Faringitet në verë, kondicionerët armiqtë kryesorë. Si të mbrohemi?

Lëngjet e ftohta, kondicionerët, mikrobet e ndryshme që qarkullojnë në këtë periudhë janë këta disa nga shkaktarët e shfaqjes së problemeve me faringitet gjatë stinës së verës. Mjekët tërheqin vëmendjen që me shfaqjen e shqetësimeve të para të drejtoheni te specialisti, sepse mostrajtimi në kohë mund të shfaqë ndërlikime serioze.

Rënia e rezistencës së imunitetit, korrentet e ajrit, konsumimi i pijeve të ftohta, apo qëndrimi nën kondicioner apo ventilator, ndikojnë në acarimin e faringiteve, por dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Faktorë të tjerë gjithashtu janë dhe mikrobet e viruset e ndryshme, që në temperatura të larta krijojnë terren të përshtatshëm për t’u shumuar dhe shndërruar në patogjen për organizmin.

Ulja e rezistencës së mukozave te personat e predispozuar bën që të shfaqen të tilla probleme. Fëmijët e moshave 2-6-10 vjeç janë kontingjent më i rriskuar dhe më i prekur nga faringitet. Ka raste që janë forma akute, por dhe raste riaktivizimi të formave kronike, që kur krijohen kushte të përshtatshme rishfaqin simptomat. Shenja kryesore është dhimbja e fytit, ndryshime të timbrit të zërit (ngjirje të zërit), këputje trupore. Fëmijët e vegjël mund të mos pranojnë ushqimin, për shkak të dhimbjes së fytit. Në disa raste, si në ato me natyrë virale apo mikrobiale mund të shfaqet temperatura që është zakonisht jo shumë e lartë 37.5-38 gradë.

Parandalimi përfshin kujdes në ruajtjen e një ambienti me lagështi dhe temperaturë të përshtatshme. Po ashtu duhet treguar vëmendje në mënyrën e veshjes, duhet kujdes në qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar. Por ashtu rekomandohet një ushqim i pasur me vitamina dhe kripëra minerale, që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar.

Këshilla

• kujdes në ruajtjen e lagështirës së ajrit në ambientin ku jetoni

• ajrosni ambientin ku qëndroni

• pini sa më shumë lëngje dhe konsumoni ushqime të pasura me vitamina

• tregoni kujdes në mënyrën e veshjes

• shmangni korrentet e ajrit

• qëndroni larg kondicionerëve apo ventilatorëve

• konsultohuni me mjekun specialist për çdo shqetësim