Ballina Lajmet Maqedoni FAMILJARËT: “SHQIPONJA” U KËRCËNUA NGA ALI AHMETI. DËSHMITARI: JA SI KA NDODHUR...

FAMILJARËT: “SHQIPONJA” U KËRCËNUA NGA ALI AHMETI. DËSHMITARI: JA SI KA NDODHUR VRASJA (VIDEO)

Orë të tëra gjykimi, akuza mes palëve, shpalosje detajesh, dëshmitar rasti, por pa asgjë konkrete, përfundoi seanca e sotme për gjykimin e të dyshuarit Bajram Limani, për vrasjen e Xhemail Rexhepit apo i njohur si Komandant “Shqiponja”, raporton SHENJA.

Familja Rexhepi mes trishtimit dhe dhimbjes që kanë, ata edhe më tepër i mundon fakti që vrasësi nuk është në vendin e merituar. Lulzim Rexhepi, familjar i Komandant Shqiponjës i shqetësuar thotë që seanca e sotme e zhvilluar nuk solli asnjë ndryshim. Ai thotë që nuk janë aspak të qetë deri sa vrasësi ta gjejë dënimin e merituar sepse nuk është e sigurt nëse ai nuk mund ta vrasë edhe ndonjë anëtarë tjetër të familjes.

“Sot u morën në pyetje vetëm dy dëshmitar të ngjarjes, ngjarja është shtyrë deri më 26 e këtij muaji. Gjykata vazhdon me të njëjtat që i ka bërë deri më tash. Vrasësi është I lirë, në paraburgim shtëpiak. Ne si dëshmitar nuk jemi të sigurt në asnjë moment se nuk na garanton askush neve se vrasësit nuk do ta përsërisin prapë aktin”, deklaroi Lulzim Rexhepi, familjar.

Babai i Komandant Shqiponjës tregon kërcënimet e fundit që biri i tij i ka marrë nga partia shqiptare në pushtet.

“Ali Ahmeti ka folur për së fundi her me djalin tim edhe i ka thënë: Shqiponjë ty nëse hiqesh prej partisë unë kam për të hyrë në shtëpi. Pastaj djali me nusen shkuan për pushime i ka ndal nipi i Ali Ahmetit, i cili është edhe shoferi i tij, i ka thënë: penali është bërë tash ka mbetur vetëm goli. Kur më tregoi mua Shqiponja, i thash biri im e paskan bërë plan me të vra”, deklaroi Mejdi Rexhepi, babai.

Babai i Xhemail Rexhepit, mes syve të mbushur me lot nga pikëllimi ka një lutje të fundit. Ai dëshiron që ky rasti ti kalohet Prokurorisë Speciale, pasi ai nuk ka aspak shpresë se kjo gjykatë do ta ndëshkoj me dënimin e duhur.

“E lus gjyqin që rastin me dërgu te Katica Janeva, aty mua më plotësohet dëshira. Ajo e merr në pyetje edhe Aliun. Ai qëndron në krye të punës. Ma ka mshel shtëpinë, ma ka lan fëmiun jetim. Zoti e ndëshkoftë. E ka lënë nusen e re, e ka lënë shtëpinë e shkretë”, tha më tej ai.

Sipas dëshmitarit të sotëm SH.L., aktivistët e BDI-së kanë marrë ftesë me sms për mbledhje në lokalin ku ka ndodhur vrasja. I akuzuari Bajram Limani, sipas tij, ka gjuajtur nga afër prej pas shpine drejt komandant Shqiponjës pa ndonjë zënkë të drejtpërdrejt mes tyre.

Ndryshe, në përvjetorin e vrasjes së Komandant “Shqiponjës”, gjykatësja Gjylsime Shabani ka nënshkruar lirimin nga paraburgimi të vrasësit të tij, Bajram Limani, gjë që sipas avokatit Marjan Vitanovski është e palogjikshme dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë në gjykatën themelore të Kumanovës. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 26 shtator.

Emine Ismaili /SHENJA/

Exit mobile version