Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim tha se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit, që serbët në veri nuk i kanë paguar. Sipas kryeministrit, 320 milionë euro janë humbur nga faturat e papaguara të rrymës dhe 17 milionë të tjera nga ato të ujit.
Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë
Korporata Energjetike e Kosovës ka një mision specifik, që të ofrojë shërbime të sigurta, të besueshme dhe me çmime të arsyeshme të energjisë elektrike, por gjithashtu edhe të jetë e përgjegjshme ndaj ambientit dhe financiarisht e qëndrueshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës të nacionalitetit serb që jetojnë në pjesën veriore të vendit që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë nuk kanë paguar as edhe një euro cent për energjinë e shpenzuar duke i shkaktuar dëme tejet të mëdha Republikës së Kosovës.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për pagesë të faturave të energjisë elektrike të shpenzuar në veri nga ana e qytetarëve të vendit po del të jetë diskriminues dhe në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Në vitin 2011 ZRRE kishte marrë vendim që qytetarët e Kosovës duhet ta paguajnë për rrymën e shpenzuar, por të papaguar në katër komunat veriore të banuara me qytetarë të Kosovës të përkatësisë etnike serbe.
Nga viti 2000 deri në vitin 2017 qytetarët e komunave të tjera të Kosovës janë detyruar të paguajnë faturat e energjisë së komunitetit serbe në veri. Kjo pagesë e ka rritur për 3.5 për qind më shumë faturën mujore të çdo qytetari të Kosovës ose, shprehur ndryshe, në 11 milionë euro në vit më shumë. Kjo situatë e ka renduar edhe më tej gjendjen financiare të tyre nga një vendim i padrejtë diskriminues dhe antikushtetues.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit të fundit në komisionin parlamentar për punë të jashtme pati thënë se energjia e shpenzuar në veri e arrin vlerën e 320 milionë eurove në total.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim tha se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk i kanë paguar.
Sipas kryeministrit, 320 milionë euro janë humbur nga faturat e papaguara të rrymës dhe 17 milionë të tjera nga ato të ujit.
Zyra e Rregullatorit për Energji është organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (Ky traktat është nënshkruar nga Bashkimi Europian dhe nëntë partnerë nga Europa Juglindore, në Athinë në muajin tetor 2005, për krijimin e kornizës ligjore për një treg të integruar të energjisë).
ZRRE i ka kompetencat që ta lëshojë licenca dhe të monitorojë nëse ato licenca respektohen nga ndërmarrjet e energjisë, të miratojë tarifat e aktiviteteve të shërbimeve publike, të imponojë detyrime për furnizimin e popullsisë, zgjidhjen e kontesteve dhe hartimin e legjislacionit sekondar për sektorin e energjisë. ZRRE është përgjegjëse edhe për krijimin e kornizës rregullative, e cila siguron funksionim transparent dhe jodiskriminues të tregut të energjisë, duke u bazuar në parimet e tregut të lirë. Ajo zbaton kritere transparente dhe të hapura për dhënien e licencave ndërmarrjeve të energjisë, duke përfshirë fuqinë për të dhënë, ndryshuar, pezulluar, bartur, marrë, mbikëqyrë dhe kontrolluar nëse këto ndërmarrje të energjisë u përmbahen këtyre licencave.
Kompania “Elektrosever” është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor 2022. Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Gjykata e Apelit, në vitin 2017, kishte vendosur se është e jashtëligjshme praktika që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, shto kësaj edhe keqpërdorimin e energjisë elektrike, kryesisht energjia e shpenzuar ka shkuar për akte kriminale, laboratorë droge, mihje të kriptovalutave, kontrabandës, prodhimeve të ndryshme e deri te shpenzimi në hapësirë të hapur i energjisë elektrike.
Me 13 prill Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazë kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar nga e paditura, Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRRE), kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit AA nr. 990/2021.
Kolegji i Gjykatës Supreme lidhur me objektin e çështjes në shqyrtim konstaton se gjykatat e instancave më të ulëta, e kanë vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe e kanë aplikuar drejt të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të papaguar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, (ashtu që nga KEDS rryma e shpenzuar atje bazuar në vendimin e ZRRE-së, u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera në emër të kthimit të kostove të tjera të humbjeve në sistemimin e transmisionit, pa të drejtë dhe bazë ligjore).
