Feja apo kombi – absurdi i manipulimit të panevojshëm

Hajrudin. S. MUJA

Ndonëse kombet lindën dhe u zhvilluan gradualisht në shekujt XVIII – XIX, si një pseudo-religjion, të cilin Perëndimi e krijoi me qëllim të plotësimit të vakumit ideologjik, paralelisht lindën edhe mitet e një të kaluare “të largët” kombëtare, si burim kritik i problemeve të sotme. Studiuesit e kësaj fushe pohojnë se në fillet e krijimit “kombëtar”, ishte patjetër i nevojshëm miti i “armikut të përbashkët”, që për popullatën ballkanase të atij shekulli, ishin osmanët. Kjo ishte një lojë e Fuqive të Mëdha, që kombësitë i përdorte si vegla oportunizmi për fitimin e lojës kundrejt njëra-tjetrës.
Historiografia shqiptare e periudhës pas osmane i mori si “copy-paste” historiografitë e komb-shteteve fqinje, duke luftuar për “emancipimin kombëtar” dhe “konsolidimin e kombit” të saj, duke e përshkruar periudhën osmane si një “shtypje” rrënjësisht të huaj me perceptimin e “prapambetjes” dhe “uzurpimit”.(1) Ajo shërbehet po me ato “kujtime” për të mbështetur një argument të tillë.(2) Në shkollat tona jemi mësuar për këtë pushtues të huaj që pengoi emancipimin dhe përparimin tonë. Por, shqiptarët, duke qenë me shumicë myslimane, pronarë të pasur që garonin për pozita të larta dhe karriera të suksesshme qeveritare dhe ushtarake,(3) u ndjenë më të rrezikuar nga nacionalizmat fashizoide të fqinjëve, prandaj qenë më të vonshëm në këtë drejtim. Vetëm kur e kuptuan që perandoria ishte në prag të zhbërjes, ata filluan të braktisnin këto struktura, për t›u bashkuar me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare(4) dhe për të kursyer atë që mund të kursehej.
Ç’është e vërteta, në kohën e Naum Veqilharxhit (1797-1846), që shpesh konsiderohet si pararendës dhe ideolog i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, identiteti fetar ishte ende me ndikim te shqiptarët dhe vendosja e identitetit kombëtar mbi atë fetar, do të ishte çështja kryesore për nacionalistët shqiptarë, gjatë gjithë shekullit XIX. Gjatë një periudhe të gjatë, të qenët shqiptar apo arnaut, ishte njëkohësisht edhe të qenët mysliman, sepse shqiptarët, në shumicë e konsideronin veten si pjesë e ymetit islam. Një elitë e konsiderueshme intelektuale, edhe sot mbron tezën, se islamizimi i shqiptarëve (pra fetarja e tyre), dalloi etnicitetin shqiptar nga ai i serbëve dhe grekëve, duke shpëtuar kështu “identitetin kombëtar”. Islami u shërbeu atyre si urë lidhëse midis dy pjesëve të të njëjtës etni, që të mos përfundonin në dy kombësi e dy kombe të ndryshme armiqësore, sikurse kanë përfunduar p.sh. kroatët katolikë me serbët ortodoksë; polakët katolikë dhe rusët ortodoksë dhe irlandezët katolikë me irlandezët protestantë, etj..(5)
