Skuadra e Fenerbahçes po planifikon të bëjë një lëvizje befasuese në afatin kalimtar të kësaj vere.
Mediumet turke raportojnë të enjten se drejtuesit e Fenerbahçes po synojnë transferimin e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi.
Tek Fenerbahçe janë të bindur se mund t’i sigurojnë shërbimet e Muriqit dhe tashmë po bëjnë gati ofertën si për Mallorcan ashtu edhe për sulmuesin 29-vjeçar.
Muriqi te skuadra turke po shihet si zëvendësim ideal për belgun Michy Batshuayi, të cilit kontrata me Fenerbahçen i skadon këtë verë. Muriqi ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2027, ndërsa më herët ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të largohet nga ekipi spanjoll.
Megjithatë, tek Fenerbahçe besojnë se mund ta bindin Muriqin për t’u kthyer në Turqi. Në fakt, Muriqi ishte pjesë e Fenerbahçes në sezonin 2019/20, përpara se të transferohej tek Lazio dhe pastaj ta vazhdoj karrierën në Spanjë.
29-vjeçari këtë edicion ka shënuar 5 gola dhe ka bërë 2 asistime në 27 paraqitje për skuadrën e Mallorcas, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 15 milionë euro.