Nga Ismail SINANI
Askush saktë nuk mund ta dijë se si do të duket shqiptaria pas 100 vjetësh. Optimistët dhe patriotët e mëdhenj, të cilët besojnë fuqishëm në konceptin shtet të këtyre kornizave të historisë moderne të njerëzimit, janë të bindur se do të jetojmë në një Shqipëri etnike. Ata që formimin intelektual të tyre e bazojnë në bazë të “erërave gjeopolitike” shprehen të bindur se e ardhmja e shqiptarëve është në një shtet të përbashkët, të quajtur Bashkim Europian apo në diç të tillë. Demografët, për momentin, janë fatalistët më të mëdhenj. Ata na tregojnë se në fund të shekullit, me këtë trend të zhvillimit demografik, numri i shqiptarëve do të bie në dy-tre milionë. Sociologët dhe politologët e heshtur, ngase nuk parapëlqejnë të flasin hapur kundër neoliberalizmit ekstrem, nuk kanë dëshirë të tregojnë se kombi, në kuptimin sociologjik të ndërtuar pas Revolucionit Francez, ka tendenca të fuqishme të zhduket. Zaten, neoliberalistët ekstremë, tashmë e kanë bërë hapin e parë në hemisferën e të ashtuquajturit “qytetërim perëndimor”: kanë filluar me hapa të sigurt ta zhdukin konceptin gjinor duke krijuar kështu alibi të fuqishëm që “mos të ketë fort rëndësi se çka je?!”. Futuristët… ata zaten konceptin shtet nuk duan ta imagjinojnë fare, sepse, sipas tyre, e gjithë bota do të jetë NJË.
Sidoqoftë, t’i kthehemi realitetit të sotëm. Kemi dy shtete shqiptare. Njëri edhe me kushtetutë është shtet shqiptar, tjetri vetëm se në vullnetin politik të shqiptarëve, sepse në aktin më të lartë juridik është shtet i të gjithëve, pra multietnik.
Në këto 30 vjet të kaluara, ndonëse me batica dhe zbatica, shqiptarët e këtyre dy shteteve, por edhe ata jashtë tyre, e filluan mirë. Ndonëse realisht nuk mund të thuhet se empatia e shqiptarëve (në përgjithësi) të Shqipërisë nuk është në rrafshin e njëjtë me ata që jetojnë ‘këndej’, të paktën deklarativisht dukej se ishim NJË. Dhe, kjo idilë zgjati deri kur Rama e “tejkaloi” Kosovën dhe bashkë me Zaevin u rreshtuan në krah të “birit politik të Millosheviqit”, Vuçiqit.
Pa u futur në analiza nëse ishte apo nuk ishte qasje e drejtë vendimi i Ramës për “Open Balkan”, në sytë e shqiptarit të rëndomtë “këndej kufirit” i ngjante qasjes së atyre shqiptarëve të pushtetshëm në ish Jugosllavi, që shiheshin si “të ndershëm” ose, siç i përshkruan Malkolm X njerëzit me ngjyrë në poste shtetërore në vitet e hershme në SHBA, si “zezakë të bardhë”, që shprehin aversion ndaj llojit të vet.
Gjithë kjo e vërtetë sociologjike mund edhe tani edhe në të ardhmen t’i nënshtrohet debatit të gjatë, por shqiptarët në këtë katrahurë gjeopolitike, me një Serbi shumë armiqësore, nuk kanë kohë për debat. Ndaj, ajo që duhet pëlqyer tani, në këtë periudhë, është rirreshtimi i dy kryeministrave.
Kurti dhe Rama, ndonëse me një qasje shumë të theksuar egocentrike ndaj njëri-tjetrit, u treguan të gjithëve se kanë shumë më tepër punë dhe projekte të përbashkëta nga ato që i dallojnë. Takimi i tyre në Prishtinë me “qasje zhvillimore” është një fije shprese se këto dy shtete kanë hapësirë dhe motiv për të arritur bashkërisht shumëçka. Aq më tepër, nëse munden Austria dhe Gjermania, pse nuk mundkan Kosova dhe Shqipëria?!
Sot këto dy shtete kanë në krye dy burra, që do të duhej jo vetëm teknikisht, por edhe shpirtërisht, të jenë tamam shqiptarë. I pari e ka dëshmuar veten, i dyti ndonëse na ka zhgënjyer me “bregoviqat”, ka edhe pak kohë para vetes për ta dëshmuar të kundërtën.
Fundja, të gjithë do të donim që ajo që u tha në formë të amanetit në Prishtinë nga akademiku Rexhep Qosja, si një plak i urtë i kombit, të jetë paradigma e zhvillimit tonë kombëtar: “Ta njësojnë një ideal të përbashkët që na e ka lënë epoka më e madhe në historinë shqiptare, epoka e Rilindjes, që e kanë formuluar burrat më të mirë të historisë shqiptare, si ta krijojmë Shqipërinë, si ta krijojmë shqiptarin. Pra, ta njësojnë idealin dhe qëllimet politike”. Vetëm kaq duhet, asgjë më shumë!
Por, nëse amaneti i Qosjes nuk është kuptuar drejt, atëherë në perspektivë do të shohim shumë më shumë dallime mes shqiptarëve. Nëse Prishtina dhe Tirana nuk e “kryejnë detyrën”, shqiptarët, secili veçmas, do ta zgjedhë rrugën e vet. Indi i shqiptarit të ngjizur me rilindësit do të ngelet vetëm në analet e historisë. E kjo është keq, shumë keq! /shenja