Ballina Artikuj Fenomeni i Korrupsionit

Fenomeni i Korrupsionit

Abdullah Klinaku

Nocioni korrupsion

Korrupsioni është nga fenomenet/dukuritë më të ndërlikuara të shkencës juridike. Ai bënë pjesë tek veprat e kriminalitetit të organizuar, për shkak të formës së kryerjes dhe implikimeve të disa personave në proces. Për këtë arsye thuhet se te fenomeni i korrupsionit binomi shkak-pasojë ndodhet në një rreth vicioz e të mbyllur, ku është vështirë të identifikosh shkaktarët apo shkakun nga pasojat, dhe e kundërta.(1)
Në legjislacionet penale dhe literaturën juridike, me gjithë përpjekjet që janë bërë, deri më sot nuk është dhënë ndonjë përkufizim i qartë dhe i plotë i nocionit të korrupsionit.(2)
Megjithatë, bazuar në natyrën e veprimeve kriminale, në të cilat mund të shfaqen elementet e korrupsionit, mund të arrihet në përfundimin se me korrupsion duhet nënkuptuar format e ndryshme të sjelljeve kriminale, të cilat konsistojnë në kërkimin për t’u dhënë mitë, për t’u marrë mitë, për ryshfetin indirekt, arbitrimin e paligjshëm, trafikimin e influencës, pagesën ilegale ose kërkimi i dhuratave të paligjshme, pagesa e tarifave që janë në disproporcion me shërbimet e kryera, veprimet e korrupsionit gjatë procesit zgjedhor dhe ato që kanë për qëllim sigurimin e dëshmive, ekspertizës apo përkthimit të rremë gjatë procedurave gjyqësore, pastrimin e parave etj., – të gjitha këto me qëllim që të realizohet përfitim material i paligjshëm.(3)
Ndërsa LIGJI KUNDËR KORRUPSIONIT numër Nr. 2004/34, në kreun e parë, neni i dytë, korrupsionin e trajton si: shkelje e detyrës e personave zyrtarë ose përgjegjës në subjektet juridike dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo përfituesve të kësaj sjelljeje, e drejtuar si përgjigje ndaj një shpërblimi që drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, marrë apo pritet për t’u marrë për veten apo për një person tjetër.(4)
Meqë kemi disa përkufizime rreth korrupsionit, do të ndalemi vetëm në dy përkufizimet e sipërshënuara, për faktin se pothuajse të gjitha përkufizimet kanë të njëjtën përmbajtje.

Pasojat e korrupsionit

Pasojat e korrupsionit në shoqëri janë shumë të mëdha. Madje ato janë të shtresuara njëra mbi tjetrën dhe kështu rëndoj në edhe shumë më shumë pasojën për shoqërinë. Duke parë këto pasoja dhe rrezikun shumë të madh të korrupsionit, në vitin 1992 KE krijoi një “ Grup ndërdisiplinor mbi korrupsionin, dhe kësisoj zyrtarizoi risinë e korrupsionit si një çështje publike, që ka nevojë për rregullime të posaçme. Që atëherë, pasuan edhe mjaft organizma të tjerë ndërkombëtarë.(5)
Pasojat e korrupsionit ngërthejnë pasojat politike, sociale, ekonomike dhe psikologjike. Pasojat politike të korrupsionit janë shumë të mëdha. Ai dëmton drejtpërsëdrejti qëllimin e demokratizimit të vendit. Korrupsioni është një kërcënim serioz për të gjitha regjimet politike. Në mënyrë të veçantë ai përbën një kërcënim të madh për demokracitë.(6)
Korrupsioni godet sidomos shtetet që ndodhen në rrugën e transicionit dhe ato që ballafaqohen me stabilitet të paqëndrueshëm politik. Dr.Luan Gjonça thotë: Fenomeni i korrupsionit, po nuk u luftua në kohë, mund të kthehet duke mposhtur shtetin në “sistemin korruptiv”.(7)
Pasojat ekonomike të korrupsionit janë shumë të mëdha. Korrupsioni si formë e krimit të organizuar, paraqet kërcënimin më të madh të stabilitetit ekonomik të një vendi. Madje kjo dukuri negative dhe shkatërruese, pengon dhe në masë të madhe pamundëson, zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos të vendeve në transicion. Ky kriminalitet pengon ringjalljen e ekonomisë përmes investimeve e privatizimit, përmirësimin e pozitës materiale të punonjësve që realizojnë të ardhura e mbështetje tjetër financiare nga buxheti i shtetit. Sipas disa parashikimeve, dëmet që i shkakton korrupsioni, vlerësohen në miliarda.(8)
Madje me një vështrim shumë të thjeshtë, mund të shohim se të gjitha ato shtete të cilat njihen si shtete të korruptuara, janë në një varfëri shumë të madhe. Drita e shpëtimit të tyre është atje ku fillon çrrënjosja e korrupsionit.

