Besimtarët myslimanë sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe myslimane menjëherë pas Fitër Bajramit. Për qytetarët e Kosovës, manifestimi qendror për territorin e Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u kërkua të lutemi dhe kontribuojmë për shuarjen e çdo konflikti dhe armiqësie sepse sot me tepër se kurrë kemi nevojë për paqe dhe dashuri.
Manifestimi filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit është mbajtur edhe ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Faljes së Namazit të Kurban-Bajramit i priu Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, i cili tha se sot është një ditë e madhe për të gjithë myslimanët, Ai tha se janë 1100 haxhi nga Kosova që sot përfundojnë haxhinë në Mekë.
“Prandaj vëllezër të bekuar përmes prerjes të kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij dhe në këtë rast t’u ndihmojmë të afërmeve dhe të varfërve, sepse kjo më shumë do të na afroje mes nesh dhe do ta na shtoj dashurinë dhe respektin e ndërsjellët. Të nderuar vëllezër besimtar islami si fe hyjnore në vete bart mesazhin e paqes univerzale, dhe si parim bazë ka formimin e një shoqërie të shëndosh, dinjitoze, humane me vlera të larta morale. Nën hijen e kësaj shoqërie të ndërgjegjshme njerëzore, të gjithë njerëzit pa kurrfarë dallimesh do të gëzojnë lumturinë e vërtet si shpirtërore, ashtu edhe materiale. Mirëpo për fat të keq bota po vlon nga konfliktet e armatosura, duke shkaktuar vdekje të njerëzve të pafajshëm, tmerr e dhunë, dhe dëbim nga vatrat e tyre. Tek një pjesë e njerëzimit thuajse ka humbur arsyeja dhe humaniteti, andaj të lutemi në këtë ditë të bekuar dhe të kontribuojmë për shuarjen e çdo konf likti dhe armiqësie sepse sot me tepër se kurrë kemi nevoje për paqe dhe dashuri” tha ai.
Ndërsa, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, duke dhënë mesazhin e Kurban-Bajramit, tha se në këtë ditë të rëndësishme të mos mungojë solidariteti në mes nesh.
Me namazin e mëngjesit, e pastaj edhe me namazin e Bajramit fillon festimi treditor, në të cilin respektin ndaj Allahut, myslimanët e shprehin me therrje të kurbanit. Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie.
Kjo festë karakterizohet nga gatishmëria e besimtarit, që vetëm për Allahun të sakrifikojë vlerat e tij materiale dhe shpirtërore. Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame. Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani sakrificën për të tjerët.