Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një sërë ngjarjesh që kanë tronditur shoqërinë mbarë. Fjala është për dhunën si fenomen tek adoleshentët. Nuk janë të rralla rastet kur fenomenet negative vërehen tek adoleshentët, mbase edhe për shkak të moshës së re që kanë dhe të papjekurisë për të marrë vendimet e duhura, por dhuna sikur kjo që pamë këto ditët e fundit dhe e cila rezultoi me viktima, është diçka për tu shqetësuar.
Nga perspektiva jonë fetare, konsiderojmë se shkak i këtij fenomeni dhe fenomeneve tjera është mungesa e edukimit të mirëfilltë, e me theks të veçantë mungesës së edukimit fetar, andaj, sot, para jush, të dashur vëllezër xhematlinj, do të prezantojmë rolin dhe rëndësinë që ka feja në edukim, si një hap konkret për ta luftuar këtë dukuri por edhe si një thirrje për autoritetet tona që t’i japin dritën jeshile edukimit fetar në shkolla sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që këto fenomene të mos kenë këtë fuqi vrasëse.
Përgjegjësia e prindërve
Si shkak kryesor i dhunës tek adoleshentët konsiderohet dhuna në familje. Keqtrajtimi fizik e moral i fëmijëve brenda në shtëpi reflekton në sjelljet e tyre jashtë shtëpisë. Ky fakt fajtor të parë të këtij fenomeni e nxjerrë prindin, respektivisht papërgjegjësinë e tij në edukimin e mirëfilltë të fëmijës. Këtu vjen në shprehje roli dhe rëndësia e edukimit fetar. Feja na mëson se fëmijët janë amanet andaj duhet kujdesur për ta. Allahu xh.sh., na mëson në Kur’an:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا﴾
“O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri,…” [Tahrim: 6.]
Në koment të këtij ajeti, disa dijetarë kanë thënë: edukoni dhe mësoni!
Profeti Muhammed ﷺ na ka mësuar: “Ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë ju do të merreni në pyetje për tufën tuaj…” [Transmetim unanim]
Pra, prindi është në pozitën e udhëheqësit dhe, siç duhet të mbajë përgjegjësi një udhëheqës për veprimet e veta, ashtu duhet edhe një prind për menaxhimin me familjen dhe fëmijët.
Shkak tjetër: Edukimi material, e jo moral-shpirtëror
Edukimi për sjelljet është sikur ushqimi për shëndetin. Ashtu siç kequshqyerja dëmton, po kështu edhe keqedukimi dëmton. Pra, nuk kemi të bëjmë çdoherë me sjellje të vrazhdë. Ndonjëherë edhe butësia dhe mirësjellja por jo në vendin e duhur japin efektin negativ. Më qartë, në edukimin e fëmijëve sot më shumë i jepet rëndësi anës materiale: fitimit të pasurisë, shkollimit për ta zënë një pozitë apo vend pune të mirë, jo edukimit për të qenë më të virtytshëm, më të dinjitetshëm, më besimtarë, më të përmbajtur nga ndalesat. Ne ua kemi mësuar çmimet për këtë shkak fëmijët nuk dinë për vlera. Ata duan të fitojnë, jo të ndihmojnë. Duan të kenë shumë e më shumë, jo të kënaqen me atë që e kanë. Presioni që ndiejnë shpeshherë i bën të papërmbajtur, ua humb durimin, andaj edhe kemi zënka, fjalosje, konflikte të cilat ndonjëherë dinë të jenë edhe të vrazhda sikur këto që po marrin jetë. Kësisoj, nëse duam ta ndryshojmë këtë gjendje, na duhet ta ndryshojmë diskursin edukativ. Fëmijëve duhet tua mësojmë vlerat dhe virtytet para çdo gjëje, sepse kështu i përgatisim për çdo sfidë, për çdo gjendje, për çdo problem. Kjo është praktika se si profetët i kanë edukuar bijtë e tyre. Ja çfarë na mëson Kur’ani:
