Puna për të ndërtuar opinion publik të saktë dhe të drejtë është detyrë shoqërore (farz kifaje). Sot janë mediet arena ku zhvillohet lufta më e ashpër ndërmjet së mirës dhe së keqes.
Zoti i madhëruar thotë në Kuran:
“Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…” (Sureja Ali Imran, ajeti 110)
Këtë ajet, dijetarët islamë që merren me çështjet mediale e konsiderojnë ndër argumentet kryesore obliguese për punën e ndërtimit të opinionit publik.
Do të thotë vërejnë se brenda kuptimit të veprimtarisë së përgjithshme të ajetit “urdhërojnë të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…”, hyn edhe kuptimi i veprimtarisë së veçantë “përpiqen të ndërtojnë opinion publik në favor të së vërtetës, të së drejtës, të virtyteve…”
Po ta përkthejmë në rrethanat bashkëkohore, i bie që një pjesë e njerëzve të ditur të fesë duhet të kenë pajetër akses (qasje, që i themi ne kosovarët) në mediet.
Në kohën në të cilën jetojmë, nuk mund të mendohen policitë fetare, edhe ajo që ishte në Arabinë Saudite tashmë ka pushuar së vepruari.
Ky fakt, që te ne ndërlidhet me evoluimin e përceptimit të të drejtave dhe lirive individuale, që gjithnjë e më shumë po përceptohen sipas ligjeve sekulare; e bën edhe më të nevojshme e më të përqendruar punën për të ndërtuar opinion publik.
Disa venerime për çështjen e ndërtimit të opinionit publik, në lidhje me ajetin:
“Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…”. (Sureja Ali Imran, ajeti 110)
1. Lëvdata në këtë ajet për ymetin e Muhamedit a.s. se janë ymeti më i mirë, jepet e kushtëzuar: jeni ymeti më i mirë nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…
Ky kushtëzim nuk shprehet me fjalë të pavaruara, por përftohet nga lloji i lidhjes sintaksore të fjalive: nga mungesa e një fjale shërbyese nëpërmjet së cilës do të lidheshin fjalitë, në gjuhën kuranore përftohet kuptimi i kushtit si raport ndërmjet kuptimeve të fjalisë kryesore dhe të asaj të varur (jeni kështu, nëse ruani këtë karakteristikë)
Prandaj, kur ky ajet përkthehet në gjuhë të tjera, si në gjuhën shqipe, për ta dhënë dhe këtë kuptim të kushtit që përmbahet në ajet; idenë e raportit kushtor ndërmjet kuptimeve të fjalive duhet ta japim me fjalë – me mjete lidhëse: jeni ymeti më i mirë nga njerëzit nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…
2. Dijetari Muhamed es-Sharavi duke vërejtur se në këtë ajet Zoti, duke lëvduar një kategori njerëzish, më parë u përmend që urdhërojnë për bërje të veprave të mbara e për mosbërje të punëve të mbrapshta e tek pastaj ua përmend besimin (Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…), thotë që Zoti është shprehur me këtë renditje për të lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjerë, që nuk janë ymet i Muhamedit a.s., që do të anojnë nga e mbara dhe që do të thërrasin për të mbarën.
Prandaj, detyrë e orientuesve fetarë (atyre që planifikojnë politikat fetare) është edhe identifikimi i prirjeve të shëndosha e të mbara në shoqëritë ku jetojnë, jo t’i trajtojnë krejt të tjerët njësoj me idenë e mosbesimit. Feja jonë nuk është dogmatike në kuptimin siç e marrin të tjerët (ndryshe, nuk do të vihej puna e mbarë e përgjithshme para besimit në këtë ajet të Kuranit), kurse ne shpesh biem viktimë e përceptimeve të tyre për fenë tonë.
Vijon: A të përkthehet pjesa e ajetit (tenhevne) : “ndalojnë” apo “urdhërojnë të mos”? Çka ka të veçantë për këtë folje dhe rrjedhojat e saj gjuha kuranore?
/Ilmi Rexhepi/