Nuk kanë çfarë të shtrojnë në sofër për Festën e Fitër Bajramit. Familja Fazliu në fshatin Brecë të Podujevës po numëron miellin e fundit në magje.
Kryefamiljarja Hyra nuk ka përgatitur ëmbëlsira siç rëndom po bëjnë këto ditë shumë familje kosovare të besimit islam për të pritur festën e Bajramit këtë të diel. Për të është festë, nëse në magje ka miell për të gatuar së paku një bukë për tre fëmijët e saj, dy djemtë njëri 12 vjeç e tjetri 9 vjeç dhe vajza 8 vjeçe që t’ua shuajë urinë.
“Mbesim pa harxh, pa miell, ka ditë që mbesim pa sen të Zotit”, rrëfen ajo për “Zërin” historinë e tyre të mbetur një nga familjet e vetme në këtë fshat kufitar me Serbinë, prej të cilit shumica e banorëve janë shpërngulur dhe kanë braktisur.
Gjithë pasuria e kësaj familjeje tani llogaritet në nëntë pula. Madje janë të vetmet që në hyrje të kësaj shtëpie gërmadhë të sinjalizojnë se aty jeton dikush, pasi përshtypja e parë të krijohet se në këtë shtëpi balte të ndërtuar prej më shumë se 100 vjetësh nuk jeton askush.
“Tri pula m’i kanë dhuruar. I kam shtuar në nëntë dhe prej tyre mbesim gjallë”, thotë Hyra.
Shtëpinë ua vizitojnë vetëm gjarpërinjtë
Kjo familje pesanëtarëshe nuk po lufton vetëm me varfërinë, por edhe me gjarpërinj e minj që hyn e dalin lirshëm në shtëpinë prej balte. Të strehuar në këtë shtëpi, të braktisur nga një kushëri që jeton në Gjermani, Hyra dhe Hakifi me tre fëmijët e tyre po vuajnë jo vetëm nga uria, por edhe nga sulmet e gjarpinjve.
“Sapo e mbyta një gjarpër. Vuaj nga veshkat si e mora terapinë u shtriva të pushoj, vajza bërtit gjarpri doli nga sudoperi dhe shkoi ndër shporet. Çdo ditë më duhet t’i ruaj fëmijët se mos m’i hajnë gjarpërinjtë, sepse shtëpia është ndërtuar para njëqind vjete dhe me gur e baltë, e gjarpërinjtë hyn e dalin ngado madje edhe minjtë”, thotë ajo teksa tregon përditshmërinë e saj në luftë me varfërinë dhe me gjarpërinjtë.
Hyra, së cilës i është rekomanduar nga mjekët të shtrihet në spital për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore si pasojë e veshkave, nuk ka pranuar t’i lërë vetëm fëmijët në shtëpi.
“Nuk mund t’i la fëmijët kur nuk kanë çka hanë a pinë e vet të shtrihem në spital. Nuk po mundem, më mirë po rri pranë tyre kur dikush bien pak miell a diçka ju përgatiti”. Hyra ka palosur rrobat mbi disa dërrasa pasi nuk ka as dollap në shtëpinë prej balte