Katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe bektashinj. Të parët e mi kishin përqafuar të katër besimet fetare, ndërsa unë linda dhe jetova fëmijërinë dhe rininë e parë me një ligj që ndalonte besimin fetar. Pas kthimit të këtij besimi, bëra përpjekje për të gjetur veten mes këtyre katër feve, duke vizituar Mekën në Arabinë Saudite, Shën Sofinë në Stamboll, Katedralen Katolike të Bostonit dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë. Pas stërmundimeve për të gjetur fenë time, e vetmja zgjidhje ishte: “Zoti është një” dhe “Pa Atdhe nuk ka fe”, nga të cilat më vjen parimi im shpirtëror që i respektoj të katërta besimet.
Roland QAFOKU, Tiranë
Unë linda në 1968, një vit pasi në Shqipëri u ndalua me ligj besimi fetar. U rrita dhe u edukova në shkollë nga klasa e parë derisa u diplomova me imponimin dhe dogmën se Zoti nuk ekzistonte, porse gjyshërit nga mëngjesi në mbrëmje më uronin me fjalët “për atë Zot”. Pas kthimit të lirisë së besimit fetar në 1991, u formova, u edukova dhe mësova rreth fesë me metodën autodidakte. Lexova në kohë shumë të shkurtër libra pa fund për të fituar kohën e humbur. Mësova se Zoti, jo vetëm që ekzistonte, por lidhja ime me të u bë shpirtërore, plot vullnet dhe me besim. Por, ndërsa kuptova se Zoti është një, ndjehesha i tallazuar ndër vete se cilës fe i përkisja. Nëse do të gërvishtja veten sado pak në trup, dilja i krishterë. Të parët e mi para më shumë se 1 mijë vjetësh më rezultonin të krishterë katolikë dhe kjo vërtetohej nga gjetjet e kishës së shekullit të 7-të në breg të lumit Osum, që në fëmijërinë time më kujtohej që atë vend e quanim “Kodra e Kishës”, edhe pse aty nuk kishte kishë, por themelet e saj janë edhe sot të varrosura nën tokë. Më pas kishin qenë ortodoksë dhe kjo u vërtetua me zbulimin pranë shtëpisë së prindërve të mi në qytetin e Çorovodës të një peshkopate që i përkiste shekullit të 14-të. Më pas akoma, të parët e mi u konvertuan në myslimanë dhe këtë e vërteton gjetja e gërmadhave të disa xhamive të zbuluara po aty pranë vendbanimeve të të parëve të mi. Më pas akoma, rreth vitit 1850, të parët e mi përqafuan sektin bektashi dhe familja e nënës sime prej 100 vjetësh në oborrin e shtëpisë së saj kishte një Mekam, që është një derivat i Teqesë së Madhe të Prishtës. Edhe paraardhësit nga ana e babait e përqafuan sektin bektashi dhe nga dera e madhe e Qafokëve doli një figurë ndër më të mëdhatë në historinë e këtij sekti, Dervish Iljazi, që mbiemrin e kishte Qafoku. Pra, ç’duhet të bëja unë me origjinën e të parëve të mi, që kishin përqafuar katër fe të ndryshme? Ç’duhet të bëja unë me jetën time të nisur me një ligj që e ndalonte fenë, besimin fetar? Dhe, më e rëndësishmja, çfarë besimi duhet të përqafoja? Në momentin që ndjehesha shumë i orientuar në besimin në Zot, ndjehesha i çorientur se cilës fe i përkisja. I vetmi shpëtim ishte se isha tepër i bindur se Zoti ishte ai që udhëheq fenë time. Por, ndodhi diçka në jetën time që ndikoi shumë. Në nëntor të vitit 2000, si pjesë e një delegacioni me gazetarë të ftuar nga qeveria e Arabisë Saudite, pata mundësi ta vizitoja Xhaminë e Mekës. Në momentin që përpara syve të mi mu shfaq qendra