Familjet e viktimave të Srebrenicës kujtojnë momentet e fundit me të dashurit e tyre

Familjet e viktimave të identifikuara së fundmi të gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995, po përgatiten të varrosin të dashurit e tyre, 25 vjet pasi u vranë nga forcat serbe.

Nëntë viktima të identifikuara rishtazi të gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995 do të varrosen nesër në Potoçari, në veriperëndim të Srebrenicës, për të shënuar 25-vjetorin e gjenocidit.

Familja Ibisheviç po përgatitet të varrosë njërin nga dy djemtë e tyre që u vranë gjatë gjenocidit, ndërsa ende janë në kërkim të trupit të djalit tjetër.

Familja do të varrosë djalin e tyre të madh, Salko Ibisheviç, i cili ishte 23-vjeçar kur u vra.

Babai Ahmo Ibisheviç tha se ka humbur rreth 40 të afërm në gjenocid.

Përkundër faktit që kanë kaluar 25 vjet nga gjenocidi, ata ende nuk kanë arritur të arrijnë trupin e djalit tjetër, Samirit.

Ahmo shtoi se gjithashtu nuk kanë mundur t’i gjejnë të gjitha eshtrat e djalit të tyre të vogël, Salko.

Ai tha se janë përpjekur të gjejnë pjesën tjetër të mbetjeve të tij për nëntë vjet.

“Pasi Srebrenica ra në duart e forcave serbe, unë shkova me djemtë e mi në rrugën pyjore për të arritur në zonën e kontrolluar nga boshnjakët. Kur pashë Salkon për herë të fundit, ai mbante një të afërm të plagosur në shpinë […]. Samiri po ecte përgjatë rrugës pyjore me dy miq të tij. Unë u tregova ku të shkojmë dhe ku të takohemi”, tha Ahmo.

Ahmo thotë se varrosja e djalit të tij pas 25 vjetësh nuk do t’i japë fund dhimbjes së tij.

“Do të jetë e vështirë në fillim, por të paktën tani do të ketë një gur varri. Dhimbja jonë nuk do të ndalet dhe ne do të vazhdojmë të jetojmë me dhimbjen e djalit tonë të vogël, të cilin ende nuk e kemi gjetur”, tha Ahmo.

Nëna Zineta Ibisheviç tha që askush nuk u kishte thënë boshnjakëve të rrethuar të mbronin fëmijët e tyre nga serbët.

“Ne muslimanët jetonim në të njëjtën lagje me serbët. Askush nuk na paralajmëroi se ne duhet t’i mbronim fëmijët tanë prej tyre. Unë i pashë ata herën e fundit anë rrugës përmes dritares së autobusit. Ata po ecnin në dy rreshta të shoqëruar nga ushtarë serbë që ua kishin drejtuar pushkët atyre”, tha Zineta.

Salko Ibisheviç, 23 vjeç kur u vra, do të jetë viktima më e re që do të varroset këtë vit. Hasan Peziç, më i vjetri, ishte 70 vjeç dhe gjithashtu do të varroset në ceremoninë e këtij viti.

Çdo vit, më 11 korrik, viktimat e identifikuara rishtazi të gjenocidit, gjatë të cilit u vranë mbi 8.000 njerëz, varrosen në varrezën përkujtimore në Potoçari. Mijëra vizitorë nga vende të ndryshme marrin pjesë në ceremoni.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të marrë pjesë në programin përkujtimor të këtij viti përmes video-lidhjes.

Më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuar me detyrë si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Këshilli i Sigurimit i OKB e kishte shpallur Srebrenicën si “zonë e sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, i shpallur më vonë fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, u futën në zonën e OKB-së.

Trupat holandeze nuk arritën të veprojnë teksa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2.000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik. Rreth 15.000 banorë të Srebrenicës ikën në malet përreth, por trupat serbe vranë 6.000 prej tyre në pyje.