Familjet e të pengjeve izraelite kanë theksuar se deklaratat e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të qeverisë së tij tregojnë se ata nuk kishin për qëllim të zbatojnë plotësisht marrëveshjen, transmeton Anadolu.
Forumi për Familjet e Pengjeve dhe Personave të Zhdukur, i përbërë nga familjet e pengjeve izraelite të mbajtur në Gaza, në një deklaratë për media i bënë thirrje Netanyahut dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen.
“Kur dëgjoj fjalimet e kryeministrit Netanyahu dhe ministrave të tij shqetësohem se, marrëveshja që do ta kthejë babanë tim nuk do t‘i përfshijë të gjithë”, tha Ella Ben Ami, vajza e pengut izraelit Ohad Ben Ami.
Ndërkaq, Vicky Cohen, nëna e pengut izraelit Nimrod Cohen që mbahet në Gaza, tha se, “Frika se marrëveshja nuk do të zbatohet plotësisht po na gërryen të gjithëve”.
Edhe Ayelet Samerano, nëna e pengut izraelit Jonathan Samerano, iu drejtua gjithashtu Netanyahut dhe tha se ata duan që negociatat lidhur me fazën e dytë të marrëveshjes të përfundojnë para përfundimit të fazës së parë.
Samerano gjithashtu i bëri thirrje presidentit amerikan Trump që të ushtrojë presion mbi palët për lirimin e 94 pengjeve izraelite.
– Marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve Izrael-Hamas
Më 15 janar, Katari një nga vendet ndërmjetësuese, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.
Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit, që përbëhet nga tre faza, do të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1.900 të burgosur palestinezë.
Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes i dorëzuan ekipit të Kryqit të Kuq tre pengje femra izraelite.
Ndërkohë, 90 palestineze të mbajtura në burgjet izraelite u liruan nga burgu ushtarak Ofer që ndodhet në Bregun Perëndimor të pushtuar.