Ballina Autorë Opinione Festat, feja dhe publikja

Festat, feja dhe publikja

Në vend të rrënimit të gjejmë hapësirën, qoftë edhe më të vogël, të krijimit të urave dhe komunikimit sepse veç në saj të kësaj njerëzimi mund t’i përballojë erërat e fuqishme të globalizimit ku sa shkojnë ditët, sa më shumë që jemi të rrethuar ndër njerëz aq më të vetmuar bëhemi

Nga Latif MUSTAFA

Çështja e marrëdhënieve dhe ndërveprimit të publikes dhe fetares është një titull i rëndë për të qenë subjekt trajtese, ngaqë e kalon nivelin e opinionit dhe kërkon metodologji shkencore dhe përpjekje serioze, sidomos në ambientet tona shumëreligjioze ku publikja vazhdon të mbetet sekulare, por që sa herë shihen tendencat për gllabërimin e saj. Rëndësinë e kësaj teme e shton edhe më tepër karakteri i festës e cila në vete mund të jetë: fetare, kombëtare dhe komerciale, por si e tillë një festë është pikëprerje e sekulares, fetares dhe sociales në përgjithësi. Sociologjia e festës ka të bëjë me bashkimin e njerëzve, shënimin e një date të rëndësishme, ritual i pakuptimtë shpeshherë dhe shpërblim për një përpjekje të treguar njerëzore.

Me afrimin e festave të fundvitit, si zakonisht, hapësira jonë e opiumit – rrjetet sociale aty ku ne bëjmë heroin, gardianin e kauzave të mëdha, DonZhuanin, analistin dhe moralistin – vazhdon të mbetet si hapësirë për rrënimin e urave midis njerëzve, midis zemrave, në vend të që të jetë iniciuese e krijimit të raporteve stabilendërnjerëzore.

Gjatë fundit të vitit, më bëri përshtypje një status në rrjetin social të Facebook-ut, i cili pak a shumë përmbledh mendësinë dhe shpërfaqjen histerike të konceptimit të festave në raportet me të vërtetat fetare, dogmatike apo ideologjike. Normalisht, kësaj here, meqë nga përhapja e pandemisë për dy vite nuk kishim festuar si duhet, njerëzimi ishte larguar nga ahengjet dhe takimet e përgjithshme, prandaj ky vit ishte më i vrullshëm, i papërmbajtshëm disi, secili po priste arsyen më të vogël për të festuar e nxjerrë dufin dhe traumën post-COVID. Njëri nga miqtë virtual, kishte bërë një postim në stilin që: “të gjitha ata që e urojnë Vitin e Ri, le t’më fshijnë nga miqësia e tyre, e le t’më kursejnë mua, sepse ata kanë braktisur identitetin e tyre për shkak të disa festave pagane”. Më vonë e kontrollova me kastile, e pashë, se po i njëjti më kishte fshirë edhe mua. Apriori kuptohet se edhe unë kam uruar Vitin e Ri.

Normalisht, secili e ka të drejtën të mbajë mik virtual kë të dojë dhe personi në fjalë nuk ka fare rëndësi krahasuar me fenomenin në fjalë. Karakteret e njerëzve në rrjete sociale – që zakonisht janë fiktive, dhe përpjekjet për të ndërtuar imazhe të paqena, të ëndërruara gjatë, por asnjëherë të realizuara – janë të ndryshme nga karakteret e këtyre njerëzve në jetët reale. Është ndryshe t’i shkruash, ta fyesh ose ta përgëzosh dikë në rrjete, kur nuk ke mundësi të dëgjosh frymëmarrjen e tij, t’ia shikosh mimikat e fytyrës, t’i dëgjosh timbrin e zërit dhe më në fund argumentet dhe artikulimin e çështjeve, në krahasim me këtë kur e bën drejtpërsëdrejti, duke e parë njeriun në sy. Por megjithatë, si fenomen dhe çështje trajtimi është shumë me rëndësi, ngaqë rrjetet sociale konsiderohen sot një hapësirë e rëndësishme e jetës publike. Përmes tyre shprehen manifeste, qëndrime politike, pëlqime e kritika, fyerje e linçime; janë pjesë e pandashme e publikes sonë, gjegjësisht, politikes.
E para, ajo që më shqetëson më së shumti, është rëndësia e fjalës publike, më konkretisht, pakujdesia ndaj fjalës publike që kemi si individ dhe përfaqësues kolektivi. Personi në fjalë, që kishte bërë këtë status, siç janë të shumtë ata që bënë këso statuse si kritikë, revoltë deri në nivelin e çirrjeve histerike, nuk e kanë idenë e rëndësisë së fjalës publike, aq më tepër kur janë shërbyes komuniteti, qoftë si prift, imam apo udhëheqë politik. Nëse korrektesa politike është hipokrizi, syfaqësi e dyfytyrësi, dhe njerëzit dëshirojnë të jenë korrekt dhe të sinqertë me qëndrimet e tyre politike, atëherë shtrohet pyetja se çfarë e bën një klerik fetar të ketë qëndrime dogmatike kundrejt politikave publike që në thelb janë krejtësisht sekulare dhe ruajnë harmoninë midis komuniteteve me identitete të ndryshme. Feja e cila më së shumti dhe fuqishmi fton tek ne të folurit bukur publik është feja islame. Ndër porositë e saj më të fuqishme është stimulimi i heshtjes karshi të folurit keq. Fol mirë ose hesht – është një nga thëniet e arta profetike. Thënie kjo e cila si kundërvlerë ka besimin. Pra, besimtarë të vërtetë janë ata që flasin mirë ose heshtin. Deri në këtë pikë. Pa u zgjeruar edhe në argumente të tjera që mbështesin qëndrimin se besimtari i kontribuon publikes me të folurën bukur dhe korrekte. Pikërisht kjo korrektesë afron njerëzit, krijon ura para se t’i largojë dhe shkatërrojë këto ura komunikimi.