(MWh) | Gjithsej | Janar | Shkurt | Mars | Prill | Maj | Qershor | Korrik | Gusht | Shtator | Tetor | Nëntor | Dhjetor |
Kërkesa e Distribucionit | 5,697,161 | 654,246 | 557,664 | 598,798 | 463,957 | 357,024 | 337,424 | 384,736 | 384,564 | 359,704 | 437,363 | 492,447 | 669,235 |
HC Distributive dhe BRE | 223,038 | 15,243 | 19,764 | 25,116 | 33,427 | 35,292 | 25,473 | 16,500 | 10,722 | 7,665 | 10,874 | 10,721 | 12,240 |
HC distributive për konsum universal | 211,500 | 15,103 | 19,458 | 24,763 | 32,763 | 34,490 | 22,758 | 14,774 | 9,579 | 6,773 | 9,838 | 9,792 | 11,409 |
Kërkesa totale e Distribucionit | 5,908,662 | 669,349 | 577,121 | 623,561 | 496,720 | 391,514 | 360,182 | 399,510 | 394,143 | 366,477 | 447,202 | 502,239 | 680,645 |
Dërgimi | |||||||||||||
110 kV | 0 | ||||||||||||
35 kV | 57,568 | 4,955 | 4,132 | 5,138 | 4,484 | 4,615 | 4,916 | 5,068 | 5,114 | 4,616 | 4,775 | 4,757 | 5,000 |
10 kV | 435,033 | 39,613 | 33,393 | 39,090 | 33,445 | 31,406 | 32,306 | 35,824 | 36,127 | 34,205 | 36,600 | 39,034 | 43,990 |
0.4 kV | 447,929 | 41,375 | 36,006 | 40,986 | 34,340 | 32,908 | 35,371 | 38,801 | 37,639 | 33,412 | 35,276 | 37,727 | 44,088 |
0.4/II kV | 748,765 | 76,597 | 67,178 | 71,729 | 56,279 | 52,783 | 54,131 | 61,406 | 64,542 | 49,090 | 55,658 | 62,312 | 77,061 |
Amvisëria | 3,178,480 | 379,591 | 329,708 | 339,820 | 268,189 | 216,996 | 179,567 | 207,589 | 212,107 | 184,122 | 235,018 | 258,097 | 367,676 |
Ndriçimi publik | 38,677 | 3,879 | 3,249 | 3,430 | 2,971 | 2,737 | 2,531 | 2,509 | 2,903 | 3,111 | 3,663 | 3,736 | 3,958 |
Rrjeti Distributiv neto | 4,906,454 | 546,010 | 473,666 | 500,191 | 399,708 | 341,444 | 308,823 | 351,197 | 358,433 | 308,556 | 370,990 | 405,663 | 541,772 |
Humbjet teknike | 738,788 | 96,322 | 77,772 | 88,451 | 63,062 | 40,530 | 41,756 | 39,496 | 30,846 | 43,821 | 50,674 | 65,448 | 100,611 |
Humbjet komerciale | 263,419 | 27,017 | 25,684 | 34,919 | 33,949 | 9,539 | 9,602 | 8,817 | 4,864 | 14,100 | 25,538 | 31,128 | 38,261 |
Gjithsej humbjet në rrjetin distrib. | 1,002,208 | 123,339 | 103,456 | 123,370 | 97,012 | 50,070 | 51,359 | 48,312 | 35,710 | 57,921 | 76,212 | 96,575 | 138,872 |
Burimi: ZRRE, Konsumi dhe humbjet në rrjetin e shpërndarjes
“Andaj, bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, theksohet në vendimin e datës 13 prill 2023 nga Gjykata Supreme.
Vlen të theksohet se nga ky vendim qytetarët kanë paguar mbi 41 milionë euro nga kuleta e tyre për energjinë elektrike të shpenzuar, por të papaguar nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga komuniteti pakicë serb.
Prodhuesit kosovarë po ballafaqohen me shumë barriera në aktivitetin e tyre të përditshëm, duke filluar nga mungesa e energjisë elektrike, që në disa vende prodhuesi mbetet pa energji elektrike deri në 6 orë në ditë. Furnizimi stabil me energji elektrike është një nga kushtet bazë për secilin investitor që dëshiron të investojë në Kosovë. Kompanitë serioze nuk investojnë në një vend ku nuk ka stabilitet energjetik, sepse kjo do t’u shkaktonte dëme të mëdha bizneseve të tyre, veçanërisht atyre prodhuese.
Këto ditë ZRRE ka marrë një vendim për rritjen e çmimit të energjisë në masë prej 15.4 për qind do ta rrisë koston e prodhimit në sektorin privat dhe pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve në vend.
Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese e kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të ashpra të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Europë.
Sipas ZRRE-së, kërkesa gjithsej pёr energji elektrike në Kosovë për vitin 2023, duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 7,021.7 GWh.
Humbjet në rrjetin e transmetimit, që paraqesin diferencën e vlerave të matura të energjisë elektrike në hyrje të transmetimit dhe atyre të matura në dalje të rrjetit transmetues. Këtu përfshihen edhe humbjet për shkak te transitit (pikat matëse në linjat interkonektive 400, 220 dhe 110kV transferohen në kufijtë ndarës duke përdorur koeficientet e aprovuar të transferimit).
Konsumi i veriut të Kosovës është energjia që shpenzohet në katër komunat veriore të Kosovës. Kjo energji pritet të furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor. Mundësia tjetër e furnizimit pritet të jetë nga kompania “Elektrosever”, nëse fillon së operuari.
Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit janë planifikuar të jenë 133 GWh ose 1.75 për qind e sasisë së gjithmbarshme të energjisë në hyrje të transmetimit.
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes (distribucionit), që janë diferenca e vlerave të matura të energjisë elektrike të pranuar në pikat e ndarjes nga rrjeti i transmetimit dhe hyrjet nga gjeneratorët e kyçur në shpërndarje dhe në anën tjetër vlerave të matura të energjisë elektrike të dërguar konsumatorëve. Në planifikimin e humbjeve të tëra në rrjetin e transmetimit përfshihen humbjet e shkaktuara nga ngarkesa e konsumit të Kosovës dhe humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike që kalon si transit theksohet në raportin e ZRRE-së.
Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, qytetarët e Kosovës mund të kërkojnë kthimin e mbi 41 milionë eurove të faturuara jashtëligjshëm. Mendoj se duke shfrytëzuar të drejtën qytetare, kjo shumë do të ishte mirë të deponohet në fondin sovran, i cili është themeluar nga ana e qeverisë së vendit. Qytetarët këto mjete do të mund t’i investonin në KEK duke u bërë aksionarë të drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe me marrëveshje do të mund të kompensoheshin në faturat e tyre në vitet e ardhme.