Ishte një kohë që nacionalizmi dhe ideologjia nacionaliste laike depërtuan në Evropën Juglindore nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore, kur hasi në një lidhje të pandashme midis fesë dhe identitetit. Kjo ishte një trashëgimi e sistemit të miletit “të lëshuar në një ndërthurje të nacionalizmit dhe fesë”.(6) Përvoja historike e këtij sistemi tregon se ka ndihmuar në krijimin e një identiteti të ri integrues edhe gjatë formimit të nacionalizmit të ri, veçanërisht midis popujve myslimanë. Ky zhvillim kontradiktorë ka qenë rezultat i historisë së përbashkët në të gjitha fazat e ngjarjes.(7) Për më tepër, marrëdhënia ndërmjet identitetit shqiptar dhe kulturës islame është e veçantë, pasi burimorja e fjalës “komb”, origjinon nga fjala arabe “kaum”, e ardhur te shqiptarët përmes osmanishtes, ku feja merrte përparësi kundrejt kulturës, gjuhës dhe racës, në përcaktimin e identitetit.(8) Për këtë arsye Hafëz Ali Korça shpjegoi lidhjen e fesë me kombin në vargjet e tij:
“Nasionalist jam, por fetar si duhet,
Le të thonë bota ashtu si t’u thuhet,
Nasionalisti përse turp të ketë
Tek të thotë ‘e dua me shpirt’ fen’e vetë?”.(9)
Personalitetet më të shquara të Lëvizjeje Kombëtare, si Pashko Vasa (1825-1892), Ymer Prizreni (1820-1887), Abdyl Frashëri (1839-1892), Sami Frashëri (1850-1904), Zija Prishtina, Hasan Tahsini (1811-1881), Jani Vreto (1822- 1900), Ahmet Koronica, Koto Hoxhi (1824-1895), etj., u mblodhën në Stamboll në dhjetor të 1877, duke qenë përfaqësues të gjithë trojeve shqiptare me besime të ndryshme fetare. Vargu lapidar i Pashko Vasës: “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, nuk ishte tjetër veç shprehje e idesë së harmonisë ndërfetare midis shqiptarëve, duke u bërë moto e gjithë Lëvizjes.(10) Ishte koha kur serbët donin sllavizimin e shqiptarëve dhe kur Evropa i trajtonte si një koncept klanesh dhe familjesh të ndara në bazë të besimit të tyre fetar.(11)
Sot çuditërisht, shumë njerëz kanë rezerva të pa arsyeshme në çështjen e përkufizimit të fesë dhe të kombit, dy nocione shoqërore, jo rrallë të ngatërruar aq tepër, sa t’i jepen kuptime kundërshtuese ndërmjet njëratjetrës, duke krijuar kështu një absurd të panevojshëm dhe një betejë në mes dy gjërave që nuk ndeshen fare. Në shumicën e rasteve, “kombëtarët” mbajnë pretendimin e gabueshëm të përvetësuar nga ideologjia kolonialiste dhe komuniste se “feja na lë të prapambetur”, pa aftësi të mjaftueshme për të kuptuar se problemi mund të paraqitet vetëm te mënyra e aplikimit dhe se siguria e kombit është në fe me mundësi të përshtatjes së çdo vendi e kohe, ndërsa siguria e fesë është te Zoti.
Trajtimi i raportit ndërmjet kombit dhe fesë, nuk mund të bëhet pa një njohje të raporteve të tyre, që nga koha kur lind kombi. Dihet se para shekullit XIX, faktori më i rëndësishëm identifikues dhe bashkues ishte besimi fetar. Feja nuk mund të shpjegohet nga pikëpamja e kombëtares. Thirrjet për rehabilitimin e fetares në këndvështrimin e kombëtares janë të dështuara në atë masë sa janë të dështuara edhe thirrjet e kërcënimet për ndërrimin e fesë apo largimin e Islamit nga trojet shqiptare. Sot më shumë se kurrë më parë, duhet të vlerësohet nevoja e fetares dhe e kombëtares. Përsosmëria fetare e bën një komb të vlefshëm, të nderuar e të respektuar para Zotit dhe para kombeve të tjera.
