Evropa lufton ikjen e trurit

Ikja e talenteve drejt vendeve më të pasura të veriut është një problem që Portugalia ndan me disa shtete të tjera në Evropën Jugore dhe Qendrore, pasi punëtorët përfitojnë nga rregullat e lirisë së lëvizjes brenda bllokut tregtar. Vendet duke përfshirë Italinë kanë provuar skema të shumta për të kundërshtuar ikjen, por që metodat kanë nxjerrë rezultate të përziera

Deri kohët e fundit, inxhinieri i hapësirës ajrore, Pedro Monteiro, mendonte se do t’i bashkohej shumë bashkëmoshatarëve të tij, duke ikur nga Portugalia drejt shteteve fqinje më të pasura evropiane në kërkimin e një page më të mirë, sapo t’i përfundonte studimet master në Lisbonë.

Por “ulja tatimore” e propozuar nga Qeveria e Portugalisë për punëtorët e rinj – deri në përjashtim të përkohshëm 100% nga tatimi mbi të ardhurat në disa raste, plus ndihma për strehimin po e bëjnë të mendojë dy herë.

“Qeveritë e mëparshme lanë pas të rinjtë”, ka thënë Monteiro, 23 vjeç, i cili po studion inxhinieri dhe menaxhim industrial në Institutin e Lartë Teknik në kryeqytetin portugez. “Shteti ka nevojë për ne dhe ne duam që të qëndrojmë, por duhet të shohim shenja nga Qeveria se po zbatojnë politika që do të ndihmojnë”, ka shtuar ai.

Monteiro citon në veçanti koston e blerjes ose marrjes me qira të një shtëpie në mes të një krize strehimi, të rënduar nga ardhja e të huajve të pasur, të cilët janë të joshur nga të drejtat për lejeqëndrim dhe lehtësimet tatimore.

Ai ka dyshime nëse masat e reja të qeverisë do të jenë të mjaftueshme.

“Disa nga miqtë e mi tani janë duke punuar jashtë vendit dhe fitojnë shumë më shumë para… dhe kanë mundësi më të mira për zhvillimin e karrierës. Unë jam pak skeptik në lidhje me mundësitë e mia të punës këtu në Portugali”, ka deklaruar Monteiro.

Portugalia është bërë vendi i fundit në Evropë që po kërkon të trajtojë ikjen e trurit, fenomen që po e pengon ekonominë e saj. Lehtësimet tatimore për punëtorët e rinj në buxhetin që aktualisht është në shqyrtim në parlament, do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm dhe prej tyre mund të përfitojnë deri në 400,000 të rinj, me kosto vjetore prej 525 milionë eurosh.

Ikja e talenteve drejt vendeve më të pasura të veriut të Evropës është problem që Portugalia ndan me disa shtete të tjera në Evropën Jugore dhe Qendrore, pasi punëtorët përfitojnë nga rregullat e lirisë së lëvizjes brenda bllokut tregtar. Vendet duke përfshirë Italinë kanë provuar skema të tjera për të kundërshtuar ikjen, por që metodat kanë rezultuar të përziera.

Përkeqësimi i gjendjes si pasojë e mungesave rajonale të fuqisë punëtore dhe çështja e taksave, janë tjera pengesa për Bashkimin Evropian, i cili po përpiqet në çdo mënyrë të përmirësojë rritjen ekonomike – që është në rënie – duke trajtuar rënien e popullsisë dhe produktivitetin në punë.

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane këtë muaj ngre shumë rreziqe. Kryesor është rreziku mbi tarifat tregtare të përgjithshme. Presidenti i zgjedhur ka premtuar tarifë tregtare prej 10 për qind për eksportet evropiane. Ekonomistët këtë lëvizje e kanë vlerësuar si të dëmshme duke thënë se mund të çojë rritjen e zbehtë ekonomike të Evropës, në recesion të plotë.

Rreth 2.3 milionë njerëz të lindur në Portugali, ose 23 për qind e popullsisë së saj, aktualisht jetojnë jashtë vendit, sipas Observatorit të Emigracionit të Portugalisë. Kjo përfshin 850,000 shtetas portugez të moshës 15-39 vjeç, ose rreth 30 për qind e të rinjve portugez dhe 12.6 për qind e popullsisë së saj në moshë pune.

Më shqetësuese është se rreth 40 për qind e 50,000 njerëzve që diplomohen nga universitetet ose kolegjet teknike emigrojnë çdo vit, sipas një studimi nga “Business Round Table Portugal” bazuar në statistikat zyrtare, duke i kushtuar Portugalisë miliarda euro humbje nga tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet e sigurimeve sociale.

Ferri demografik

“Ky nuk është një vend për të rinjtë”, ka thënë Pedro Ginjeira do Nascimento, drejtor ekzekutiv i “Business Round Table Portugal”, i cili përfaqëson 43 nga kompanitë më të mëdha në vendin me 10 milionë banorë.

“Portugalia po përjeton një ferr të vërtetë demografik, sepse vendi nuk është në gjendje të krijojë kushte për të mbajtur dhe tërhequr talentet e rinj”, ka shtuar do Nascimento.

Migrimi i brendshëm brenda BE-së është pjesërisht i nxitur nga pabarazia në paga midis shteteve anëtare të saj.

Disa emigrantë për arsye ekonomike thonë gjithashtu se janë në kërkim të përfitimeve më të mira, si pensionet dhe kujdesi shëndetësor dhe struktura më pak të ngurta e hierarkike që u japin më shumë përgjegjësi të rinjve.

Shqetësimet po shtohen për qëndrueshmërinë afatgjatë të modelit ekonomik të Evropës, me popullsinë e saj në plakje të shpejtë, dhe dështimin për të fituar aksione të konsiderueshme të tregjeve me rritje të lartë, duke nisur nga teknologjia e deri te energjia e rinovueshme.

