Familja e Jasirit, e përgëzuar me Xhenet

Nga sahabët e përgëzuar me Xhenet është dhe familja e Jasirit, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Është një rast unik ku i Dërguari i Zotit përgëzon një familje të tërë me Xhenet. Kjo për shkak se kjo familje sakrifikoi tej mase, duke u keqtrajtuar mizorisht në shkretëtirën e Mekes. Ata torturoheshin dhe vuanin nën tortura të vazhdueshme, pa u mëshiruar as natë as ditë. Për këtë i Dërguari i Zotit i përgëzoi me Xhenet, duke u thënë:”Duroni o familja e Jasirit, pasi vendtakimi juaj do të jetë Xheneti.”

Gruaja e Jasirit ishte Sumeje bintu Habab, e para dëshmore në islam. Kurse burri i saj, Jasir ibn Amir El-Kendij, është dëshmori i parë në islam. Kurse djali i tyre Amar ibnu Jasir, është personi i parë në islam që ndërtoi xhami.

Për shkak të torturave dhe keqtrajtimeve çnjerëzore, Amari u detyrua të shprehet me fjalë se e ka braktisur fenë islame.

Edhe pse e kishte thënë nga dhimbjet dhe torturat mizore, me vete ai ishte i shqetësuar për atë që kishte thënë. Ai kishte frikë se mos me të vërtetë konsiderohej si jomusliman tashmë, edhe pse ato fjalë i kishte thënë nën trysninë e torturave. Kështu, ai vajti tek i Dërguari i Zotit dhe i tregoi atë që kishte ndodhur.

Profeti (a.s) e dëgjoi dhe e qetësoi se nëse ato fjalë i ka thënë nën trysninë e torturave, duke mos i ndjerë me zemër, ai vazhdon të konsiderohet musliman. Ai kishte parë me sytë e tij vrasjen e nënës dhe të babait dhe ato fjalë i kishte thënë për të shpëtuar nga vdekja dhe torturat.

Gjaku i dy prindërve të Amarit ishte gjaku i parë që derdhej në rrugë të Zotit. Thotë Zoti i Madhëruar në Kuran: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.[1]

Familja e Jasirit u sprovua e tëra për çështjen e fesë. Ata duruan torturat çnjerëzore dhe secili i jepte kurajo tjetrit, duke përçuar shpirtin e qëndresës dhe të durimit. Dy prej tyre vdiqën nën duart e torturuesve dhe xhelatëve të pamëshirshëm, kurse të tjerët prisnin caktimin e Zotit. Prindërit dhe fëmijët e tyre ishin bashkuar dhe i shërbenin çështjes islame.

A ka gjë më të bukur se të bashkohet e gjithë familja me qëllim që t’i shërbejnë thirrjes islame dhe fesë së Zotit mbi tokë!

Unë njoh një familje e cila është unike në çështjen e shërbimeve publike dhe ndaj komunitetit ku jetojnë. Ata i kanë vënë qëllim vetes që t’i shërbejnë lagjes dhe rrugës ku banojnë. Duke parë se rruga e tyre ishte e papastër dhe gjithë plehra, ata filluan të trokasin në dyert e shtëpive duke i udhëzuar njerëzit dhe porositur që nëse nuk kontribojnë në pastërtinë e rrugës, të paktën mos kontribojnë në ndotjen e saj duke hedhur plehrat vend e pa vend.

Detyrat që dalin para secilit prej nesh janë të shumta, por secili duhet të përpiqet që brenda mundësive dhe kufijve të tij, të kontribuojë pa e shpërfillur të mirën sado e vogël qoftë.

Ajo që ofroi familja e Jasirit në shërbim të çështjes islame ishte vetë jeta e tyre. I vetmi që shpëtoi nga kjo familje ishte djali i tyre Amari. Fjalët e të Dërguarit të Zotit drejtuar kësaj familjeje “Duroni familja e Jasirit…” është një moto të cilën duhet ta mbajmë lart dhe të mësojmë nga shembulli i kësaj familjeje që të durojmë keqtrajtimet dhe vuajtjet në kauzën islame.

[1] – Sure Ali Imran: 169.