Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka gjasa të mëdha që gjatë kësaj vere të rikthehet në futbollin turk.
Mediumet nga Turqia kanë raportuar të enjten se Muriqi mund t’i bashkohet Fenerbahçes, ekip që pothuajse ka arritur marrëveshje si me futbollistin ashtu edhe Mallorcan.
Tek Fenerbahçe do të bëjnë të pamundurën për ta siguruar Muriqin, i cili po shihet si zëvendësim ideal për Edin Xhekon.
Në fakt, Fenerbahçe po negocion me Mallorcan pasi Muriqi me ekipin nga Spanja ka kontratë deri në vitin 2027. Mësohet se Mallorca po kërkon të paktën 12 milionë euro për Muriqin, i cili këtë sezon ka shënuar 7 gola në të gjitha garat.
Fenerbahçe po negocion për ta ulur çmimin për Muriqin, pasi për transferimin e 30-vjeçarit po ofron 8 milionë euro dhe bisedimet mes klubeve po vazhdojnë. Muriqi gjatë sezonit 2019/20 ishte pjesë e Fenerbahçes, përpara se t’i bashkohet Lazios dhe pastaj Mallorcas.