Nga 6065 persona të zhdukur ndërmjet 1 janarit 98 e 31 dhjetorit 2000, për 1607 njerëz nuk dihet se ku janë. Shumica dërmuese u gjetën në varreza masive në Serbi, por përgjatë 2024-s, Beogradi nuk dha leje për asnjë gërmim. Dakordimi dhe para-përgatitjet në terren u bënë, por dheu që mbulon shpresën për ndonjë trup tjetër, mbeti i paprekur, në Kozhlje, Kozarevë e Batajanicë.
Kjo nuk e zbeh vullnetin që përpjekjet të vazhdojnë edhe gjatë vitit që po hyjmë, përfshirë edhe në këto tri lokacione.
“Mundësia e rikthimit osë ne lokacionin në zonën e Peruqas, në zonën e Bajnabashtës apo edhe në lokacionin në Petrovosello në kufi me Rumaninë”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Toka e Kosovës ka qenë e vetmja adresë në të cilën është gërmuar, rezultatet janë dyshifrore, por të papërfillshme përballë numrit 1607.
“Janë më shumë se 30 raporte të analizës së ADN-së që janë pranuar, po flas kryesisht për identifikime të reja, më shumë se 25 persona që kanë qenë në listën e personave të zhdukur, që tani më kemi pranuar raportet e ADN-së”, ka shtuar Gara.
Më 4 maj 2023, përpjekjet tri vjeçare u kurorëzuan me Deklaratën për Personat e Zhdukur, dokument që përpos zgjidhjes për të pagjeturit përmban edhe zotimin e të dyja palëve për çdo lloj bashkëpunimi.
Ky dokument kishte nevojë për një gardian të zbatimit, një Komision të Përbashkët, me rregulla të punës. Termat e referencës janë rregullat për të cilat palët ranë dakord tek në dhjetor të 2024-s.
UNMIK-u i shumëkërkuar nga Serbia u zhduk nga tavolina, duke i hapur rrugë mekanizmit që për çdo të pagjetur palëve iu mundëson që shqetësimin ta bartin në veshin e 27 vendeve anëtare të BE-së, si udhëheqëse e Komisionit.
“Çka bënë kjo, arkivat për shembull që i kam kërkuar në vitin e kaluar nga z. Vuçiq dhe që nuk kam marrë asnjë përgjigje e le më thënë jo, nuk kemi marrë as përgjigje kjo e trajton si temë. Do të thotë të gjitha problemet, shqetësimet që nuk rregullohen në kuadër të grupeve punuese, kjo i ngritë si çështje në nivel pak më të lartë”, ka theksuar kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.
Komisioni i Përbashkët, do të monitorojë identifikimin e vendeve të varrimit dhe pasgërmimet e mëtejshme, respektimin e të drejtave të familjarëve të personave të zhdukur, përdorimin e pajisjeve të përparuara për kërkim dhe pasjen në arkiva ushtarake e dokumente që janë të domosdoshme për të rënë në dokumentet në të cilat ushtria dhe policia e Serbisë ka lënë gjurmët e krimeve të llahtarshme që vranë mbi 13 mijë njerëz, 10 mijë civilë, shumica dërmuese shqiptarë.