Ndryshimet në sistemin ekonomik, politik, por edhe ndryshimet teknologjike të dekadave të fundit, kanë bërë që dukshëm të ndryshojë struktura e familjes, kur kjo krahasohet me të kaluarën. Këto ndryshime jo vetëm që e kanë ndryshuar strukturën e familjes, por kanë bërë që edhe marrëdhëniet brenda familjes dhe rolet që duhet të përmbushë individi të ndryshojnë.
Jyxhel SPAHI, Prizren
Përgjatë historisë, familja është konsideruar si një njësi themelore e shoqërisë, e cila është zhvilluar krahas ndryshimeve shoqërore. Në shoqëritë paraindustriale, familja e zgjeruar shpesh shërbente si njësi bazë – bashkimi i burimeve dhe sigurimi i kujdesit të ndërsjellë për anëtarët e saj. Pikërisht për këtë arsye familja ka pasur rëndësinë më të madhe në mesin e institucioneve shoqërore si bazë ontologjike e një jete të shëndetshme shoqërore. Lindja e njeriut, zhvillimi fizik dhe ai shpirtëror, por edhe socializmi, mund të arrihet përmes institucionit të quajtur familje. Ekziston një ndërveprim i ndërsjellë midis familjes dhe shoqërisë. Familja ka një rol të rëndësishëm në strukturën shoqërore dhe në funksionimin e sistemit shoqëror.
Pas shfaqjes së industrisë, fermerët, si pjesëtarë të familjes, e lanë tokën e tyre dhe u hodhën në krahët e fabrikave. Secili prej tyre u bë një dhëmbëz në timon dhe duhej të vepronte sipas dëshirave të pronarëve të kapitalit. Ata lanë fshatrat e tyre dhe u dyndën në qytet për të punuar në ato fabrika. Familja e ardhur në qytet i përjetoi disa hezitime për sa i përket qëndrimit dhe sjelljes. Ata pjesëtarë të familjeve duhej t’i braktisnin zakonet e tyre për të qenë pjesë e sistemit të ri dhe kështu u eliminua uniteti i familjes si celula më e vogël e një shoqërie. Këto të gjitha ishin si rezultat i ndryshimit ekonomik të shekullit të 19-të, të cilat përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të globalizimit, e më pas globalizimit neoliberal, e të cilët nxitën transformimin e familjes dhe kështu edhe ndryshuan këndvështrimin për konceptet e martesës dhe familjes.
Transformimet socio-ekonomike, iluminizmi, industrializimi dhe modernizmi, patën një ndikim të rëndësishëm në familje. Modernizmi, me stilet e tij alternative të jetesës, ka shkaktuar gërryerjen e vlerave që e mbronin familjen në periudhën tradicionale.
Ndryshimet në sistemin ekonomik, politik, por edhe ndryshimet teknologjike të dekadave të fundit, kanë bërë që dukshëm të ndryshojë struktura e familjes, kur kjo krahasohet me të kaluarën. Këto ndryshime jo vetëm që e kanë ndryshuar strukturën e familjes, por kanë bërë që edhe marrëdhëniet brenda familjes dhe rolet që duhet të përmbushë individi të ndryshojnë. Me fjalë të tjera, me ardhjen e kapitalizmit çdo individ u dëbua nga familja. Kështu u eliminua uniteti ekonomik i familjes dhe kjo situatë i ka dobësuar lidhjet si heqja dorë nga altruizmi që ekzistonte dikur në familje. Si përfundim, u formua familja moderne bërthamore.
Modeli i familjes bërthamore është një nga strukturat më të rëndësishme që reflekton modernizimin me zhvillimin e industrisë. Struktura e familjes bërthamore tërheq vëmendjen me numrin e vogël të anëtarëve. Familja moderne bërthamore është, në fakt, një familje burrë-grua. Ajo përbëhet nga e ëma, i ati dhe fëmijët e mitur. Modeli i familjes bërthamore, që është duke u proklamuar nga kapitalizmi, është një zonë që, në mënyrë të tërthortë, i përjashton vlerat dhe traditat.
