Fajon: Sllovenia ka paralajmëruar për mizorinë në Gaza që në fillim

Sllovenia që nga fillimi i ngjarjeve në Gaza ka paralajmëruar qartë për mizorinë, dhe në fund ka bërë edhe një hap të rëndësishëm duke njohur Palestinën si shtet të sovran dhe të pavarur, duke paralajmëruar për shkeljen e të drejtave ndërkombëtare dhe humanitare, si dhe të Kartës themelore të Kombeve të Bashkuara, tha Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

“Kështu, ne morëm shumë vëmendje në botë, përfshirë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pikërisht për shkak të konsistencës sonë në trajtimin e këtij agresioni mizor”, tha Fajon në një intervistë për RTV Slloveni.

Ajo tha gjithashtu se Papa Françesku e bëri shumë të qartë gjatë fundjavës se ajo që po ndodh në Gaza është mizori.

“Këtë fundjavë janë vrarë shtatë fëmijë nga një familje. Kam frikë, duke pasur parasysh se qeveria izraelite vazhdon me këtë politikë, që praktikisht të gjitha rezolutat që kemi miratuar në Këshillin e Sigurimit, ku Sllovenia ka qenë iniciatorja kryesore dhe bashkëkrijuesja, nuk shohin as ndalim të luftimeve, as çlirimin e pengjeve, as biseda serioze për atë se si duhet të duket marrëveshja e ardhshme. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi, ky presion ndërkombëtar duhet të mbetet, sepse përndryshe mendoj se e gjithë rendi botëror është në një provë shumë të rëndë. Nuk ka dyshim që Sllovenia e ka përmbushur rolin e saj në Kombet e Bashkuara, si kur ka kryesuar Këshillin e Sigurimit, ashtu edhe tani, kur ka mbetur anëtare e përkohshme”, theksoi Fajon.

Ajo foli edhe se çfarë mesazhi u dërgon njerëzve, duke pasur parasysh se pas gjithë vendimeve të marra, ato nuk respektohen fare, por mbeten vetëm në letër .

“Pikërisht këtu është roli i Sllovenisë ose i shteteve për të cilat është thelbësore që të respektohet sistemi i ligjit ndërkombëtar, që ne të vazhdojmë punën tonë. Këtë javë, kur kishim konsultime me diplomatët në Brdo të Kranjës dhe kur miratuam një strategji të re të politikës së jashtme, diskutuam për rolin e Sllovenisë. Roli i Sllovenisë do të mbetet solidariteti, përfshirja, siguria, njohuria dhe, natyrisht, fakti që vendimet tona për politikën e jashtme bazohen në ligjin ndërkombëtar dhe humanitar. Kryeministri slloven Robert Golob tha disa ditë më parë në Bruksel se me hyrjen në detyrë të Donald Trump në janar të vitit të ardhshëm, mund të presim që të jemi më afër një armëpushimi në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme,” tha Fajon.

E pyetur se nga vjen optimizmi se do të zgjidhet diçka me Donald Trump, Fajon tha.

“Është e vështirë të flas për optimizëm. Natyrisht, të gjithë duam fundin e luftës, por pyetja është çfarë lloj fundi do të ketë ajo luftë. Nëse themi se askush nuk duhet të përdorë armët për të ndërhyrë në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, dhe se Sllovenia gjithashtu mbron integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, atëherë duhet të pajtohemi për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Është e mundur që presidenti i ri Donald Trump në bisedimet e tij të arrijë një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Putin dhe Zelensky, siç edhe e paralajmëron. Por si do të duket ajo paqe, kjo është një pyetje tjetër dhe këtu ka ende shumë pasiguri,” theksoi Fajon.

Ajo foli edhe për atë se çfarë do të thotë tërheqja e ambasadorit të Ukrainës në Slloveni, gjegjësisht nëse është vetëm një procedurë rutinë dhe nëse janë deklaruar arsyet e tërheqje.

“Ne ishim të vetëdijshëm për këtë. Para disa kohësh arritëm një marrëveshje – ukrainasit paraqitën një kërkesë për ardhjen e një ambasadori të ri në Slloveni, kështu që lëvizja nuk na befasoi”, tha Fajon.

TRT Balkan / agjencitë