Sipas teorisë së Ernest Renanit, parimi i kombësive është një përfundim i një të kaluare të gjatë përpjekjesh, teorish e dashurish, me lavde të përbashkëta, me të kaluar të përbashkët e me të ardhme të përbashkët.(12) Fjalori i sotëm i gjuhës shqipe e shpjegon si: “një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, territorit, jetës ekonomike dhe formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës”, ndërkohë që Louis P. Pojman i ka dhënë një përkufizim gjithëpërfshirës, sipas të cilit kombi është: “një grup njerëzish, të cilët janë të lidhur së toku përmes burimesh të përbashkëta të kuptimit dhe identitetit, përmes ngjashmërisë etnike, përmes gjuhës, letërsisë, historisë, mitit, fesë dhe elementesh të tjera kulturore”.(13)
Ne mund të pajtohemi ose të mos pajtohemi me përkufizime të këtilla, por duhet të kemi parasysh se kufijtë e shumë vendeve të paraqitura përmes vijave artificiale të demarkacionit, kanë bërë që njerëzit të tregojnë dashuri ndaj këtyre vijave të shtrembëta, të cilat fuqitë kolonizuese i kanë tërhequr nëpër hartat e botës, duke bërë që këtë dashuri ta shndërrojnë në ideologji. Kështu njerëzit filluan ta konsiderojnë veten se i përkasin këtij vendi, duke i trajtuar si të huaj të gjithë ata që mbetën jashtë këtyre vijave. Gjuha dhe historia e përbashkët nuk janë të mjaftueshme për të ndezur zjarrin e vetëdijes kombëtare, sepse amerikanët kanë gjuhë dhe histori të përbashkët me anglezët, por u veçuan dhe u bënë “komb” i pavarur. Zvicra me ndjenja të forta kombëtare ka tre rajone dhe tri gjuhë të ndryshme. Në Indi fliten më shumë se 14 gjuhë, por anglishtja është e vetmja që kuptohet nga të gjithë, megjithëse nuk është gjuhë kombëtare. Banorët e Spanjës dhe të Amerikës Jugore flasin të njëjtën gjuhë, por nuk janë një komb. Të krishterët manoritë dhe myslimanët e Libanit flasin të njëjtën gjuhë, por luftojnë njëri-tjetrin. Dy komunitetet e krishtera të Irlandës së Veriut me gjuhë të përbashkët, luftuan njëri-tjetrin për 30 vjet.(14) Megjithatë, baza e identitetit shqiptar, është kryesisht gjuha, e vetmja që bashkon të gjithë shqiptarët në një bazament mbi të cilën ata japin shembullin e bashkëjetesës me edukime të ndryshme fetare.
Ndryshe nga kombi, feja është një program i Krijuesit, që u mëson krijesave bazat e besimit dhe mënyrën e jetësimit të atij besimi, duke rregulluar raportet e njeriut me Krijuesin, me veten, me familjen, me shoqërinë dhe me kombin e tij. Në përkufizim, feja është: “Marrëdhënia e qenieve njerëzore me Zotin, ose çështje individuale ndërmjet njeriut dhe Zotit.”(15) Ajo duhet t’u japë përgjigje pyetjeve themelore që kanë të bëjnë thellësisht me gjendjen e njeriut nëpërmjet marrëdhënies me të shenjtën, me të mbinatyrshmen apo nëpërmjet perceptimit të natyrës së vërtetë të realitetit. Në kuptimin e zakonshëm, feja shfaqet përmes besimit, ritualizimit dhe përvojës religjioze, që të gjitha këto përbëjnë ushqimin e tij shpirtëror, duke mbështetë fuqishëm moralitetin dhe drejtësinë sociale.(16)
Në trajtën e vet të përkryer, feja është faktori më dominues në historinë njerëzore që paraqet të vërtetën, në harmoni të plotë me nevojat e shpirtit të njeriut dhe prirjeve të tij, prijës i veprimeve në jetën e përditshme, mbrojtës i lumturisë, ngushëllim në periudha mjerimi, ndihmë në çaste vuajtjesh dhe strehë e sigurt kundër kobëve e rreziqeve. Njëri nga krerët politik të shtetit, në prag të pavarësisë së Shqipërisë, për fenë thoshte se po të kuptohet mirë: “ka për qëllim zbutjen e egërsirës që quhet njeri, jo për ta egërsuar më zi se bishën, ka për qëllim për t’i shtënë në zemër dashurinë e jo mëninë. Nuk është feja shkaku i grindjes së njerëzve mes vetes. Kemi luftuem e vramë qysh prej Kabelit e Habelit, e do të vazhdojmë në atë rrugë deri në amshim edhe ndërmjet gjindësh të një feje, të një race e të një gjaku. Shkaku i vërtetë është egozmi që ka lindë bashkë me njeriun. Të gjitha të tjerat s’janë veç emra të gënjyeshëm e gënjeshtar të këtij mëkati origjinal.”(17)
Sot, shumica e shqiptarëve anashkalojnë kohën, duke diskutuar nëse është feja më e rëndësishme apo kombi?! Një pyetje e tillë, është shtruar në kohë të ndryshme edhe te popujt e tjerë. Një filozof i njohur, i ka hequr pyetjes kuptimësinë, duke e radhitur në pyetje absurde e të pakuptimtë. Ai e ka krahasuar me zemrën dhe mëlçinë, ose trupin dhe kokën (e njeriut), kur dihet se trupi nuk jeton në mungesën e cilësdo prej tyre dhe asnjëra nuk mund të zëvendësojë tjetrën.
