Allahu i madhërishëm e zgjodhi Muhammedin s.a.v.s. dhe e dalloi nga krijesat tjera që me të të përfundojë pjegamberia dhe thotë:
“Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send.”
(El – Ahzabë, 40)
Pastaj e bëri shembull për gjithë njerëzit duke thënë:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.”
(El – Ahzabë, 21)
Në bazë të gjithave është e qartë që jeta e Pejgamberit s.a.v.s. ka qenë faqe e hapur për gjithë njerëzit që jetuan në kohën e vet, edhe miqtë edhe armiqtë, meshkujt dhe femrat, të moshuarit dhe të rinjët, të afërmit dhe të largët. Ata kanë ditur në mënyrë precize detajet e jetës së tij dhe biografinë, kanë ditur karakteristikat personale dhe gjërat nga jeta publike. Në anën tjetër nuk kanë mundur ta njohin jetën e tij private, andaj këto gjëra në mënyrë precize dhe detaje i kanë përcjellur bashkëshortet e tij. Në bazë të kësaj ne sot njohim të gjithë elementet e jetës së tij në shtëpi, gjatë ushqimit, pijes, gjatë udhëtimit, gjatë qëndrimit në shtëpi, në momentet e zgjuar, fjetjes, bile edhe gjatë kryerjes së nevojave fiziologjike. Shumë detaje nga jeta e njerëzve tjerë të njohur janë absolutisht të panjohura. Bile ne nuk e dimë privatësinë e prindërve tanë apo profesorëve tanë nga të cilët marrim dituri. Nuk do ta teproj nëse them se për Pejgamberin s.a.v.s. dimë më shumë se ne për vete.
Allahu i madhërishëm ka bërë që sira e Pejgamberit s.a.v.s. të jetë e shkruar dhe e përshkruar në detaje. Kur lexoni ndonjë vepër që flet për karakteristikat e Pejgamberit s.a.v.s. sikur Libri i Tirmidhiut esh-Shemai’l el-Muhammedije ose përmbledhjes së tij që e ka bërë shejh Albani, do të shohim që ajo është përplot detaje për të. Ajo shkon deri aty që flet për numrin e qimeve të thinjura në flokët apo mjekrrën e tij. Enesi r.a. ka thënë: “Në flokët dhe mjekrrën e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i kam numëruar vetëm katërmbëdhjetë qime të bardha.” [Shënon Abdurrezak (20185), imam Ahmedi (12713), Abd b. Humejd (1243), Ibn Hibban (6293); Shiko: Muhtesar esh-shemail (31)]
Në versionin tjetër të hadithit qëndron: “Në flokë dhe mjekërr nuk ka pasur as njëzet qime të bardha.” [Shënon Abdurrezak (6786), Ahmedi (11983, 12348, 12523, 12943, 13543), Buhariu (3547, 3548, 5900), Muslimi (2347), Tirmidhiu (3623), Ibn Hibban (2387) dhe Taberaniu në el-Evsat (328)]
Dhe në një version të këtij hadithi qëndron: “Allahu i madhëruar e morri shpirtin e Pejgamberit s.a.v.s. por nuk e turpëroi me të thinjura. Kur Pejgamberi s.a.v.s. kaloi nga kjo botë në flokë dhe mjekërr nuk ka pasur as tridhjetë qime të bardha.” [Shënon Ahmedi (12496)]
Shikoni, bile edhe numri i qimeve të thinjura të Pejgamberit s.a.v.s. është shënuar dhe shkruar. Për më tepër është shënuar edhe ku kanë qenë.
Njëri prej aspekteve më të bukur të sirës fisnike të Pejgamberit s.a.v.s. është që Allahu i madhërishëm e bëri shembull për gjithë njerëzit. Allahu i madhëruar me ruajtjen, shënimin dhe përcjelljen e sirës së Pejgamberit a.s. në këtë mënyrë që nuk ka të parë, vendosi argumente të pakontestueshme dhe fakte të profetësisë reale. Dijetarët dhe historikët muslimanë i kanë dhënë kujdes të pamasë shënimit dhe ruajtjes së biografisë së Pejgamberit s.a.v.s. dhe në këto veprime i kanë tejkaluar njerëzit tjerë. Bile nuk ka hapësirë që të krahasohet mundi që kanë dhënë dijetarët tanë me atë që kanë bërë popujt dhe komunitetet tjerë në fushën e shkrimit të biografisë së pejgamberëve dhe të deleguarve të tyre. Nëse i pyesni p.sh. jehudët për Musain a.s. ata do t’ju thonë disa informata që nuk kanë kurrfarë argumente dhe as varg transmetuesish. Në anën tjetër dijetarët islam me vargun e transmetuesve më preciz kanë shënuar detajet më precize të jetës së Pejgamberit s.a.v.s. kanë pasur kujdes për transmetuesit dhe në detaje kanë rekomanduar biografitë e tyre, kështu që në librat e tyre xherha dhe ta’dil, shkencës e cila merret me ravitë, gjinden emrat e pesëqindmijë njerëzve. Dijetarët e asaj kohe nuk kanë pasur kompjuterë dhe as mjete tjera për shkrim dhe shënim, por shkalla e tyre në mbamendje dhe transmetimin preciz ka arritur kulminacionin. Në shumë gjëra bile kanë tejkaluar mjetet e teknologjisë bashkëkohore. Të gjitha këto i kanë bërë dhe aq mund kanë dhënë për ta ruajtur biografinë dhe udhëzimin e Pejgamberit s.a.v.s.
