Ballina Lajmet Shqipëri “Fëmijët me aftësi të kufizuara jetojnë pa shërbime dhe në familje të...

“Fëmijët me aftësi të kufizuara jetojnë pa shërbime dhe në familje të varfëra”

Një në 10 fëmijë në Shqipëri ka një aftësi të kufizuar, por pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në familje të varfra.

Tre organizata joqeveritare të njohura publikuan sot një studim, ku del në dritë fakti se shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbime shëndetësore dhe arsimore nga qeveria, ndërsa familjet e tyre kanë të ardhura të pakta.

Sipas studimit, 66% e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në familje të varfra dhe nuk marrin shërbimet nga arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale.

Studimi i organizatave Save the Children, World Vision dhe Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara zbuloi se shumica dërrmuese e prindërve me fëmijëve me aftësi të kufizuara, nuk mund të përballojnë shpenzimet e shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u duhen fëmijëve.

Këto shërbime mungojnë në zonat e tyre të banimit dhe në afro 60% të fëmijëve diagnostikimi u bë nga mjeku i familjes dhe jo nga specialistët, ndërsa familjet e tyre kanë të ardhura të pakta.

Nga ana tjetër, 25 % e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk shkojnë në shkollë.

Në fakt, vetëm 8 për qind e fëmijëve marrin shërbime të specializuara.

Të dhënat zyrtare tregojnë mungesë të theksuar të shërbimeve sociale, shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe mungesa në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për të siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla të zakonshme.

Studimi theksoi se qeveria duhet të shtojë nëpër bashki specialistët për shërbime në arsim e shëndetësi, si dhe infrastrukturën e duhur në shkolla dhe qendra ditore komunitare./VOA/

Exit mobile version