e lajmeve ndërkombëtare në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Ai po ashtu tha se kjo agjenci e lajmeve lidh më shumë vendin me Turqinë dhe gjuhën turke, gjuhë e cila sipas tij është bërë “gjuhë botërore pa të cilën nuk mund të mendohet edhe jeta politike, ekonomike, shkencore dhe fetare”.
“AA-në e kuptoj si një agjenci shumë serioze që përfshin një hapësirë të madhe edhe të muslimanëve, edhe të tjerëve dhe ka një ndikim të veçantë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, besimtarëve dhe njerëzve në përgjithësi kudo që depërton dhe kudo që e gjen vendin e vet. Jam krenar që e kemi në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe se do t’i ndihmojë edhe çështjes fetare islame në kornizat e veprimit të saj në përgjithësi”, shprehet Fetahu.
Fetahu u emërua në krye të BFI-së më 18 nëntor të vitit 2020 në zgjedhjet e Rijasetit, ndërsa më parë ishte ushtrues i detyrës në këtë pozitë, pasi më 27 maj të këtij viti Rijaseti i BFI-së mbajti një seancë të jashtëzakonshme në të cilën vendosi të shkarkojë kreun e atëhershëm, Sulejman Rexhepi dhe siç njoftuan atëkohë “Shaqir Fetahu, mufti i Gostivarit, do të jetë ushtrues i detyrës deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja”.