e botës islame, pësova një tërheqje gravitacionale që nuk e shpjegoja në ato momente. Por, i mësuar me “gërvishtjet në trup”, përsëri e lidha me të parët e mi. Aty te Guri i Qabesë imagjinova se sa e sa herë duhet të jenë falur katragjyshët e mi teksa ishin nizamë në tokat e paana të Arabisë dhe Jemenit apo vendeve të tjera që ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Po aty, të ai Gur i Shenjtë, lindi kënga e famshme “Mbeçë more shokë mbeçë”, që është një nga perlat e repertorit të isopolifonisë toske kënduar nga krahina nga unë vij, Demir Zyka. Ngjarja e dytë lidhet me vizitën te Shën Sofia në Stamboll. Dikur kisha simbol i Ortodoksisë dhe Perandorisë Bizantit, më pas xhami dhe tani një muze, ndjeva të njëjtën tërheqje gravitacionale si në Mekë. Ngjarja e tretë lidhej me Katedralen Katolike në Boston. Kur unë vizitova për herë të parë, ndjeva të njëjtën tërheqje gravitacionale të njëjtë si ajo në Mekë. Teksa kryeja pothuajse i pasigurt ritin katolik, m’u kujtuan falët e gjyshes që përsëriste jo rrallë, me zë të ulët frazën “Kur ishim ashtu”. E pyeta njëherë “Çfarë kemi qenë ashtu?; Çfarë do të thoshte ajo fjala ashtu”. Më mori me vete diku në një cep të shtëpisë së madhe. Më dha një karamele dhe më pëshpëriti në vesh “të krishterë”. Sigurisht që gjyshja ime nuk e mbante mend vetë, por gojë më gojë dhe e shoqëruar edhe nga një karamele në dorë siç më dha mua, vargje-vargje, të parët ia kishin transmetuar edhe asaj, se kishin qenë të krishterë. Ngjarja e tretë ndodhi kur vizitova Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. Ndjeva të njëjtën tërheqje. Ishte vërtetë magjepsëse për mua teksa shikoja kolonadat e institucionit të vetëm botëror me qendër në Tiranë. Në vitin 1916, një nga paraardhësit e familjes së madhe Qafoku de kishte themeluar dhe ngritur teqenë në afërsi të majës së malit të Tomorrit. Iljaz Qafoku, që njihet si Dervish Iljazi, kishte kthyer ritin pagan dymijëvjeçar në një rit bektashi. Ishte ai rit që ai vetë dhe shumë e shumë të tjerë e kishin kryer në atë zonë të shenjtë në shërbim të zotave. E kishin kthyer më pas në shërbim të Krishterimit. Por, që nga ai vit ai u bë rit zyrtar i Bektashizmit. Edhe më të lidhur me bektashizmin ishin nga linja e nënës. Familja e saj kishte ngritur një Mekam në lagjen Meslanaj në Vëndreshën e Dytë dhe ajo godinë ku kryente ritet familja, lagja dhe fshati dhe ishte kthyer në një minitempull, lidhej dhe varej nga Teqeja e Prishtës. Demir Meslani ishte stërgjyshi im që ishte i pari i atij Mekami. E kishte ngritur vetë dhe kujdesej po vetë që aty të kryheshin të gjitha ritet dhe aty kujtoheshin të gjitha festat fetare. Një ditë gushti të vitit 1967 partia në pushtet urdhëroi të rinjtë e fshatit ta shkatërronin. Sapo kishte dalë ligji që ndalonte besimin fetar dhe prishja e atij objekti ishte vetëm një formalitet. Plaku Demir Meslani në moshë 104-vjeçare nuk lejoi askënd të prekte qoftë edhe një gur të vetëm. “E marr unë përsipër”, tha dhe prishi atë që e kishte ndërtuar vetë me besimin në Zot. Pas këtij veprimi, zuri krevatin dhe pas një jave vdiq. Në fakt, ishte një vetëflijim, duke marrë me vete të gjitha mëkatet e atij shkatërrimi.