E dyta, kultura jonë në perceptimin e individuales, publikes dhe të përbashkëtës, mbetet për t’u dëshiruar.Normalisht, në themelimin e kulturës dhe praktikës së përgjithshme sekulare në botën perëndimore kanë penetruar edhe festat fetare të krishtera që janë pjesë e opusit të qytetërimit perëndimor prej të cilit buron edhe historia dhe praktika juridike e shtetit sekular, formacion politik që sot e gëzon pjesa më e madhe e botës, e gëzojmë edhe ne. Perceptimi i kulturës judeo-kristiane përmes kalendarit sekular është evident edhe në kulturat tona. Nuk ka asgjë të keqe në refuzimin e kësaj kulture. Por ndërtimi i një identiteti politik mbi refuzimin, revoltën, përçmimin e kësaj kulture, kryesisht, në ambiente të përziera religjioze në atmosferë festash bie në kundërshtim me parimet themelore fetare, ku principet fetare të një individi garantojnë lirinë e mendimit, bindjeve dhe besimit që ka tjetri. Paçka se kultura judeo-kristiane po shndërrohet në kulturëjudeo-kristiane-islame në Europë e përkthyer si një gjendje postsekulare, ku religjioni është më prezent se kurrë përmes praktikave dhe ritualeve private dhe publike, publikja si hapësirë e përbashkët e mendimit dhe veprimit të lirë duhet të ruhet me rigorozitet, teksa individi universalisht flet për bindjet dhe besimet e tij, por pa paragjykuar, përçmuar dhe linçuar tjetrin për shkak të bindjeve të tija.

E treta, ne mund të refuzojmë gjithkënd që feston Vitin e Ri, por nuk duhet harruar se çdo shesh i qytetit të shtetit tonë zbukurohet për hir të Vitit të Ri nga qindarkat tona që ne i japim shtetit përmes taksës që paguajmë. Pra, ne, pavarësisht bindjeve tona, marrim pjesë në festimin e Vitit të Ri madje duke kontribuuar financiarisht për të, si myslimani, si i krishteri, protestanti, agnostiku dhe ateisti. Ne e ndërtojmë publiken së bashku. Festa është e përbashkët. Siç na bashkon në xhep, duhet të na bashkojë edhe në zemër.

E katërta, ka të bëjë me kuptimin e festës. Të urosh, të festosh dhe të përbrendësosh vlera janë nivele të ndryshme. Të urosh nuk do të thotë të festosh. Të urosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të përbrendësosh. Mund të jesh krejt shpërfillës në rast se uron. Kur një mysliman i uron një të krishteri festën e Krishtlindjes, nuk e ka për qëllim të ndërhyjë në debatin teologjik dhe historik për Krishtin, natyrën e tij dhe shpërfaqjen e tij në histori. Por urimi i tij ka të bëjë me një ditë të rëndësishme kalendarike për fqinjin, shokun, bashkëkombësin e tij, për të cilin identiteti fetar mund të jetë edhe periferik, përmbledhje simbolike e një dite ku bota ka marrë një rrjedhë tjetër me vlera shumë më sublime, dhe produkt i këtyre vlerave është edhe vetë personi në fjalë. Thjesht, duke uruar, ne përgëzojmë ekzistencën me vlerat e personit në fjalë. Vlera dhe madhështia, përmes urimit, i dedikohet personit dhe jo datës që ai feston. Në këtë kontekst, festa është diçka e përbashkët. Diçka që na ofron, na bashkon. Aq më tepër në një periudhë post-pandemike dhe hiper-teknologjike është si ilaç për zemrat. Kurse Viti i Ri, pavarësisht historikut të tij që mund të jetë edhe fetar, sot për sot nuk është asgjë më shumë se një festë komerciale dhe shënim i ri kalendarik, kur njerëzimi bën vetëllogaritë e tijfinanciare dhe shpirtërore, me qëllim për të nisur një fillim të mbarë e të mirë.

Në kohërat kur qenia njerëzore përballet me fragjilitetin më të madh në histori, individualizmin e pështirë, distancimin e vrullshëm dhe entropik, rëndësia e festave dhe afrimit të njerëzve është tejhistorike. Mjafton të gjendet një arsye për të festuar. Në vend të rrënimit të gjejmë hapësirën, qoftë edhe më të vogël, të krijimit të urave dhe komunikimit sepse veç në saj të kësaj njerëzimi mund t’i përballojë erërat e fuqishme të globalizimit ku sa shkojnë ditët, sa më shumë që jemi të rrethuar ndër njerëz aq më të vetmuar bëhemi. /koha.mk

 

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

Exit mobile version