Pra, feja dhe kombi janë dy çështje të ndara në përmbajtje, nuk kanë tipare të njëjta, por janë pa kundërshti në mes vete, janë dy anë të pandashme të fletës së një libri. Çdo njeri që adhuron Krijuesin e Tij, pavarësisht cilit drejtim religjioz i takon – ka fe dhe çdo njeri që ka gjuhën, traditën dhe atdheun – ka komb. Në këtë vështrim janë komplementare që nuk bëjnë njëra pa tjetrën, por ndërsa feja është pjesë më e hershme e identitetit njerëzor, që për objekt ka kultin, adhurimin, Hyjin, botën tjetër dhe shpëtimin e shpirtit, kombi ka atdheun, etninë, gjuhën, historinë, kulturën. Feja nuk është e kufizuar në hapësirë dhe në kohë dhe përmban përgjithësisht botëkuptime të pandryshueshme për botën, jetën dhe njeriun, ndërsa kombi është kufizuar në hapësirë madje edhe në kohë.(18)
Kombin të cilit i përkasim dhe e trashëgojmë nuk e kemi përcaktuar ne, ka qenë vullneti i Zotit të lindemi të tillë, ndërkohë që fenë mund ta zgjedhim dhe ta ndryshojmë sa herë të duam, pa i bërë dëm askujt përveç vetes. Këtë e vendosim pasi të kemi hulumtuar dhe të kemi zgjedhur rrugën përmes të cilës do t’i kthehemi Krijuesit, për të dhënë llogaritë e veprimeve tona. Këtu fetarja është më e madhe se kombëtarja, sepse është alternativa ndërmjet ferrit dhe parajsës. Brenda kësaj llogarie nuk ka përparësi kombëtarja – ka vetëm mirëbërësia, që në këtë kontekst fetarja të nxitë të bëhesh kombëtar i mirë.
Për më tepër, feja si mësim mbi të vërtetën dhe vetë e vërteta, janë sinonim i së mirës dhe së drejtës. Të jesh besimtar, do të thotë të përmbash në vete të gjitha virtytet njerëzore, nga të cilat kanë dobi të gjithë, edhe kombi, gjë që nuk mund të thuhet për kombin, sepse pjesëtari i një kombi është i ndershmi dhe i pandershmi, i miri dhe i keqi, intelektuali dhe injoranti, hajni dhe mirëbërësi, patrioti dhe tradhtari. Një thënie apo një vepër, edhe pse e shkruar me shkronja e fjalë shqipe, duhet të vlerësohet nga përmbajtja e saj, sepse fjalia, edhe shqip e shkruar, mund të shprehë një fyerje apo një të pavërtetë dhe mund të lëndojë një shpirt.(19) Fetarja është ushqim shpirtërorë që nuk e servon kombëtarja. Kjo e fundit ndahet në “e imja” dhe “e jotja” që sjellin plasaritje, dhunë dhe luftëra ndërmjet popujve. Ndryshe, historia e popujve (kombeve) të zhdukur dhe të gjuhëve të zhdukura, na kujton se “asimilimi fetarë garanton asimilimin kombëtarë”.