Allahu i madhërishëm për misionin fisnik e zgjodhi pejgamber Muhammedin s.a.v.s. dhe e pastroi brendinë dhe të jashtmen e tij, fjalët dhe veprat e tij.
Derisa lexojmë biografinë e tij, vërejmë që tërë biografia e të zgjedhurit të Allahut thërret në dashuri ndaj tij, s.a.v.s. Derisa i lexon detajet për pamjen e tij, paraqitjen, flokët, fytyrën, bukurinë, rrobat, qëndrimin, ndien sesi në zemrën tënde rritet dashuria ndaj tij, ndërsa fryma e imanit fuqizon edhe bindjen. Fenomeni tjetër i cili tek ne nxit mahnitje është morali i tij, karakteri dhe marrëdhënia ndaj njerëzve.
Secila karakteristikë e Pejgamberit s.a.v.s. thërret në dashuri ndaj tij. Për këtë edhe dashuria ndaj tij është një prej shenjave të besimit. Kusht i drejtësisë së pjesës tjetër të shehadetit me të cilin dëshmojmë që Muhammedi s.a.v.s. është i dërguar i Allahut është që të ndiejmë ne zemër dashurinë e sinqertë dhe të pastër ndaj këtij Pejgamberi fisnik, s.a.v.s.
Nuk ka dyshim që dashuria ndaj Pejgamberit s.a.v.s. edhe rritet derisa e lexojmë biografinë e Pejgamberit fisnik, s.a.v.s.
Do të duhej t’i zgjedhim disa libra për Pejgamberin a.s. dhe t’i lexojmë kohë pas kohe. Në këtë mënyrë do të forcojmë lidhjen tonë me Pejgamberin s.a.v.s. Kështu pasimi yt i Pejgamberit s.a.v.s. nuk mbetet vetëm në fjalë, por ti jeton me Pejgamberin, përjeton etapat e ndryshme dhe veprimet në jetën e tij. Do të mësosh shumë nga ai, nga jeta e tij dhe situatat që i përjetoi.
Sot shumë të rinjë në ndikimin e mjeteve të ndryshme të informimit, sikur kanalet satelitore, interneti, rrjetet shoqërore, njohin jetën e shumë yjeve artistik ose heronjve të sportit. Gjurmojnë për informatat për ata dhe përcjellin çdo gjë që shpallet bile edhe vështirë është t’i pasosh. Nuk është çudi të shohësh vajzën e cila rrjedh nga familja e mirë dhe e devotshme, por kur e shikon pamjen e saj, rrobat dhe paraqitjen, frizurën dhe veprimet e saj, bile edhe të folurit e saj, mënyrën e të folurit, dhe fjalët që i përsërit, do të vëresh që imiton ndonjë artiste, aktore apo udhëheqëse të programeve televizive, që e ka parë në televizion dhe mendon që personaliteti i saj realizohet nëpërmes imitimit të personit që e parapëlqen. Kjo është gjendje e numrit të madh të rinisë muslimane.
Obligimi ynë është që rininë tonë ta edukojmë dhe t’i kthejmë lidhjen me islamin, e në veçanti me sirën e Pejgamberit. Sikur ne, fëmijëve tanë dhe rinisë t’i prezantojmë në mënyrë të drejtë dhe adekuate sirën e Pejgamberit s.a.v.s., ata asnjëherë nuk do të gjurmonin për shembull alternativ.
Kushdo që lexon biografinë e Pejgamberit s.a.v.s. do të ndiejë modestinë dhe faljen e tij. Allahu i madhërishëm i thotë:
“Thuaj (Muhammed): “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim, dhe unë nuk jam prej atyre që bëjnë trillime.”