Format e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit

Luftimi dhe parandalimi i korrupsionit si formë e veçantë e kriminalitetit në përgjithësi, arrihet me anë të masave parandaluese dhe represive. Këto masa në tërësinë e tyre burojnë nga legjislacioni juridik-penal i vendit dhe nga tërësia e parimeve të politikës kriminale. Marrë në përgjithësi, format e luftimit të korrupsionit, bazuar në nevojën e pasurimit të legjislacionit juridik-penal, përfshijnë:
1. Legjislacionin specifik antikorrupsion: Qëllimi i miratimit të ligjeve të veçanta të antikorrupsionit është vetëdijesimi i popullsisë dhe përkufizimi i sjelljeve që janë subjekt i ndalimit të korrupsionit dhe fushat e veçanta që janë tejet të ndjeshme për korrupsionin.
2. Ligjësimin e mjeteve të veçanta për zbulimin, hetimin dhe luftimin e korrupsionit.
3. Ratifikimin e konventave ndërkombëtare të fushës juridiko-penale.
4. Ligjësimin e agjencive të veçanta antikorrupsion dhe përcaktimin e detyrave të tyre duke ruajtur skajshmërisht paanësinë dhe pavarësinë e tyre.
Ndërsa si forma të përgjithshme të politikës kriminale për luftimin e korrupsionit, mund të jenë:
1. Ndërmarrja e masave për ruajtjen e shëndetit moral të popullatës dhe ndërprerjen e degradimit të vlerave etike e morale të shoqërisë nëpërmjet fuqizimit institucional të vlerave të traditës së qytetarëve të vendit.
2. Realizimi shumë më i fuqishëm i rolit mbikëqyrës të komisioneve funksionale të Kuvendit të Kosovës ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në aspektin e çrrënjosjes së korrupsionit institucional.
3. Zbatimi i studimit në administratën shtetërore përkitazi me strukturën farefisnore, politike dhe rajonale të të punësuarve në administratën shtetërore, në aspektin e ndërlidhjes së punësimit me strukturat politike dhe qeveritare në vend, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
4. Përcaktimi i përgjegjësisë së institucioneve, që, në bazë të Kushtetutës, janë të obliguara të parandalojnë dhe të çrrënjosin korrupsionin në vend.
5. Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të prokurorisë, përfshirë shkallën e domosdoshme të sigurisë si dhe kompensimin adekuat material.
6. Zbatimi i legjislacionit aktual antikorrupsion si dhe plotësimi i tij me norma të reja në procesin e aderimit, ratifikimit dhe nënshkrimit të instrumenteve ndërkombëtare në fushën penale.
7. Reformimi i gjyqësorit dhe freskimi i tij me kuadro të reja, profesionale dhe pa hipoteka në të kaluarën.
8. Fuqizimi i rolit të Agjencisë Antikorrupsion dhe ruajtja e paanësisë së saj.
9. Fuqizimi i medieve dhe shoqërisë civile si mekanizma fondamentalë për parandalimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit në vend.
___________________
(1)Hysi, Vasilika. Hyrje në kriminologji dhe pentologji, Tiranë, 2000, f.66 (2)Hajdari, Azem. Kriminalitetit I Organizuar, Prishtinë, 2006, fq. 130 (3) Hajdar, Azem. Veprat penale me natyrë korrupsioni,,47-50. (4)http:wwwww.assembly-kosova.orgwcommonwdocswligjetw2004_34_al.pdf (5)Latifi, Vesel. Kriminalistika, Prishtinë, 2006, f. 202. (6)Latifi, Vesel. Politika kriminale, Prishtinë, 2008, f. 242 (7)Gjonça Luan, Korrupsioni, Tiranë, 2005, 228-229 (8)Hajdari, Azem, Ibid, f. 131.(7)Latifi, Vesel, Ibid f. 242

Abdullah Klinaku

Dituria Islame 238.

Exit mobile version