Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, ka thënë se më të prekurit nga shkeljet e Izraelit ndaj palestinezëve janë fëmijët, raporton Anadolu Agency (AA).
“I themeluar nga okupimi, Izraeli shkel marrëveshjet ndërkombëtare. Në vitin 2009 themeloi gjykata dhe burgje speciale për fëmijë”, tha Abbas në simpoziumin ndërkombëtar në Kuvajt me temë “Problemet e fëmijëve palestinezë përballë shkeljeve të të drejtave të fëmijëve nga Izraeli, organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Ligës Arabe.
Abbas tha se Palestina, nga ana tjetër, është duke vazhduar t’i formojë institucionet në bazë të ligjit dhe t’u ofrojë rol grave dhe të rinjve.
“Ky qëndrim i Palestinës do të jetë kontribut pozitiv për përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe familjeve, në rrugën për formimin e shtetit të pavarur palestinez me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor”, shtoi lideri palestinez.
Ndryshe, në vitin 2015, Izraeli miratoi një ligj i cili lejonte nxjerrjen e fëmijëve të moshës nën 12 vjeçe në gjykatë dhe burgimin e tyre administrativ.
Sipas të dhënave të autoriteteve zyrtare palestineze, në burgjet izraelite ndodhen rreth shtatë mijë palestinezë, prej të cilëve 300 janë fëmijë.