Pasojat e kapitalizmit dhe modernizmit në familje
Me ndryshimin e sistemit, edhe gratë u bënë pjesë e tregut të punës dhe ato siguruan një shkallë të pavarësisë ekonomike, e cila në një farë mase e minoi edhe autoritetin e meshkujve brenda familjes. Në dukje të parë, nga aspekti i femrave, mund të konsiderohet si pavarësi ekonomike dhe, në një mënyrë, shëmbëllente si e lirë, por gratë që punojnë, kryesisht përballen me shumë vështirësi në balancimin e jetës shtëpiake dhe atë të punës. Problemet e përmendura kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësisë së menaxhimit të jetës familjare dhe të punës së bashku. Zakonisht, në trevat tona gratë që janë në marrëdhënie pune duhet të mbajnë mbi supe të dyja përgjegjësitë, në njërën anë punën dhe në anën tjetër detyrimet familjare. Këtu ekziston një rrjet i dyfishtë i problemeve në lidhje me gratë. Pjesëmarrja e tyre në tregun e punës e ka zbehur rolin e familjes së strukturës tradicionale dhe janë përcaktuar role të reja ndërmjet gruas dhe burrit. Ndërkaq, në vendet tjera, si rezultat i ndryshimit të sistemit, jeta e çifteve më tepër i ngjan një lloj partneriteti tregtar sesa një çifti të vërtetë. Anëtarët e këtyre familjeve vazhdojnë ta jetojnë jetën e tyre si të ndarë, por brenda shtëpisë së njëjtë, duke mos mbjellë dhe kultivuar dashuri dhe respekt të ndërsjellë.
Duke pasur parasysh mbingarkesën e femrave të martuara në këtë shoqëri, kjo gjë ka ndikuar dukshëm në rritjen e divorceve. Kjo normë ka arritur në 60%, më shumë nga vendet skandinave, të cilat janë ndër vendet më të zhvilluara në botë. Po ashtu, pas viteve 1960-të, në shumicën e vendeve të zhvilluara u pa një rritje e ndjeshme e divorceve. Në vitet 1980-të, gjysma e të gjitha martesave në Amerikë përfunduan me divorc. Ndërkaq, këto divorce kanë pasur pasoja negative tek fëmijët, të cilët e kanë humbur mjedisin e tyre të shëndetshëm dhe të sigurt familjar. Fëmijët që rriten në familje me një prind ose familje të prishura, përjetojnë probleme serioze me socializimin. Një nga arsyet më të rëndësishme të prirjeve kriminale është shoqërimi i papërshtatshëm në fëmijëri. Në rastet e divorcit kryesisht nëna merr përsipër kujdesin për fëmijën dhe në këtë mënyrë ajo mund të mos e plotësojë boshllëkun e të qenit një model që duhet t’i jepet fëmijës nga babai. Nëna është faktori më i rëndësishëm në socializimin dhe modelimin e fëmijës në dy vitet e para të jetës dhe babai në vitet në vijim. Në një botë ku fëmijët rriten pa baballarë, në botën moderne, dhe me ndërdijen e figurave imagjinare brenda botës virtuale, ekzistenca e një brezi fantazmë dhe e një të ardhmeje kaotike e të pakontrolluar, do të jetë e pashmangshme.
Sot, me shpërbërjen e familjes, në botën moderne vërehen rritje serioze të shkallës së krimit. Sipas Hirschi-t, “fëmijët që kanë lidhje sa më të fortë tradicionale ose që rriten në mjedise me elemente të tilla si familja, shkolla, feja dhe miqtë, aq më pak gjasa do të ketë që ata të kryejnë krime. Në të kundërtën, përkushtimi i tyre ndaj institucioneve tradicionale dobësohet, ndërsa gjasat për të kthyer krime do të rriten”.
Balancimi ndërmjet punës dhe jetës familjare
Pa dyshim që kapitalizmi ka pasur efekte të ndryshme në marrëdhëniet familjare. Nga njëra anë, kapitalizmi u ka ofruar familjeve mundësi për rritje ekonomike dhe prosperitet, duke i lejuar ato të ofrojnë kushte më të mira jetese, arsimim dhe kujdes shëndetësor për anëtarët e tyre. Por, megjithatë, kapitalizmi është shoqëruar gjithashtu me kërkesa të shtuara për punë, duke çuar në orë më të gjata pune dhe tendosje të mundshme në kohën dhe marrëdhëniet familjare. Përveç kësaj, pabarazitë ekonomike që rezultojnë nga kapitalizmi, mund të ndikojnë në dinamikën e familjes, duke krijuar stres dhe tension brenda saj. Është e rëndësishme të theksohet se efektet e kapitalizmit në marrëdhëniet familjare mund të ndryshojnë bazuar në faktorë të tillë, si statusi socio-ekonomik, normat kulturore dhe përvojat individuale.