Çdokush do të ishte mbytur me histori kaq të ngatërruar dhe ndërlikuara me fenë. Por, unë besoj se si ky tallazimi im ka shumë shqiptarë të tjerë, në Tiranë dhe anekënd Shqipërisë. Këtë tallazim e konfirmon edhe fakti që vërtet shteti shqiptar me moshë 112-vjeçare ka një histori relativisht të vjetër të parlamentarizmit, por ka një histori shumë të re të raportit të shtetit me fenë. Vërtetë kryeministri i parë, Ismail Qemali, atë dhjetor të vitit 1912 u kujdes të krijonte një kabinet në të cilin të kishte përfaqësim sa më të denjë fetar, por ky ishte thjesht një impenjim i tij. Raporti i feve me ligj u diskutua për herë të parë në vitin 1921. Kështu, në parlamentin e parë, atë të dalë nga zgjedhjet e para në Shqipëri, më 4 prill 1921, një nga diskutimet që do të përcaktoheshin si pjesë e kushtetutës së asaj kohe ishte edhe pozita juridike e feve në Shqipëri. Sot është tejet interesante të lexosh, pas më shumë se 103 vjetësh, se si deputetët e parë, të parlamentit të parë, të dalë nga zgjedhjet e para të zhvilluara në Shqipëri, diskutonin dhe debatonin nëse Shqipëria duhet të kishte fe zyrtare apo jo. Dhe, nëse po, cila fe duhet të ishte ajo? Cila nga fetë, ajo myslimane, katolike, ortodokse, apo sekti bektashi duhet të ishte ajo që duhet të mbizotëronte? Por, vizioni i atyre deputetëve i dha fund jo thjesht një dileme. Aty u vendos për një çështje me të cilën sot duhet të ndjehemi të gjithë krenarë. Kështu, oratori i atij parlamenti, deputeti Ali Këlcyra, thoshte në mbledhjen e 55-të:
“Shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare. Asnjë çështje fetare nuk firmon në asnjë mënyrë një pengim juridik.” (Këlcyra Ali, Pjesë nga fjalimi në parlament, Mbledhja 55, Libri Debat parlamentar para një shekulli, shtëpia botuese Horizont, Tiranë, 2008, faqe 163).
Edhe më interesant është fjala në parlament e Visar Xhuvanit, që ndonëse ishte i pari i kishës ortodokse në Shqipëri dhe ndonëse ishte dakord me propozimin e Ali Këlcyrës, tha:
“Duhet të merret parasysh edhe një frazë tjetër që të shtohet se propagandat fetare janë të ndaluara e lirija e fesë është gjëja më e çmuar dhe përgëzimi më i madh që duhet të ketë kombi ynë. Në qoftëse shtohet edhe kjo gjë do të mbyllim portën e madhe e të vogël të grindjeve fetare duke marrë parasysh se kjo fjalë është e shtuar edhe në statuset e fqinjëve tanë”. (Xhuvani Visar, Pjesë nga fjalimi në parlament, Mbledhja 55, Libri Debat parlamentar para një shekulli, Shtëpia Botuese Horizont, Tiranë, 2008, faqe 164).
Edhe një mendje tjetër brilante e asaj kohe e atij parlamenti, si Sejfi Vllamasi, ka dhënë një mendim të vyer. Tha Vllamasi në atë seancë:
“Shteti nuk ka fe zyrtare. Të gjitha fetë janë të nderuara dhe liria e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyre është e siguruar. Feja në asnjë mënyrë nuk formon pengim juridik.” (Vllamasai Sejfi, Pjesë nga fjalimi në parlament, mbledhja 55, Libri Debat parlamentar para një shekulli, Shtëpia Botuese Horizont, Tiranë, 2008, faqe 174)
Kjo panoramë fjalimesh tregon se populli shqiptar ka qenë aq i lidhur me fenë dhe po aq tolerant. A ka ardhur kjo nga ndërrimi i feve, e cila mund të ketë sjellë që shqiptarët të pranojnë fetë të tjera te njerëzit që brenda familjes, të të afërm dhe deri të panjohur, këtë nuk di ta them. Por, di që kjo tolerancë është aseti më i madh që ka shoqëria shqiptare. Pranimi i katër feve i ka bërë shqiptarët më të gjerë në pranimin e fesë së tjetrit. Si fakt po jap një detaj. Në portën e Teqesë së Kulmakut, kur e ndërtoi në vitin 1916, Dervish Ilaz Qafoku shkroi: Pa atdhe nuk ka fe! Kjo është një frazë aq e bukur, saqë mua më ngazëllen sot pas më shumë se një shekulli dhe më bënë tejet krenar. Por, po kaq krenar më bëjnë edhe vlerat katolike dhe ato ortodokse të të parëve të mi. Unë nuk ndaj dot sot nëse jam vetëm bektashi, vetëm katolik, vetëm mysliman apo vetëm ortodoks. Të parët e mi i kishin të katër këto fe, kështu që kam zgjedhur t’i respektoj të gjithë katragjyshërit e mi, si nga babai dhe nga nëna, si nga linja mashkullore dhe ajo femërore. Prandaj sot ndjehem mirë kur shkoj në teqe. Por, po aq mirë ndjehem kur shkoj edhe në xhami. Por, aq mirë ndjehem edhe kur shkoj në Katedralen Katolike dhe po aq mirë kur shkoj në Katedralen Ortodokse. Mbi të gjitha, Zoti është një. Për këtë jam i sigurt edhe vetë, por edhe të parët e mi ma ka lënë kështu trashëgimi. /revistashenja