Shqiptarët historikisht nuk janë përfshirë në konflikte fetare ndërmjet tyre. Janë armiqtë e tyre që vazhdimisht janë përpjekur për të futur përçarje në emrin e “kombëtares” dhe “fetares” për qëllime të caktuara, që nuk kanë asgjë të përbashkët as me “kombëtaren” as me “fetaren”. Ata i kanë gjetur “piunët” e tyre, i kanë vendosur në universitetet tona dhe në panelet televizive, të cilët përpiqen të më bindin se si myslimanë nuk mund të jem edhe “kombëtarë”, duke më lënë “në dyshim” për konceptimin e krishterë të kombit. Sipas mendësisë së tyre “kombi” i të krishterëve nuk është njëjtë me “kombin” e myslimanëve. Kështu formësojnë modelin sllav të krijimit të kombeve, ku feja është faktori kryesor i ndarjes.
Pyetja se a është më e rëndësishme (ose e para) kombi apo feja, është absurdi i manipulimit të panevojshëm, që vjen vazhdimisht nga shtresat “intelektuale” dhe “politike”, me nuanca të tjetërsimit fetarë të kombit. Edhe pse përpiqen të fshihen pas një “patriotizmi” të tepruar, veprimi i tyre është tërësisht antikombëtar, një përpjekje sado “modeste” për të na nxjerrë para botës të ndarë e të përçarë, duke mbjellë trazira në mesin e vetë shqiptarëve. Për të tillët, Salih Gjuk Dugagjini, më 1911 vjershëronte:
“Çili kriht e bana hije,
memrrmi zojt ushqej me dije,
sod shumë korba thonë jem shqype,
si duron e kryet s’jau shtype”.(20)

_________________________
1 Stefanaq Pollo & Arben Puto: “Historia e Shqipërisë – Nga origjina e tij deri në ditët e sotme”, Tiranë, 1981.
2 Thucydides: “History of Poloponnesian War”, Cmbridge University Press, 2010, f.156.
3 Misha Glenny: “The Balkans 1804-1999 – Nationalism, War, and the Great Powers 1804-1999”, New York 2012, f.22-26.
4 Alicia Strong: “Sorta, Kinda Muslim – The Impact of Western Hegemony on Muslim Identity Negotiation in Kosovo”, Middletown – Connecticut, 2018, f, 23.
5 Rimëkëmbja Kombëtare, 9 maj 2001.
6 Simeon Evstatiev: “Milletic Secularism in the Balkans – Christianity, Islam, and Identity in Bulgaria”, Nationalities Papers, 47(1)/2019, f.91.
7 Ilber Ortajllë: “Familja në shoqërinë osmane”, Shkup 2014, f.33.
8 Misha Glenny: “The Balkans…”, po aty, f.71.
9 Zani i Naltë, 4, Kallnuer 1923, f.105.
10 Kasem Biçoku: “Dëmtimi i muzeut historik kombëtar prej abuzuesve”, Shkup, 2022.
11 Ismail Hasani: “Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptarët”, Prishtinë, 2001.
12 Francis X. Blouin, Jr & William G. Rosenberg: “Archives, Documentation, and Institutions of Social Memory – Essays from the Sawyer Seminar”, University of Michigan, 2007.
13 Louis P. Pojman: “Global Political Philosophy”, McGraw Hill 2003, f.2.
14 Gazeta Sot, 28 prill 2009.
15 A. Helwa: “Secrets of Divine Love”, Naulit Publishing House, 2020.
16 John Esposito: “Islam – The Straight Path”, Oxford University Press, 2016.
17 Mustafa Kruja: “Antologji Historike” Elbasan, 2001, f.303.
18 Gazeta Sot, 4 qershor 2010.
19 Avdi Berisha: “Shatzënia e një mashtrimi”, Prishtinë, 1995.
20 Sipas Muhamet Pirraku: “Jo Katedrale, në emrin e shqiptarisë së imagjinuar”, Prishtinë, 2003, f.123.

Hajrudin S. Muja
Dituria Islame 399