Kapitalizmi ka shkaktuar dëme të thella dhe gjithnjë e më të vështira për ta riparuar jetën individuale dhe shoqërore të një personi në krahasim me jetën tradicionale, postmoderne. Duke pasur parasysh që edhe populli ynë e ka përjetuar një linjë të tillë ndryshimi, mund të thuhet që edhe ne jemi duke i përjetuar pasojat negative të sistemit.
Kultura dhe vlerat tona kanë një kuptim shumë të dobishëm filozofik. Kur i shikojmë burimet tona bazë, zbulohen disa role dhe cilësi në lidhje me përgjegjësitë e burrave dhe grave. Ajo, pra kultura, siguron një mjedis social dhe psikologjik për individin që rritet në familje. Ajo i ndihmon njerëzit t’i zhvillojnë karakteret e tyre dhe të krijojnë një strukturë shoqërore. Në familje, gruaja është e detyruar të sigurojë shkëmbim emocional cilësor për fëmijët e saj. Sepse, nuk ka asnjë koncept tjetër që mund ta zëvendësojë rolin e mëmësisë në lindjen, rritjen dhe formimin e karakterit të fëmijës.
Familja është vendi ku zënë fill, kultivohen, rriten dhe piqen personalitetet e individëve. Ajo është një institucion që formon personalitetin e individëve dhe gjithashtu e formon identitetin e tyre. Identiteti është shprehja e ekzistencës së dikujt në një mjedis ku jeton dhe vepron. Identiteti është manifestimi i individit brenda asaj hapësire, prandaj familja është një nga institucionet parësore që përbën patjetër themelin e shoqërisë. Një shoqëri mund të mbijetojë për aq kohë sa mbijetojnë konceptet e shëndosha familjare dhe lidhjet organike brenda saj. Megjithatë, edhe pse familja ka qenë pjesë e pazëvendësueshme e shoqërive që kanë ekzistuar nga e kaluara e deri më sot, ajo me kalimin e viteve është ndeshur me probleme të ndryshme në çdo periudhë.
Pa dyshim që pjesëmarrja aktive në jetën e punës ka një rëndësi të madhe në jetën e secilit, por me kusht që të mos neglizhohet jeta familjare. Për këtë arsye, vendosja e një ekuilibri të suksesshëm midis punës dhe jetës familjare është e rëndësishme për ta arritur produktivitetin dhe lumturinë nga të dyja palët. Në njërën anë, pjesëmarrja aktive në jetën e punës është e një rëndësie parësore, pasi ndikon në standardet e jetesës, realizimin e dëshirave dhe planeve të një personi. Nga ana tjetër, orari i gjatë i punës dhe kushtet e tjera jo të favorshme të punës mund të shkaktojnë probleme nga më të ndryshmet, të cilat edhe u përmendën më lart. Gratë, kryesisht, ballafaqohen me probleme të shumta në jetën e tyre të punës dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre problemeve vjen nga fakti se karakteristikat e jetës së punës nuk janë të përshtatshme për natyrën e gruas. Mund të themi se kjo nuk nënkupton që femrat të mos përfshihen në jetën e punës. Madje, duhet insistuar që femrat të jenë pjesë aktive e punës në sfera të cilat janë të përshtatshme me natyrën e tyre. Ndërkaq, në aspektin e të drejtave mund të jepen më tepër të drejta që mundësojnë ekuilibrin në ndërmjet punës dhe jetës familjare. Së fundi, mund të themi se jeta në një rend shoqëror me plot sfida, e shton kërkesën e ndryshimeve edukative dhe sjelljen e femrës në raport me mjedisin, gjithnjë duke e ruajtur integritetin e vet dhe duke e tërhequr vërejtjen tek bota tjetër e meshkujve që mos të ngushtohet shtegu i ecjes së femrave ndër vite. /revistashenja