“Evropa e humbi pak veten”: Kryeministrja italiane bie dakord me zv/presidentin amerikan Vance

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se ajo simpatizon kritikat e zv/presidentit amerikan, JD Vance, ndaj Evropës për lirinë e fjalës dhe demokracisë, transmeton Anadolu.

“Evropa e humbur pak veten”, tha Meloni në një intervistë me ‘Financial Times’.

Sipas kryeministres, komentet e zv/presidentit Vance nuk kishin për qëllim qytetarët evropianë, por klasën e saj politike dhe besimin se “në vend që të lexoni realitetin dhe të gjeni mënyra për t’u dhënë përgjigje njerëzve, ju mund t’u impononi ideologjinë tuaj njerëzve”.

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut muajin e kaluar, Vance tha se kërcënimi më i madh i Evropës nuk është Rusia, por shkatërrimi i brendshëm. Ai akuzoi BE-në për shtypje të fjalës së lirë, duke e kritikuar atë për refuzimin e angazhimit me partitë e ekstremit të djathtë.

Meloni hodhi poshtë nocionin se Italia duhet të zgjedhë midis SHBA-së dhe Evropës, duke e quajtur si “fëmijërore”. Ajo shtoi se “marrëdhënia jonë me SHBA-në është marrëdhënia më e rëndësishme që kemi”.

“Unë jam konservatore. Trump është një lider republikan. Sigurisht që jam më afër tij se më shumë të tjerë, por e kuptoj një lider që mbron interesat e tij kombëtare. Unë mbroj të miat”, tha ajo.

Meloni, kryeministrja e parë femër e Italisë, ka udhëhequr partinë populiste të djathtë ‘Vëllezërit e Italisë’ që nga viti 2014. E njohur për pozicionet e linjave të ashpra mbi emigracionin dhe çështjet familjare, ajo ka fituar kredibilitet mes liderëve të BE-së për politikat e saj të jashtme dhe ekonomike pragmatike.

– Tensionet tregtare SHBA-BE

Për luftën e mundshme tregtare midis SHBA-së dhe BE-së, Meloni argumentoi se blloku evropian duhet të qëndrojë i qetë dhe të punojë për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave

Ajo gjithashtu tha se derisa nivelet e përgjithshme të tarifave janë afërsisht të balancuara, detyrimet specifike për mallra të caktuara po shkaktojnë fërkime.

“Ka dallime të mëdha për mallra të veçuara. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë për të gjetur një zgjidhje të mirë dhe të përbashkët”, tha ajo.

Meloni gjithashtu tha se ajo shpreson se qasja “konfrontuese” e Trumpit ndaj Evropës do ta nxisë BE-në të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

Meloni, një mbështetëse e zëshme e Ukrainës dhe NATO-s, vlerësoi përpjekjet e Trumpit për të negociuar një armëpushim, por theksoi nevojën për garanci të forta të sigurisë për të parandaluar një luftë të re nga Rusia.

Kryeministrja italiane ka shprehur skepticizëm për propozimin francez dhe britanik për një forcë evropiane në Ukrainë.

Në vend të kësaj, ajo propozon shtrirjen e klauzolës së mbrojtjes reciproke të nenit 5 të NATO-s në Ukrainë pa e pranuar atë në aleancë, sipas të cilës, do të ishte “më e lehtë dhe më efektive”.