Pas 25 vitesh, kërkimet për eshtrat e veprimtarit, Remzi Hoxha, i cili mbeti i vrarë më 21 tetor 1995 janë mbyllur. Kjo gjë u bë e ditur në një konferencë për media nga djali i tij, Ardian Hoxha.
“Sot jemi mbledh me rastin e 25 vjetorit të zhdukjes së babait tim, Remzi Hoxha, dhe jemi mbledh që si pikë e parë ta përkujtojmë atë në një ditë të dhimbshme dhe të ndajmë me ju për mendimet që i kemi se do të vazhdojmë në të ardhmen. Kemi një çerek shekulli që e kemi të zhdukur babanë tonë, burrin e vëllain dhe kemi ardhur në një pikë që kemi humbur besimin në institucionet e drejtësisë, në klasën politike në Shqipëri dhe kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i premë gjërat sado që është e dhimbshme për neve”, tha Hoxha.
Ai dha detaje për hetimet qe ndër vite janë bërë për zhdukjen e babait të tij.
“Janë përpjekur që të na qojnë në kahe të ndryshme për zhdukjen e tij, por e vërteta është vetëm një dhe pas 17 viteve përpjekjesh, angazhim, maltretime psikike e emocionale, përfundimisht u deshtë 17 vite që gjykata e krimeve të rënda në Shqipëri të vërtetojë që kryerësit e këtij krimi ishin 9 persona të SHIK-ut të asaj kohe nën urdhrat e Sali Berishës. Personat e implikuar janë të cekur me emër e mbiemër në aktvendimin e Gjykatës”, theksoi ndër të tjera ai.
Hoxha njoftoi se do të bëhet një memorial në nder të prindit të tij.
“Ne si familje duam që babait tim të ja bëjmë një varr të hapur, një memorial ku do të mund të shkojmë e ta vizitojmë. Nuk është e lehtë dhe ka familjar që nuk pranojnë por që duke e bërë zemrën guri duhet ta bëjmë këtë sepse janë bërë 25 vite”, ka thënë ai.