Duke paraqitur një sërë propozime reformash që synojnë nxitjen e inovacionit dhe investimeve lokale, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, ka thënë në shtator se rajoni është përballur me një “agoni të ngadaltë” rënieje dhe se do të duhej të konkurronte në mënyrë më efektive.

Eszter Czovek, 45 vjeç, dhe burri i saj po shpërngulen nga Hungaria në Austri, ku punëtorët fitojnë mesatarisht 40.9 euro në orë, krahasuar me 12.8 euro në orë në Hungari. Kjo llogaritet edhe si hendeku më i madh i pagave midis vendeve fqinje në BE. Numri i hungarezëve që jetojnë në Austri është rritur në mbi 107 mijë në fillim të vitit 2024 nga vetëm 14 mijë sa ishte kur Hungaria iu bashkua BE-së.

Bashkëshortit të Czovekut, i cili punon në ndërtim, iu ofrua një punë në Austri, teksa ka punuar në media dhe kontabilitet në shtete të ndryshme. Ajo ka përmendur pagën më të mirë, pensionet, kushtet e punës dhe kujdesin shëndetësor si motive për të lëvizur. Ajo ka përmendur gjithashtu shqetësimin për situatën politike në Hungari, për të cilën ajo ka frikë se mund t’i bashkohet Britanisë në daljen prej Bashkimit Evropian.

“Kishte një ndryshim regjimi këtu në vitin 1989, dhe 30 vjet më vonë ne jemi ende në pritje të mrekullisë që do të na bëjë që të shohim duke arritur në nivelin e Austrisë”, ka thënë Czovek duke folur për revolucionin mbi tre dekada më parë që i dha fund sundimit komunist në Hungari.

Që nga “BREXIT”, Holanda ka zëvendësuar Britaninë si destinacion i preferuar për talentet portugeze, ndërsa Gjermania dhe vendet skandinave janë gjithashtu të kërkuara.

Shumë evropianë ende shkojnë në Shtetet e Bashkuara në kërkim të punëve më të mira. Rreth 4.7 milionë jetonin atje në vitin 2022, sipas Institutit të Politikave të Migracionit me bazë në Washington, i cili megjithatë vëren një rënie afatgjatë që nga vitet 1960.

Në vitin 2023, 4,892 portugezë emigruan në Holandë, duke tejkaluar për herë të parë Britaninë, e cila në vitin 2019 mori 24,500 portugezë.

Në shtëpi, ata përballen me barrën e tetë tatimore më të lartë në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim edhe pse çmimet e banesave u rritën për 186 për qind dhe qiratë me 94 për qind që nga viti 2015, sipas specialistëve të pronave “Confidencial Imobiliario”.

Një person beqar në Portugali pa fëmijë fitoi mesatarisht 17 mijë euro pas tatimit në vitin 2023 krahasuar me holandezët që i fitojnë nga më shumë se 45 mijë euro, sipas të dhënave të “Eurostatit”.

Për ata që janë më të rinj se 35 vjeç e që marrin më pak se 20 mijë euro në vit, Portugalia me propozimin e ri do të ofrojë përjashtim tatimor deri 100 për qind gjatë vitit të parë të punës. Më vonë kjo shkon duke u ulur në përqindje.

Të rinjtë do të përjashtohen gjithashtu nga taksat e transaksionit kur blejnë shtëpinë e tyre të parë, si dhe do t’u ofrohet qasje në kreditë e garantuara nga shteti dhe subvencionet e qirasë.

“Ne po hartojmë një paketë solide që përpiqet të zgjidhë arsyet kryesore pse të rinjtë largohen”, ka thënë ministri për koordinime të politikave të brendshme, Antonio Leitao Amaro në një intervistë për Reuters.

Gjërat nuk ndryshojnë

Leitao Amaro ka thënë se nuk ishte i sigurt nëse uljet e taksave do të funksiononin, por ka shtuar se qeveria e tij, e cila mori detyrën në prill, duhej të provonte diçka të re.

“Nëse nuk veprojmë duke u bazuar në ambicie të larta, gjërat nuk do të ndryshojnë dhe Portugalia do të vazhdojë në këtë rrugë”, ka thënë ai.

Qeveria italiane ka zbuluar tashmë se lehtësimet tatimore të përdorura si stimuj janë të kushtueshme dhe me rrezik për mashtrim.

Në janar, Italia kufizoi papritmas skemën që i kushtonte 1.3 miliardë euro në të ardhurat e humbura nga taksat, edhe pse arriti t’i joshte punëtorët e teknologjisë, si Alessandra Mariani, që të ktheheshin në shtëpi.

Përpara vitit 2024, të kthyerve iu ofrua ulje tatimore prej 70 për qind për pesë vjet, e cila mund të zgjatet edhe për pesë vjet të tjera në rrethana të caktuara. Tani, ajo planifikon të ofrojë skemë më të butë që synon aftësi specifike, pasi arriti të tërhiqte vetëm 1,200 mësues ose studiues, në zona ku Italia ka mungesë të theksuar.

Mariani ka thënë se stimujt ishin kyç për ta bindur të kthehej në Milano në vitin 2021 duke ia mundësuar të ruante të njëjtin standard jetese që gëzonte në Londër.

“Sikur të ishte e njëjta mundësi pa skemën, nuk do ta kisha bërë fare”, ka thënë Mariani, që tani punon në degën italiane të së njëjtës kompani të madhe teknologjike.

Me lehtësirat tatimore që do të hiqen gradualisht deri në vitin 2026, nëse nuk blen një shtëpi ose nuk ka një fëmijë, Mariani përballet me ulje të pagës dhe ajo tani thotë se po shikon sërish derën e daljes.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti /koha.net