(Sad, 86)
Në sirën e tij nuk ka pasur artificialitet dhe nuk ka pasur vështirësim dhe rëndim. Nëse lexojmë biografinë e disa njerëzve të mëdhenj dhe shkencëtarëve, mund të vërejmë që kanë vendosur programe të caktuara për të cilat njeriu duke lexuar arrin përshtypje se nuk mund t’i realizojë dhe pasojë. Por, derisa lexon biografinë e Pejgamberit s.a.v.s. ndien afërsinë e tij dhe aftësinë tënde që ta pasosh dhe shikosh në jetën e tij.
Kam lexuar biografi të shumta të njerëzve të shumtë dhe dijetarëve. Kam lexuar biografinë e katër imamëve, pastaj njerëzve tjerë të mëdhenj të islamit, të sahabëve, tabi’inëve, dhe ku secili prej tyre posedon vend të lartë në sferën e caktuar, ose kur lexon biografinë e ndonjë alimi, ndien që në mes teje dhe atij ekziston ndonjë barrierë dhe vështirësi, ndien që nuk mund ta pasosh në shumë gjëra të jetës së tij.
Por kur lexon e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., atëherë ndien se është e afërt, e lehtë për t’u aplikuar dhe implementuar. Secili njeri mund të merr shembull në të dhe biografinë e tij. Ajo nuk është vetëm për një grup të caktuar njerëzish apo për një shtresë të caktuar shoqërore.
Sundimtari në sirën e Pejgamberit s.a.v.s. mund të gjejë shembuj të drejtësisë, dhembshurisë dhe modestisë, shembuj të ruajtjes së të drejtave dhe pasurisë së huaj, mbrojtje të dobtëve dhe të shtypurve dhe veprimit adekuat në shoqëri. Dijetari në biografinë e tij gjen mënyrën e përhapjes dhe dhënies së diturisë njerëzore. Thirrësi mëson durimin në gjitha sprovat që mund të ndodhin në paraqitjen e misionit dhe zërit të tyre njerëzve tjerë. Babai në biografinë e tij gjen mënyrë si të veprojë me fëmijët e vet në të gjitha fazat, situatat dhe rrethanat. Edhe burri poashtu në biografinë e tij gjen shembuj të veprimit dhe sjelljes me bashkëshorten e vet si dhe mënyrën e tejkalimit të problemeve me të cilat ballafaqohet në jetën bashkëshortore. Bashkëshortja poashtu në biografinë e Pejgamberit s.a.v.s. gjen orientimet dhe udhëzimet si dhe komunikimin e tij me bashkëshortet, e që i ndihmon në komunikimin e saj me bashkëshortin.
Poashtu edhe i pasuri dhe i varfëri, edhe i shëndoshi dhe i sëmuri, edhe udhëtari dhe përsoni në vendlindje, edhe triumfuesi dhe humbësi, të gjithë këta në biografinë e Pejgamberit s.a.v.s. gjejnë atë që është e nevojshme për ata. Pejgamberi s.a.v.s. ka kaluar nëpër gjitha këto faza dhe ka përjetuar shumë nga këto në jetë. Në çdo situatë ka qenë shembull i robit të bindur ndaj Allahut, i cili ishte shembulltyrë e njerëzve tjerë.
Ky Pejgamber i cili nuk diti të lexojë dhe shkruajë është dërguar si begati e Allahut të madhërishëm dhe mëshirë e Tij, ashtu siç thotë Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik:
“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
(El – Enbija, 107)
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk është mëshirë vetëm për muslimanët. Nuk është mëshirë vetëm për një grup njerëzish, ose për një popull sikur arabët. Ai ndali gjakderdhjen, mbrojti të drejtat e njeriut dhe njerëzve u solli gjithë të mirat. E gjithë kjo ndodhi për shkak të mirësisë së Allahut e pastaj për shkak të misionit profetik të Muhammedit s.a.v.s.
Ky popull i cili nuk ka praktikuar dhe nuk ka ditur të lexojë dhe shkurajë dhe as të llogaris, ndërtoi njërën prej civilizimeve më të mëdha. Pastroi civilizimet e popujve të mëparshëm dhe kështu të pastër ia dorëzoi njerëzimit. Bota dëshmoi me pushtimet madhështore të cilat nuk kanë qenë sikurse pushtimi i perandorive të cilat me vete kanë bartur tirani dhe padrejtësi. Pushtimet e muslimanëve kanë qenë të bazuara në mëshirë, kanë pushtuar zemrat para qyteteve.
Pejgamberi i madhështisë, mirësisë dhe udhëzimit. Në çdo fjalë të lavdisë, emri yt është subjekt.
www.islambosna.ba
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi