Fatkeqësitë që u ndodhin njerëzve apo popujve në këtë botë, padyshim, nuk dalin jashtë caktimit të Zotit.
Disa prej tyre mund të jenë pasojë e veprimeve të tyre të këqija, ndërsa disa të tjera mund të jenë sprova për të testuar besimin, durimin dhe solidaritetin mes njerëzve. Disa fatkeqësi mund të jenë shlyerje e gjynaheve, e disa të tjera ngritje në grada më të larta shpirtërore. Ka raste kur ato janë paralajmërime për diçka më të keqe ose fatkeqësi më të vogla që shmangin fatkeqësi më të mëdha. Në të njëjtën kohë, mund të jenë edhe një kombinim i të gjitha këtyre, ku për secilin individ zbatohet ajo që meriton.
Por thelbi i gjithë kësaj, është të kuptohet sesa të dobët dhe të pafuqishëm janë njerëzit përpara Krijuesit. Prandaj, kushdo që i hyn dikujt në hak apo mbështet zullumqarin në padrejtësitë dhe krimet e tij, duhet ta dijë mirë se ka një Zot që nuk fal padrejtësinë. Ai mund të vonojë ndëshkimin, por kurrë nuk harron.
Më shumë se gjithçka tjetër, fatkeqësitë që ndodhin, kudo qofshin, duhet të jenë momente reflektimi dhe vetëdijesimi për atë se kush jemi dhe çfarë bëjmë në këtë jetë. Me Zotin nuk luhet dhe as nuk bëhet shaka, o njeri, o krijesë e dobët!
Hoxhë Justinian Topulli