﴿وَوَصَّى بِهَا إِبْرَاهِيمُ بَنِيهِ وَيَعْقُوبُ يَا بَنِيَّ إِنَّ اللَّهَ اصْطَفَى لَكُمُ الدِّينَ فَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ * أَمْ كُنْتُمْ شُهَدَاءَ إِذْ حَضَرَ يَعْقُوبَ الْمَوْتُ إِذْ قَالَ لِبَنِيهِ مَا تَعْبُدُونَ مِنْ بَعْدِي قَالُوا نَعْبُدُ إِلَهَكَ وَإِلَهَ آبَائِكَ إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ وَإِسْحَاقَ إِلَهًا وَاحِدًا وَنَحْنُ لَهُ مُسْلِمُونَ﴾
“Ibrahimi u rekomandoi këtë fëmijëve të tij, po edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Allahu me të vërtetë ka zgjedhë për ju fenë e vërtetë, dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë!” A ishit ju prezent kur Jakubit iu afrua vdekja, dhe i pyeti të bijtë: “Kënd do ta adhuroni pas meje?” – Ata u përgjigjën: “Na do ta adhurojmë Zotin tënd (i cili është) edhe Zoti i baballarëve tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zotit të vetëm, dhe ne i bindemi vetëm Atij!”.” [Bekare: 132-133]
T’i edukosh për të qenë besimtarë të përkushtuar nënkupton t’i edukosh për të qenë qytetarë të ndershëm sepse, siç kanë shpjeguar dijetarët, devotshmëria nuk nënkupton vetëm përmbushjen e detyrave ndaj Allahut xh.sh., por edhe ndaj njerëzve.
Mungesa e përkujdesjes shoqërore
Dhuna tek adoleshentët shfaqet edhe kur ata ndihen inferiorë ose të lënë anash. Më shumë vërehet tek jetimët, të cilët, në mungesë të prindit/prindërve ndihen pothuajse të huaj. Për ta shfryrë mllefin bëjnë veprime të këtilla të dhunshme. Këtu qëndron arsyeja pse feja për jetimin parasheh kujdes material dhe moral. Jetimi duhet të ndjehet pjesë e shoqërisë, të afrohet, të integrohet, të përkrahet. Ndryshe, keqtrajtimi fizik e emocional i jetimit është imazh i fetarisë së rreme. Allahu xh.sh., thotë:
﴿أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ ﴿١﴾ فَذَٰلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ ﴾
“A di ti për atë që e përgënjeshtron Ditën e llogarisë (e shpërblimit)? (1) E ai është, i cili ashpër i dëbon bonjakët.” [Maunë: 1-2]
Ky ajet, siç kanë përmendur komentuesit, bën fjalë për atë që nga vrazhdësia e zemrës e përbuz dhe anashkalon jetimin. Për të mos lejuar një gjë të tillë, Profeti Muhammed ﷺ ka shpjeguar se përkujdesja për jetimin është vepër e madhe, e cila besimtarit i dhuron si shpërblim shoqërimin e tij ﷺ në Xhenet.
Shkak i tretë: Kultura e prezantuar në media
Si shkak tjetër që çon në dhunë të të rinjve është edhe materiali kulturor që plasohet në media. Ato që janë antivlera prezantohen si vlera. Ajo që më së paku ka të bëjë me artin prezantohet si art. E bukura, e mira, e madhërishmja, janë art, por jo edhe zhveshja, lakuriqësia, drogat, armët…
Së këndejmi, këto gjëra ndikojnë në shfaqjen e sjelljeve dhe dukurive të këtilla devijuese. Për këtë shkak promotorët e shthurjes janë të kërcënuar me dënim nga Allahu xh.sh.
﴿إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۚ وَاللَّـهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ﴾
“Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet amoraliteti, ata i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk e dini.” [Nur: 19]
Përfundim
Nëpërmjet trajtimit të shkaqeve të dukurisë së dhunës tek të rinjtë ne mund të perceptojmë edhe rëndësinë dhe rolin që feja luan në luftimin e kësaj dhe dukurive tjera devijante. Siç mund të shohim, është një thirrje për mobilizim të gjithmbarshëm: familje, rreth, shoqëri, andaj edhe nga kjo perspektivë vjen thirrja që edukimi fetar të futet në sistemin arsimor, sepse kështu do të kishim prindër më të përgjegjshëm, fëmijë më të edukuar, qytetarë më të ndershëm, shoqëri më të mirë.