Familjarët e viktimave të luftës nga Krusha e Madhe dhe e Vogël protestojnë para Gjykatës së Apelit

Familjarët e viktimave të luftës nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël kanë protestuar sot para Gjykatës së Apelit për të shprehur kundërshtinë e tyre me vendimin e kësaj gjykate për uljen e dënimit për serbin Darko Tasiq nga 22 në 11 vjet burgim, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra familjarë me fotografi të masakrës në të dy fshatrat e rrethit të Prizrenit dhe me mesazhe në letër, kanë shprehur indinjatën me vendimin e gjykatës të marrë më 1 dhjetor të këtij viti.

Kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti e quajti “ulje drastike”, përgjysmimin e dënimit ndaj Tasiq.

“Kemi ardhur këtu para Pallatit të Drejtësisë për ta shprehur revoltën tonë dhe pakënaqësinë me rastin e uljes në mënyrë drastike të dënimit të kriminelit Darko Tasiq i cili është përgjegjës jo vetëm ai por bashkë më serbët e tjerë lokalë dhe gjithë aparatin shtetëror për krimet që i kanë bërë”, ka thënë Hoti.

Edhe Shpresa Shehu, kryetare e Krushës së Vogël e konsideron si padrejtësi të madhe uljen e dënimit nga Apeli për Darko Tasiq. Madje, ajo tha se vendimi i ka shqetësuar tej mase atë dhe familjarët e tjerë të fshatit.

“I vetmi ky kriminel i rastit të Krushës është që është dënuar, por edhe sa të tjerë ka. Edhe këtij t’i zbutet dënimi dhe t’i përgjysmohet, kjo nuk e dimë çfarë është. Ata (organet e drejtësisë) sikur po i bëjnë padrejtësi dhe një të padrejtë edhe vetvetes, jo vetëm neve familjarëve”, tha Shehu.

Arsim Shehu nga Krusha e Vogël i cili thotë se në luftë i kanë vrarë babanë dhe gjyshin ndërsa gjithashtu edhe 40 familjarë të familjes së gjerë të tij, thotë se vendimi për uljen e dënimit për Tasiq është bërë nga gjykatësit e korruptuar.

“Unë e kam (humbur) babanë, gjyshin dhe 40 familjarë, dhe nuk e di se si mund ta gjejnë këta këtë kurajë t’i bëjnë këto padrejtësi”, thotë Shehu.

Gani Zylfiju nga Krusha e Vogël thotë se në një rast ka qenë dëshmitar kur Tasiq ka qenë pjesë e krimeve për të cilat Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli atë fajtor.

Sipas tij, Darko Tasiq gjatë periudhës së luftës në vitin 1999 ka sjellë një kamion me trupa të pajetë dhe të gjallë nga Krusha e Madhe drejt Krushës së Vogël për tek lokacioni Drini i Bardhë ku i ka hedhur trupat dhe më pas i ka djegur.

“Aty (Darko Tasiq), ka hedhur benzinë dhe i ka futur zjarrin njerëzve të vdekur dhe të gjallë (të lënduar lehtë dhe rëndë). Pas disa ditësh, unë nuk e kam ditur se çfarë ka aty, erdhi dhe e vizitoi vendin e ngjarjes Darko Tasiq, e kam parë me sytë e mi”, tha Zylfiju.

Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 22 vjet burg për shkak të veprës penale për krime lufte kundër popullatës civile të akuzuarin nga fshati Krushë e Vogël e komunës së Prizrenit, Darko Tasiq më 22 qershor të këtij viti. Ndërkaq Gjykata e Apelit më 1 dhjetor të këtij viti aprovoi që Tasiqit t’i ulet dënimi nga 22 vite në 11 gjithsej.

Tasiq u shpall fajtor për dy pika të aktakuzës. Sipas pikës së parë, ai mes datave 15 deri 26 mars të vitit 1999 në Krushë të vogël, si pjesëtar rezervë i Policisë së Republikës Federale të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, me persona të tjerë, ka marrë pjesë “në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë, që nuk justifikohej me nevojat ushtarake”.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës në të cilën u shpall fajtor, ai u ngarkua me veprime të tjera si “pjesëmarrës në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin’”.