Edhe nëse mposhtet grupi militant ISIS në Siri dhe Irak, kjo gjë nuk do të ndalë kërcënimet për botën e civilizuar, ka thënë drejtori i FBI-së, James Comey.
“Kërcënimi, që unë mendoj se do të dominojë në pesë vitet e ardhshme për FBI-në, do të jetë ndikimi i luftimit të ISIS-it, gjë e cila po ndodhë”, ka thënë në një konferencë për media, Comey.
“Shumë vrasës nuk do të vdesin në fushën e betejës. Ata do të arrijnë të shpëtojnë”, ka thënë tutje ai.
Comey ka parashikuar se shumë luftëtarë militantë do të ikin për në vendet në perëdim të Evropës, duke tentuar që të kryejnë sulme të ngjashme si ato të Parisit dhe Brukselit, ndërkaq, militantë të tjerë do të sjellin luftën në Shtetet e Bashkuara.
Drejtori i CIA-s, John Brennan është pajtuar se shumë luftëtarë, të cilët nuk do të vriten në fushë betejë, do të mundohen që të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe të kryejnë sulme terroriste atje.
Ai ka vënë në dukje se Al-Qaeda në Irak është pakësuar për nga numri i luftëtarëve por që akoma ka gjasa që të rishfaqet sikurse IS-i.
“Mendoj se një numër prej tyre do të vazhdojnë të mbesin sfidë për Shtetet e Bashkuara dhe për qeveritë e tjera në vitet që do të vijnë”, ka thënë ai. (REL)